Nga Emilia KOLIQI
Fjala në Kuvend
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar Zoja dhe Zotni,
Së pari, deshiroj të shpreh nderin dhe privilegjin që jam pjesë e legjislaturës së 10 të Kuvendit të Shqipërisë. Një falenderim i veçantë shkon për të gjithë burrat dhe grate, të rejat dhe të rinjtë e Qarkut Shkodër që besuan në vizionin e Partisë Demokratike për një Shqipëri më të mirë, për një Shqipëri Europiane.
Besimi Juaj është përgjegjesi për ne!
Sot ne të gjithë bashkë, po dëgjojmë edhe njëherë të ashtuquajturin program copy-paste të qeverisë Rama 3.
Në gjithë këtë gjoja program, dëgjojmë për arritje, suksese, por e vërteta është se nuk ka asnjë risi, ka vetëm përsëritje, ka premtime të parealizuara në 8 vite.
Shqipëria sot gjendet në një udhëkryq, ku nuk arrijmë të gjejmë “drejtimin e duhur”:
Sa pak ose aspak përmendet në Program Qeverisja Vendore.
Quhet sukses i madh Reforma Territoriale. Por ajo është një sukses i madh ne fushen politike, që i shërbeu më së miri Partisë Socialiste, por ne duhet të analizojmë sa i sherbeu kjo qytetareve.
Konfigurimi i ri i kufinjve administrativë, nuk është bazuar në kritere të qarta specifike, të tillë si: kriteri i distancës minimale apo kriteri i popullsisë minimale që do të reflektonte qëllimin për aplikimin e ekonomisë së shkallës, duke krijuar për pasojë një asimetri të kufinjve bashkiakë. Konkretisht, në veri kemi bashki të mëdha (amalgamim), ndërsa në jug kemi bashki të fragmentarizuara.
Nuk është bërë një analizë në nivel vendor, qoftë në aspekte të decentralizimit dhe asimetrisë demografike dhe ekonomike që ekziston.
Nuk ka pasqyruar thelbin e një reforme territoriale, e cila ndërmerret për të reformuar shërbimet publike ne drejtim te efiçiencës dhe efektshmërisë.
Qeverisja qendrore nuk ka zbatuar dispozitat ligjore dhe nuk i ka kompensuar bashkitë për humbjet në buxhet për të gjitha ndryshimet në taksën e biznesit të vogël, si taksë lokale sipas percaktimeve të ligjit “Për financat e Vetëqeverisjes vendore”.
Qeverisja qendrore vazhdon të mbajë një nivel të lartë kontrolli të aktiviteteve dhe zhvillimeve në nivel vendor, përkundër reformave decentralizuese, duke promovuar një rritje selektive të investimeve në disa bashki, jashtë rrjedhës së reformës administrative-territoriale.
Nuk përmendet qeverisja vendore ose bashkëpunimi me të, në një kohë që shumë funksione të cilat kanë kosto të lartë për qeverisjen qendrore, janë transferuar ose vazhdojnë të transferohen, në emër të reformave, pranë Njësive Vendore dhe të pashoqëruara me faturën financiare.
Delegimi i këtyre funksioneve, i pa menduar mire, ishte një tjetër problematikë e kësaj qeverisje.
Problemet me mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi, me çertifikatat e pronësisë të tokës bujqësore, me pyjet, me sherbimet sociale, janë sot sfidat me të cilat qeverisja vendore po përballet.
Buxheti qendror alokon për NJQV jo më pak se 1% të PBB-së, që është niveli më i ulët rajonal, duke penguar bashkitë që të rrisin cilësinë e shërbimeve dhe t’i ushtrojnë kompetencat e reja në diskrecion të plotë, siç parashikohet në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.
Kryeministri në fjalën e sotme, i kërcënoi se nuk do t’i jepte as këtë 1%.
Shpenzimet per Buxhetin Vendor, vazhdojnë të jenë në nivele të ulta 3.3-3.4% të Buxhetit të Shtetit.
Gjatë viteve 2018-2019, nuk u respektua ligji i financave vendore duke mos i akorduar për 2 vite rresht Njësive Vendore taksën e ndarë, 2% e tatimit mbi të ardhurat personale.
E njëjta gjë ndodhi edhe me fondin 4% të mbrojtjes civile, i cili nuk u akordua as për fatkeqësinë natyrore COVID-19.
Megjithë arritjet e propaganduara, Shqipëria vazhdon të ketë një ekonomi të dobët, e karakterizuar nga balancime makroekonomike të dobëta.
Të ardhurat për frymë vazhdojnë të jenë nga më të ulëtat në Europë.
Rritja e çmimeve, emigracioni i të rinjve, stanjacioni ekonomik, pasiguria dhe kriminaliteti në rritje, shëndetësia dhe situata e pandemisë, janë elemente qe ndikojne direkt ne mireqenien tone.
Qarqet e veriut vazhdojnë të jenë më të varfrat në vend dhe kjo si rezultat i politikave diskriminuese për një rajon të tërë.
Sipas të dhënava të publikuara nga INSTAT, niveli i Prodhimit të Brendshëm Bruto në Shqipëri, është 593 mijë Lekë për frymë.
Në rajonin e Veriut, qarku i Kukësit është ai me nivelin më të ulët me 360 mijë Lekë për frymë, duke vijuar me Shkodrën e Lezhën me 427 mijë Lekë, te dyja keto qarqe me potenciale te medha zhvillimi, por me shifra marramendese emigracioni si rezultat i lenies ne harrese nga qeveria qe duhet te perfaqesojë te gjithe Shqiptaret.
Një nga arsyet kryesore të kësaj varfërie, është shpërndarja e pabarabartë e investimeve publike në territor dhe mungesa e investimeve të huaja.
Fondi për Zhvillimin e Rajoneve si instrument zhvillimor për të pasur rajone me zhvillim të balancuar, konkurruese dhe me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e mjedisor, nuk respekton shpërndarjen e barabartë të fondeve, duke krijuar polaritet ne zhvillimin rajonal te Shqiperise.
Një diskriminim i qartë ndaj Shkodrës ishte kur Qeveria nuk shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore as për përmbytjet e vitit 2018 dhe as për përmbytjet e këtij viti.
Arsyeja është e qëllimshme, pasi kjo tregon që qeveria nuk ka as vullnet, as përgjegjësi kundrejt qytetarëve të vet, për t’iu përgjigjur kësaj situate me financa shteterore për tu përballur shpejt dhe në kohë, për rekuperimin e situatës së rëndë mjedisore, të rrënimit të ekonomisë, të dëshpërblimit, të rivendosjes së gjithë infrastrukturës private dhe publike për të rikthyer jetën normale në këto zona.
Banorët e këtyre zonave, janë njerëz shumë të fortë, janë heronj, që përballen me vështirësi të jashtëzakonshme dhe me mungesën e vëmendjes nga shteti, për situatat e krijuara, të cilat, në këtë zonë përsëriten vazhdimisht.
Shkodra përmbytet nga kaskada e Drinit, përderisa mungojnë investimet në infrastrukturën mbrojtëse dhe shkarkuese.
Të ardhurat nga burimet ujore, energjia elektrike e prodhuar nga hidrocentralet, kanë përqindjen më të lartë në Prodhimin e Brendshem Bruto.
Patjetër që kjo është një pasuri kombëtare, por kjo pasuri është kombëtare edhe në rastet e emergjencave.
Veriut i takon të marrë një pjesë nga kjo e ardhur, duke patur parasysh edhe dëmet që shkaktohen dhe për dëmshpërblimin e tyre.
Trajtimi dhe zgjidhja e problemeve të varfërisë, kërkojnë vëmendje dhe adresim të veçantë. Premtimet propagandistike nuk janë çelësi i zgjidhjes së problemit.
Konsolidimi i stabilitetit makroekonomik, rritja e punësimit, zhvillimi i infrastrukturës, sektorit energjetik e minerar, bujqësisë, agroindustrisë dhe turizmit, nuk janë gjë tjetër veç se fjalë boshe, premtime të mbetura në letër.
Shifrat janë kryeneçe dhe për fatin e keq, sot më shumë se kurrë vertetojnë përkeqësimin e një serë treguesve social ekonomik në vend.
Gjatë viteve të fundit, zhvillimi i ekonomisë shqiptare është dominuar nga politika të dobëta dhe të pa menduara mirë.
- Ndërsa premtohet për një rritje ekonomike mesatare rreth 4.5 % për të arritur në rreth 5.5 – 6 % të PBB-së në fund të mandatit, vendi jonë pësoi një rënie ekonomike – 4% në 2020, sipas shifrave zyrtare, po -6.8 %,sipas vlersimit te Bankes Boterore.
- Ndërsa premtohet ulja graduale e borxhit publik në rreth 60% të PBB-së deri në fund të mandatit, sot borxhi zyrtar i qeverisë ndaj PBB është 83.3%, ndërsa në të vërtetë ka kaluar 100%, duke u kthyer në një pengesë serioze të zhvillimit te vendit.
- Ndërsa premtohet përkrahja e sipërmarrjes me lehtësira fiskale, sot mbyllen mbi 60 biznese në ditë. Sipërmarrjet në Shkodër sipas shifrave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kanë patur ulje, sidomos të numrit të bizneseve të vogla, të cilët përbëjnë rreth 75% të bizneseve në Shkodër.
Nëse numri i sipermarrjeve të reja, sipas programit të Qeverisë, do të ishin rritur me 42 % në Shkodër, 30 % në Pukë, e 83 % në Malësinë e Madhe, sot Qarku i Shkodrës nuk do ta vuante papunësinë në shifra të frikshme, dhe nuk do të rënditej në qarqet më të varfra në vend.
- Ndërsa premtohet rritje harmonike dhe e qëndrueshme të zonave urbane dhe rurale, sot më shumë se kurrë predominon shpërndarja e pa barabartë e investimeve dhe mungesa e investimeve të huaja. Për veriun e Shqipërisë, numri i investimeve ka qënë minimalist, i pa përfillshëm me kontributin e rajonit të veriut në PBB duke e aneksuar terësisht, si një përgjigje ndaj bindjeve politike.
- Në qytetin e Shkodres, nuk ka gjurmë të asnjë çerek leku te buxhetit te shtetit.
Investimet e realizuara, jane falë punës së vetë banorëve të Shkodrës, fale bashkepunimit shume te mire te pushtetit vendor me partneret nderkombetar, Bankën Botërore, Bashkimin Evropian dhe donatorët e huaj. Përsa i përket investimeve me fonde të qeverisë, Bashkia Shkodër zë vendin e 59-të nga 61 bashkitë në vend. Nëse ju, një qasje të tillë e konsideroni rilindje urbane, me keqardhje ju them se ky proçes është i dështuar.
Slogani i famshëm i fushatës elektorale ishte “Ju na jepni votën, ne ju japim investime”!
A thua se veriu i Shqipërisë nuk është taksapagues i këtij vendi!?!
Të nderuar qytetarë,
Të gjithë jemi të vetedijshëm që rruga drejt Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian kalon permes përafrimit të legjislacionit të vendit me atë të BE, forcimit të shtetit ligjor, qëndrueshmërisë makroekonomike, menaxhimit të fondit publik, uljes së borxhit publik, përmirësimit të klimës së biznesit, etj. Në këtë kontekst jemi shumë larg nga objektivat e premtuara dhe mbi të gjitha realizimit me sukses të tyre.
Shqipëria është vendi i parë në Europë, për deshirën e të rinjve për të ikur jashtë vendit. Sot fëmijët tanë dëshirojnë të largohen për shkak të varfërisë, papunësisë, përjashtimit social dhe korrupsionit. Qeveria Rama është përgjegjëse për këtë shpopullim të Shqipërisë, për largimin masiv të të rinjve shqiptar.
Prandaj unë jam kundër këtij të ashtuquajturit program, jam kundër farsës që tallet dhe sillet në mënyrë të papërgjegjshme me shqiptaret.
Faleminderit!