Qenit i ka ardhur ngordhja, televizionet e kapura urdhërohen për propagandë në çdo spektakël

“Perspektiva europiane nuk është vetëm fjalë, nëse do të vijoni rrugën, përmbushni kushtet!”. Kjo fjali-mesazh që ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ja tha troç dhe në sy kryeministrit Edi Rama janë thelbi i strategjisë që po përdor prej 5 vitesh Rilindja në pushtet. Grabit në bashkëpunim me krimin ekonomik dhe atë të organizuar pasuritë dhe financat e vendit, shndërroje Shqipërinë në një kantier për pastrimin e parave të mafies vendase dhe asaj ndërkombëtare dhe paralelisht bombardo me propagandë “suksesesh”, për të krijuar aureolën e rreme për atë që po ndodh në realitet.
Nëse te ndërkombëtarët “punët e mëdha” vetëm me fjalë të Edi Ramës, nuk pinë më ujë këtu brenda ai e ka kuptuar se shqiptarët po zgjohen çdo ditë, ndaj ka kaluar në një fazë të re për të mbuluar instalimin e krimit të organizuar në pushtet, me shkëlqim të rremë vezullues.
Burime të sigurta të “Syri.net” pranë kryeministrit kanë thënë se së fundmi Edi Rama ka thirrur Endri Fugën dhe i ka dhënë një ultimatum të egër. Mësohet se e ka urdhëruar “Gëbelsin” e tij, që të dalë nga qoshja e errët ku bën si interesant dhe “misterioz” dhe duke nisur nga ai vetë të përpilojë strategjinë e një fushate intensive propagandistike, për “arritjet” e Rilindjes.
Kjo është arsyeja që Fuga kohët e fundit ka dalë nga strofulla dhe përveçse po shkruan edhe vetë, ka nisur takimet me këdo që ka impakt në opinionin publik. Është përpiluar një listë me të gjithë ata që direkt apo nëpërmjet familjarëve të tyre, kanë përfituar dhe vazhdojnë të vjelin të mirat e pushtetit të Edi Ramës.
Ka ardhur koha që kushdo që ka edhe sadopak ndikim në opinionin publik të shfaqet dhe të “luftojë”, sepse kanë ardhur ditë të vështira për ne- mësohet se ka qenë thelbi i ultimatumit të Ramës për Fugën.
Njerëz publik, artisë, gazetarë, pedagogë, pronarë mediesh e universitetesh, biznesmenë, madje edhe kushdo që ka një familjar në punë shteti, duhet të kthejë mbrapsht “përfitimet” që ka nga Rilinda.
Askush nuk duhet të përjashtohet si ushtar në këtë sulm frontal; as shokët dhe gratë shokëve e ortakëve të vetë Olsi Ramës, sepse të tjerët e dinë vetë. Fuga thjesht ka përcjellë ultimatumin që ju dha.

Prandaj njerëzit shohin të habitur, se si shfaqen si “kone” të bindura edhe figura si Robert Ndrenika e Ardit Gjebrea etj, duke recituar “arritjet” e pushtetit.
Prandaj kohët e fundit janë me dhjetëra-qindra e të përditshme rastet, kur “figura publike” në TV, portale, gazeta e sidomos në rrjetet sociale shfaqen të sforcuar sikur e kanë “pistoletën prapa koke” dhe bombardojnë opinionin, me “sukseset” e qeverisë Rama.
Prandaj ditën e hënë, edhe një spektakël televiziv si “Dance Ëith Me” në TV Klan, që në premierë të këtij sezoni u kthye nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu në një shfaqje të turpshme dhe të neveritshme, ku propaganda mashtruese në shërbim të Rilindjes (bizneseve të tyre familjare në fakt) bombardoi mijëra shqiptarë, që prisnin të shijonin vallëzimet e njerëzve publik.
Sa herë që Alketa Vejsiu kapte mikrofonin, aq herë shqiptarët që e ndiqnin dëgjonin të habitur sesi shmangej qëllimi argëtues që duhet të ketë spektakli, në një skenë promovuese për sukseset imagjinare të Rilindjes së Ramës.
Edhe kur në skenë dolën dy artistë të ftuar nga Italia, Vejsiut si duket ju kujtuan bizneset familjare, ultimatumi që kishte marrë në darkë në shtëpi, Olsi i Ramës, vilat, rrjetet e pikave të basteve që po lulëzojnë dhe nisi të recitojë; Vijnë italianë në Shqipëri për të kërcyer, por Rilindja ka krijuar kushtet edhe për 20 mijë investitorë, që sjellin paratë e tyre nga përtej detit dhe hapin vende pune!
Se ku i gjeti Alketa Vejsiu këta 20 mijë investitorë në Shqipëri, një zot e di; vetëm nëse ata që i kanë përgatitur tekstin që recitoi e kanë fjalën për mafiozët italianët që investojnë fortë në kultivimin dhe trafikun e kanabisit në vendin tonë; ata që janë aksionierë në trustin ndërkombëtar të kokainës, ata që po investojnë në lavatriçen gjigante që ka ngritur Rama me ndërtimin, kumarin etj.
Gjithsesi ashtu si klithma e bishës që ka rënë në kurthin që ka ngritur vetë, ultimatumi i Ramës për Fugën është aq i egër, sa që po i nxjerr të gjithë sheshit. Vëzhgoni me kujdes TV-të, mediat, rrjetet sociale që të kuptoni, se deri ku kanë mbërritur metastazat e mafies me emrin Rilindje!
“Syri.net”

Artikulli paraprakShpronësim dhe sekuestrim i të gjitha koncesioneve të oligarkëve
Artikulli tjetërLista e Ramës me emrat e artistëve dhe gazetarëve për propagandë qeveritare