Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje, viktima e dëme në shumë familje.
Në Laç, një 48-vjeçar humbi jetën duke u munduar të shpëtojë biznesin e tij nga përmbytja. Mbi 60 banesa dhe 500 hektarë tokë janë përmbytur.
Në Rrëshen, rrjedha e lumit Zmeja ka dëmtuar unazën e qytetit, e cila rrezikon të shembet plotësisht. Në rrezik janë dhe tubacionet e ujësjellësit të qytetit dhe linja elektrike. Përfaqësues të Bashkisë u shprehën se situata është alarmante dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e njësisë së Emergjencave Civile.
Në Kurbin, mbi 50 banesa ndodhen nën ujë dhe 1500 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur.
Në Milot, dalja e ujërave të përrenjve nga shtrati ka përmbytur 50 banesa. Vetëm 6 familje janë evakuar.
Në Dibër, gjithashtu, ka pasur rrëshqitje të dheut duke dëmtuar banesa dhe ndalur qarkullimin në akse të caktuara rrugore.
Familjet dhe banesat e përmbytura janë lënë në harresë të plotë nga krerët e lartë të shtetit.
Dy ditët e fundit, Kryeministri Rama ka zgjedhur të zhvillojë një takim me fermerët në Manzë të Durrësit dhe të marrë pjesë në një aktivitet të Policisë së Shtetit.
Ministri i Bujqësisë Panariti replikoi për disa minuta me deputetët e PD-së për situatën e rënduar, në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Zoti Panariti komentoi ngjarjet dhe në një studio televizive.
Deri më tani, familjet e dëmtuara janë vizituar vetëm nga kamerat e televizioneve dhe nga kreu i PD-së Basha.