Qeveria e Edi Ramës sërish selektive: Asnjë zë investimesh në buxhetin e ‘2025’ për Veriun e vendit

Edi Rama dhe qeveria e tij mburret lart e poshtë për rritjen e të ardhurave në buxhet si pasojë e rritjes së numrit të turistëve, të cilët kanë sjellë të ardhura për strukturat e shërbimeve. E më pas këto biznese kanë paguar taksa më shumë në shtet.

Siç e tregojnë të gjitha statistikat, veriu i Shqipërisë, përkatësisht bregdeti dhe zona e mrekullueshme malore e alpeve por edhe ajo e Korabit apo Krujës etj, kanë pasur një numër më të madh turistësh efektiv se bregdeti i jugut. Këto janë fakte që paraqiten qartë në statistikat e INSTAT.

Pra, edhe pse infrastruktura rrugore në veri është më e prapambetur sesa ajo e jugut të vendit, tërheqja e turistëve ka qenë e barabartë, për të mos thënë se në shumë raste veriu ka qenë më atraktiv, duke u pëlqyer shumë, sidomos nga turistët perëndimorë. Përkatësisht gjermanë, francezë, zviceranë, skandinavë apo britanikë. Që do të thotë vizitorë me gjendje më të mirë ekonomike, e mundësi për të shpenzuar më shumë. Shkurt: turistë cilësorë.

E sipas gjasave, ky trend është në rritje dhe e tregojnë të gjitha parashikimet si ato vendore ashtu edhe ndërkombëtare.

Që do të thotë sërish, se kemi një mundësi edhe më të madhe të rritjes së të ardhurave.

Por çfarë ndodh konkretisht?

Në ligjin e “buxhetit më të madh”, në mënyrë skandaloze nuk është parashikuar asnjë investim vital për veriun, në mënyrë që të lehtësojë rritjen e fluksit, e të shtojë gjithnjë e më shumë trendin e ardhjes së turistëve cilësorë, përkatësisht nga vendet e zhvilluara.

Nëse shihen me kujdes zërat e investimeve në buxhetin e shtetit për vitin 2025, ka miliarda të akorduara me zëra të veçantë për projekte infrastrukturore në jug. Pjesën e luanit e kanë investimet në një segment vetëm 4.8 kilometra i gjatë që është zona Palasë-Dhërmi.

Ndërkohë që vazhdojnë investimet kapitale në Vlorë, Fier, Sarandë e Ksamil.

Nga ana tjetër, edhe në investimet e paracaktuara për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili ka kryesisht nën hyqëm zonat e brendshme e rurale, mungon ose është përfshirë shumë pak zona e veriut.

Zërat e vetëm në buxhet të paracaktuara për disa zona, janë ajo e mbylljes së Rrugës së Arbrit që u kthye si Kalaja Rozafës, e që është PPP në vazhdim, janë disa të tjera për struktura të caktuara sociale si materniteti i Shkodrës etj, që kanë qenë të nisura më kohë.

Asgjë për rrugën kalvar Tiranë-Shkodër, apo Milot-Shkodër. Madje as PPP-ja e Balldrenit nuk është parashikuar në vitin e ardhshëm. Me një fjalë, të shkosh në veri, do të kemi të njëjtën panoramë rraskapitëse, ndërkohë që për në jug po mbarohet autostrada e re Tiranë-Durrës. Me shpejtësi po rindërtohet dhe rruga Ndroq-Plepa.

Qartësisht ka një prioritet të Edi Ramës dhe qeverisë. Për të kanalizuar paratë, fondet dhe investimet vetëm në një pjesë të vendit. Kjo e ka emrin prioritet investues. Pra Rama do që së pari(së paku) të zhvillohet jugu, i cili vjet pati alarmin e madh të pakësimit të turistëve. Pasi operatorët atje u çmendën me çmimet e larta. 15 euro një pjatë makarona, makarona! Ndërkohë në Lezhë, Shkodër apo pjesë të tjera çmimet ishin dyfish më pak. 7 euro një pjatë makarona, madje të bëra vetë e jo të blera të thata.

Vjet, në mënyrë të qartë, garën e fitoi veriu, edhe pse u godit poshtë brezit me fake news-e dhe me zjarre të “papritura” që të frikësojë vizitorët që e pëlqejnë gjithnjë e më shumë të shkojnë në bregdetin veriperëndimor, në alpe, apo edhe në bukuritë e Dibrës, Kukësit a Matit.

Normalisht një qeveri do të duhet ta nxisë këtë fluks me investime, por nuk e bën. Pasi qartë kërkon ta frenojë, për të mbajtur me zor një fluks nga ana tjetër që duket hapur se po shkon drejt rënies. Pasi nuk i ofron vizitorëve balancën e famshme çmim-cilësi-shërbim./Pamfleti

Qeveria e Edi Ramës sërish selektive: Asnjë zë investimeshQeveria e Edi Ramës sërish selektive: Asnjë zë investimeshQeveria e Edi Ramës sërish selektive: Asnjë zë investimeshQeveria e Edi Ramës sërish selektive: Asnjë zë investimesh

Artikulli paraprakSHBA mesazh Ramës të kufizojë investimet kineze? Nancy VanHorn: Shmangi kompanitë që rrezikojnë sigurinë kombëtare
Artikulli tjetërNjë qeveri hipokrite nuk është asnjëherë zgjidhje!