Qeveria amerikane vë nën akuzë për korrupsion Smartmatic, pagoi 1 mln dollarë rryshfet për kryetarin e KQZ-së së Filipinës

Kompania Smartmatic International është vënë nën akuzë nga departamenti amerikan i drejtësisë për shkak se dyshohet të ketë paguar 1 milionë dollarë rryshfet për kryetarin e Komisionit Qendror në Filipine. Dy themeluesit e kompanisë që ka fituar dhjetra milionë euro në Shqipëri për të ngritur sistemin elektronik të votimeve rrezikojnë deri në 20 vjet burg, teksa akuza ndaj tyre është publikuar në faqen e departamentit të drejtësisë së Shteteve të Bashkuara.

Sipas prokurorëve, rryshfeti është paguar për të marrë kontratën e blerjes së pajisjeve dhe makinerive për zgjedhjet.

“Mes viteve 2015 dhe 2018, Roger Alejandro Pinate Martinez, 49 vjeç, një shtetas venezuelian me banim në Boca Raton, Florida, dhe Jorge Miguel Vasquez, 62 vjeç, një shtetas amerikan me banim në Davie, Florida, së bashku me të tjerë dyshohet se shkaktuan pagesën e të paktën 1 milion dollarë ryshfet për Juan Andres Donato Bautista, 60 vjeç, ish-president i COMELEC,” thuhet në akuzën e ngritur nga prokurorët amerikanë.

akuza

Dy themeluesit e Smartmatic dyshohet se financuan ryshfetet përmes një fondi të zi të krijuar duke mbifaturuar koston e çdo makinerie votimi për zgjedhjet e 2016-ës në Filipine.

Për të fshehur dhe maskuar natyrën dhe qëllimin e pagesave korruptive, të akuzuarit kanë përdorur gjuhë të koduar për t’iu referuar fondit të zi.

“Martinez dhe Vasques kanë shaktua krijimin e kontratave mashtruese dhe marrëveshjeve false të kredisë për të justifikuar transferimet. Komplotistët më pas dyshohet se kanë pastruar fondet në lidhje me skemën e ryshfetit përmes llogarive bankare të vendosura në Azi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë Distriktin Jugor të Floridës,” thuhet në dokumentin e akuzës.

Nëse dënohen, Pinate dhe Vasquez përballen secili me një dënim maksimal prej pesë vjet burg për akuzat e shkeljes së ligjit për praktikat e huaja të korrupsionit. Po kështu, Bautista, Pinate, Vasquez dhe Moreno përballen secili me një dënim maksimal prej 20 vjetësh për çdo akuzë për pastrim parash ndërkombëtare dhe komplot për të kryer pastrim parash.

Njoftimi u bë nga Zëvendës Ndihmës Prokurorja e Përgjithshme Nicole M. Argentieri, kreu i Divizionit Penal të Departamentit të Drejtësisë; nga Prokurori i Shteteve të Bashkuara Markenzy Lapointe për Distriktin Jugor të Floridës; nga agjenti special i ngarkuar Anthony Salisbury i Hetimeve të Sigurisë Kombëtare (HSI) Miami; dhe Agjenti Special i ngarkuar Mattheë D. Line e IRS Criminal Investigation (IRS CI) Miami.

Nën hetim nga SPAK
Në vitin 2021 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha kompanisë Smartmatic një kontratë 20 milionë euro për blejen e sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre paszgjedhor.

Kontrata e akorduar me negocim të drejtëpërdrejtë dhe pa shpallje tashmë është në hëtim nga SPAK pasi dyshohet për korrupsion. Kapitali ka mësuar se edhe pse kontrata ndalonte nënkontraktimin Smartmatic ka bërë miliona euro pagesa tek kompani dhe persona në Shqipëri, por edhe Kosovë.

Hetimet për kontratën e pajisjeve elektronike të votimit kanë nisur pa asnjë kallëzim nga jashtë, por me vetë iniciativën e SPAK. Një burim konfidencial tha se këto hetime kanë nisur pasi indiciet për korrupsion në këtë çështje kanë dalë në dosjet e tjera që SPAK ka nën hetim.

Exit mobile version