BIRN: Qeveria finalizon kalimin e 2.1 ha tokë në favor të ‘investimit strategjik”

Vendimi parashikon “ndryshimin e destinacionit, nga kategoria e përdorimit të zërit kadastral “kullotë” në zërin kadastral “truall” dhe detyrimin e kompanisë që t’i paguajë bashkisë Himarë “vlerat përkatëse të produkteve kullosore” në sipërfaqen që do të përdoret për ndërtim.

Dhënia e kësaj sipërfaqje u miratua më herët në këshillin bashkiak të Himarës, i cili u mblodh në një ‘mbledhje të jashtëzakonshme’ në gusht, 8 ditë pas zgjedhjes së kryebashkiakut të ri socialist Vangjel Tavo. Anëtarët e opozitës nuk ishin të pranishëm në mbledhje dhe kundërshtuan tjetërsimin e sipërfaqes së tokës me pretendimet për paqartësi për pronësinë e saj dhe mungesën e dëgjesave publike.

VKM e qeverisë detyron institucionet shtetërore të zbatojnë këtë kalim të pronës publike në favor të investimit privat. Bashkisë Himarë i lihet detyrë ndryshimi i destinacionit të kësaj toke publike në regjistrin kadastral, çregjistrimin e saj nga kategoria “kullotë” të sipërfaqes kullosore publike dhe regjistrimin si “truall”, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Projekti “White Roads Hotel” u miratua si investim strategjik në vitin 2022, duke përfituar si masë mbështetëse edhe 9100 metra katrorë tokë shtet me qira 1 euro, pasi kjo pronë u hoq më herët nga fondi kullosor i zonës.

Por një vit më pas “White Roads Hotel” i kërkoi Komitetit të Investimeve Strategjike, KIS, një sipërfaqe shtesë prej 21 mijë e 900 metrash tokë shtet, duke e arsyetuar këtë me një kontratë me brandin ndërkombëtar Hyatt International LLC.

Në këtë vendimin, KIS miratoi edhe sipërfaqen shtesë dhe arsyetoi se ajo jepej “për të përmirësuar hapësirat dhe funksionalitetin e këtij projekti, në përputhje me standardet më të mira të brand-it”.

Në vendim bëhet me dije se projekti synonte një resort turistik multidimensional.

“Projekti parashikon ndërtimin e një hoteli me 190 dhoma, njësi për biznes & evente, sera me lule, ambiente sportive, hapësira për fëmijë, SPA, beach bar, kazino dhe njësi të tjera shërbimi”, thuhet në vendimin e KIS.

Sipas vendimit, aty parashikohet një investim prej më shumë se 21 milionë eurosh./reporter.al

Artikulli paraprakDeri kur do të jetë Serbia ‘tokë pjellore’ për propagandën ruse në Ballkan?
Artikulli tjetërSi të përdorni lëngun e patates për rritjen e flokëve, ja ç’duhet të dini