“Qeveria e ka kthyer Shqipërinë në vendin më të varfër në Europë”, Basha: Programi ynë lufton korrupsionin, garanton investime, punësim, paga më të mira, pensione më të larta

Kryetari i PD-Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet shqiptarët janë më të varfërit në Europë, sepse me këtë qeveri Shqipëria renditet si vendi më i korruptuar i Europës. Ai thekson se kjo situatë ka çuar në largimin e të rinjve dhe krizë në arsimin dhe shëndetësinë.

Basha bën thirrje për një ndryshim në zgjedhjet e ardhshme, duke propozuar masa të menjëhershme për luftimin e korrupsionit, përfshirë krijimin e një njësie për rikuperimin e pasurive të vjedhura dhe forcimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ai thekson se vetëm duke luftuar korrupsionin, Shqipëria mund të sigurojë investime dhe shërbime më të mira për qytetarët.

Postimi i plotë i Bashës:

Shqiptarët janë më të varfërit në Europë, sepse me këtë qeveri Shqipëria renditet si vendi më i korruptuar i Europës.
Prandaj të rinjtë largohen, pensionet indeksohen në mënyrë qesharake, arsimi është në krizë dhe shërbimet shëndetësore janë të papërballueshme për familjet shqiptare.

Çdo studim ndërkombëtar dëshmon se kjo qeveri nuk i shërben qytetarëve, por vetes dhe klientelës së saj.

Këto të dhëna alarmuese janë një thirrje për të lënë pas dështimet e kësaj qeverie dhe për të hapur një kapitull të ri për Shqipërinë në zgjedhjet e ardhshme.

Programi i Demokratëve Euroatlantikë parashikon ndërhyrje të shpejta dhe konkrete për të luftuar korrupsionin dhe siguruar qeverisjen e mirë, si:

✅ Themelimi i “Njësisë së Zbulimit dhe Rikuperimit të Pasurive të Vjedhura”, për të gjurmuar kudo pasuritë e vjedhura të shqiptarëve dhe për t’ia kthyer ato arkës publike;

✅ Shndërrimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që sot ka fuqi rekomanduese, në një Gjykatë të Kontrollit të Shtetit, me fuqi ekzekutive, vendimet e të cilit do të zbatohen menjëherë dhe pa asnjë pikëpyetje nga qeveria e ardhshme dhe nga çdo instancë e shtetit shqiptar;

✅ Mbështetje e plotë dhe e gjithanshme si dhe bashkëpunim me SPAK dhe GJKKO.

Duke luftuar korrupsionin, ne garantojmë më shumë investime, më shumë punësim, paga më të mira, pensione më të larta dhe shërbime cilësore për familjet shqiptare.

Shqipëria meriton më shumë.

Exit mobile version