Qeveria e Kosovës shprehu zhgënjimin e saj të thellë që Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare të bashkëpunimit policor, që lufton krimin transnacional. Për këtë dështim, qeveria e Kosovës fajin e hedh tek Serbia. Kryeministri Haradinaj thotë se “Serbia bëri fushatë të egër kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”.
Reagimet nga Kosova
“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik. Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti”, thotë në reagimin e parë kryeministri Ramush Haradinaj. Sipas tij, “gjatë gjithë kohës së përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, diplomacia e Serbisë ishte angazhuar në kundër-lobim për të penguar këtë anëtarësim”.
Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se mos-anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, është humbje edhe për Kosovën edhe për Serbinë. “Kjo gjë iu mohua padrejtësisht Kosovës por, në të njëjtën kohë duhet të arrijmë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë përndryshe do të humbasim të dy vendet duke e penguar njëra tjetrën në procese”, shkroi Presidenti Thaçi.
Fitore e madhe e Serbisë
Dështimin e Kosovës që të pranohet në INTERPOL, ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, e ka quajtur fitore të madhe të Serbisë. “Jam shumë krenar për këtë. Dua t’i falënderoj të gjitha ato shtete që së bashku me ne e kanë votuar këtë fitore dhe që i kanë përballur presionet e mëdha të vendeve të mëdha dhe të fuqishme, të cilat kanë votuar në favor të Kosovës”, citojnë mediet në Serbi Nebojsha Stefanoviq-in.
Ndërkohë, ambasada e SHBA-së në Prishtinë, shtet ky që ishte i angazhuar në lobimin për Kosovën për anëtarësim në INTERPOL, në një deklaratë për medie thotë se “Policia e Kosovës ka dëshmuar qartazi se ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore”. Prandaj sipas ambasadës së SHBA-së në Prishtinë “shumica e vendeve e kanë parë këtë sukses të policisë së Kosovës përkundër fushatës, të udhëhequr nga Serbia, për t’iu bërë presion vendeve për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës”.
Ambasada e SHBA: Të dy palët duhet t’i shpejtojnë përpjekjet për marrëveshjen
“Mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Interpol kurrë nuk ka qenë për pranimin e pavarësisë së Kosovës, por për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe për të mbyllur një boshllëk kritik të sigurisë në Ballkan. Me këtë rezultat, të gjithë humbasim”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane. Prandaj SHBA-së, thonë se do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mundësuar nga BE-ja.
“Tani më shumë se kurrë, të dy palët duhet t’i shpejtojnë përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje për normalizimin e plotë, që është mënyra e vetme për të dy vendet për të ecur përpara në rrugëtimin e tyre për anëtarësim në BE. Të dyja, Serbia dhe Kosova duhet ta kuptojnë se rrugëtimi i tyre drejt të ardhmes evropiane shkon përmes normalizimit”, thekson Ambasada e SHBA-së, duke u bërë thirrje të dyja vendeve “që t’i shmangin provokimet dhe të punojnë së bashku për arritjen e një ujdie”.
Sidoqoftë, kjo është hera e tretë që Kosova dështon të bëhet pjesë e INTERPOL-it. Kosova për herë të parë ka aplikuar për t’u bërë anëtare e INTERPOL-it në vitin 2010. E ka përsëritur kërkesën pesë vjet më vonë, në vitin 2015, ndërsa, tash është hera e tretë që Kosova dështon të bëhet pjesë e organizatës ndërkombëtare për bashkëpunim policorë. INTERPOL-i aktualisht numëron 192 shtete anëtare