Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka reaguar ndaj qeverisë për diskriminimin që po u bën bashkive të djathta, duke iu dhënë vetëm 2.5% të fondeve për Zhvillimin e Rajoneve. Përmes një deklarate për mediat, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë bën të ditur se, në mbledhjen e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve është vendosur që 19 milionë e 600 mijë euro t’iu jepen bashkive të majta dhe vetëm 400 mijë euro për ato të opozitës.
Në njoftimin për shtyp thuhet se, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë kundërshton ashpër dhe në vazhdimësi mekanizmin e padrejtë të ndarjes së granteve për pushtetin vendor nga Kryeministri. Vazhdon diskriminimi i bashkive të djathta.
“Komiteti i Zhvillimit të Rajone u mblodh për të gjashtën herë më datë 13 korrik, ora 12:00-13:00, në Kryeministri.
Komiteti vendosi të ndajë shumën prej 2.65 miliardë lekë (20 milionë euro) fonde të buxhetit si grante për Bashkitë
Si u bë ndarja? Cili ishte vendimi paravendosur? Më shumë se 97.5% e fondeve shkuan për bashkitë e mazhorancës dhe vetëm 2.5% për bashkitë e opozitës.
Pra 19 milionë e 600 mijë euro ju dhanë bashkive të majta dhe vetëm 400 mijë euro për ato të opozitës”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Më tej thuhet se, asnjë mbështetje për bashkite e vogla dhe malore, asnjë lek për bujqësinë. “Kjo skemë politike, aspakt ligjore dhe aspak parimore dhe në shkelje të autonomisë vendore nuk duhet të funksionojë më. Shuma e financave nga ky fond duhet t’u shpërndahet direkt 61 bashkive në totalin e granteve të pakushtëzuara, duke filluar nga viti 2017 dhe kështu mbyllet një herë e mirë kjo padrejtësi ndaj pushtetit vendor”, përfundon njoftimi i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.