Qeveria dorëzohet para shiut! Përmbytet NënShkodra, Lezha, Durrësi, Vlora, Devolli e Gramshi

Gjatë orëve të fundit vendi ynë është përfshirë nga reshje shiu me itensitet të lartë në zonat deri në 800 metra mbi nivelin e detit, ndërkohë që në zonat malore vijojnë reshjete dëborës.

Reshjet kanë sjellë probleme në disa qarqe të vendit.

Në Durrës, rrebeshet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të disa rrugëve të qytetit, duke nxjerrë në pah problemet me infrastrukturën dhe kanalizimet e bllokura.

Uji ka shkuar disa centimetra në rrugë, ndërkohë që kalimi i mjeteve dhe qytetarëve është vështirësuar.

Reshje të dendura shiu kanë përfshirë dhe Lezhë, ku në disa lagje të qytetit uji ka vërshuar në rrugë duke sjell me vete dhe inerte, të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve, ndërsa lumi Drin ka rritur prurjet. Për shkak të situatës nga moti, disa fshatra të Lezhës kanë mbetur pa energji elektrike.

Situata problematike me reshjet paraqiten edhe në Qarkun e Elbasanit, ku për shkak të motit të keq prej disa orësh qyteti i Prrenjasit është pa energji elektrike.

Ndërkohë, në Vlorë është pezulluar lundrimi i anijeve të peshkimit për shkak të dallgëve të mëdha në det.

Në Shkodër raportohen 150 ha tokë bujqësore nën ujë në zonën e Gorricës, për shkak të daljes nga shtrati të një përroi. Deri më tani nuk raportohet për probleme me banesat në këtë zonë. Në Kukës janë rregjistruar rrëshqitje dherash në disa akse dytësore, që lidhin zonat rurale me rrugën e kombit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca reagoi në rrjetet sociale lidhur me situatën, duke u shperhur se pavarësisht reshjeve të dendura, situata është nën kontroll.

“Deri më tani, nga inspektimet në terren të Drejtorive të Ujitjes dhe të Kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë, rezulton se sasitë e konsiderueshme të reshjeve të rëna gjatë natës dhe që ende po vazhdojnë, kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ujit në infrastrukturën e kullimit (kanalet kulluese dhe kanalet e ujërave të larta), por pa krijuar probleme. Të gjithë hidrovoret janë në funksion të plotë dhe po punohet për mbajtjen e niveleve normale të ujit, megjithëse kemi rritje të prurjeve të ujit në kolektorët kryesor, që përcjellin ujin tek hidrovoret. Deri më tani, nivelet e lumenjëve nuk përbëjnë shqetësim për dalje nga shtrati apo përmbytje”, tha ajo.

Probleme me energjinë dhe rënien e gurëve në rrugë janë regjistruar edhe në disa akse në qarkun e Gjirokastrës dhe të Korçës, ndërsa po mbahen nën monitorim lumenjtë dhe prrenjtë në këto zona.

Ndërkohë, reshjet e shiut kanë përmirësuar situatën hidrike në tre kaskadat e lumit Drin. Në Fierzë niveli i ujit ka shkuar në 270 metra, në Koman 172 metra dhe në Vaun e Dejës në 74.6 metra mbi nivelin e detit.

Prurjet aktualisht janë 1481 metra kub për sekond. Sipas Institutit të Gjeo Shkencës, edhe në orët në vijim priten reshje me itensitet të lartë në të gjithë territorin e vendit, duke paralajmëruar përmbytje në zonat rurale dhe ato urbane.

Përmbytje në Gramsh, del nga shtrati lumi Devoll

Reshjet e dendura të shiut që kanë pushtuar vendin tonë gjatë ditëve të fundit kanë rritur edhe nivelin e ujit në lumin Devoll.

Si pasojë e reshjeve të dendura, mësohet se në disa toka në dalje të qytetit të Gramshit lumi ka dalë nga shtrati duke bërë që të përmbyten disa toka bujqësore.

Ndërkohë, hidrocentrali i Banjës po shkon drejt kuotës maksimale, por ende nuk ka vend për shkarkime.

Exit mobile version