Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar dje vendimin e qeverisë për të anuluar kontratat me të gjithë HEC-et private në vend. “Në një vendim që mund të marrë vetëm një qeveri zuzare, pra qeveri që ndjehet mbi ligjin dhe nuk pyet për ekzistencën e tij, dënoi kolektivisht pronarët e 115 hidrocentraleve të reja dhe dhjetëra të tjerave në ndërtim e sipër duke ju anuluar kontratën që ata kishin firmosur me KESH dhe imponuar të firmosin kontrata me kushte krejt të tjera me OSHEE.
Me këtë akt zuzar të pashembullt prej xhahili, njeriu që urrejtjen, energjinë negative dhe padijen ka për forcë lëvizëse, shkatërron në mënyrë përfundimtare sigurinë ligjore, pa të cilën shteti ligjor nuk ekziston.
Me anulimin kolektiv të kontratave të HEC-eve, piktori dështak i vë kazmën në themel marrëdhënies kontraktuale që përbën dhe marrëdhënien themelore mbi të cilën bazohet biznesi. Ai ndëshkon me arbitraritetin e xhahilit të pushtetit, investitorë që kanë investuar dhe po investojnë qindra milionë euro në HEC-e!
Me këtë vendim Edvin Kristaq Rama detyron të gjithë pronarët e HEC-eve që t’i paguajnë 20% Ardianit të familjes Rama!
Ky vendim është goditje fatale për investimet në fushën më nevralgjike të zhvillimit, atë të energjetikës, por dhe biznesit dhe investimeve në tërësi dhe shtetit ligjor.
Ky vendim largon investimin e miliarda eurove nga Shqipëria dhe bllokon krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës në mbarë vendin! Ky vendim rendit Shqipërinë në listën e vendeve zuzare, vendeve qeverisja e të cilave nuk ka ligje dhe moral!”, shprehet Berisha.