Qeveria jep me koncesion maturantët

Nga Dr. Albano Zhapaj

Maturantët që presin të hyjnë në universitet, po përballen këto ditë me makinën propagandistike të pushtetit, i cili ka vendosur t’i bindë që ata e kanë gabim dhe që pushteti ka të drejtë. Me të tatëpjetën që ka marrë menaxhimi i arsimit dhe i gjithë shtetit shqiptar në këto tre vjet, nuk do të çuditem aspak që qeveria ta fitojë këtë betejë dhe që maturantët të detyrohen të pranojnë vullnetin e pushtetit dhe të përfundojnë në kthetrat e universiteteve private.
Mashtrimi mediatik i këtyre ditëve, jam i bindur, po sjell mjaft të ardhura për media të shkruara dhe vizive, dhe për mjaft analistë dhe personazhe të tjerë publikë që imazhin dhe emrin publik që kanë e japin me qira në mbështetje të politikave të pushtetit. Është e dhembshme të mendosh se si një makinë e gjerë propagandistike është vënë në shërbim të pushtetit, duke i dhënë të drejtë qeverisë, dhe duke bërë që maturantët të ndjehen të zhvlerësuar dhe të pameritë për të kërkuar të drejtën e tyre, atë të studimit në një universitet shtetëror.
Filozofia duket se është e thjeshtë: duhet bindur edhe rinia se “jemi në drejtimin e duhur” me qëllim përvetësimin e së ardhmes së të rinjve. Por kjo filozofi mbart në vetvete një rrezik të madh social, mbasi humb besimin dhe shpresën tek të rinjtë. Mund të gënjesh një njeri që ka arritur një lumturi, dhe ai mund të të besojë në çdo gjë që i thua, pasi gënjeshtrat nuk ia ndryshojnë apo dëmtojnë edhe aq lumturinë. Mund të gënjesh edhe atë njeri, atë që gjendet në udhëkryqin e jetës, mes stresit dhe vështirësive të shpresës, por me një ndryshim nga i pari, pasojat në këtë rast janë të rrezikshme, pasi ai njeri në të ardhmen nuk do të besojë më as në ato që janë për t’u besuar.
Një pushtet që të ketë jetëgjatësi ka dy gjasa që të ndodhë: ose për mirëqeverisjen dhe zhvillimin e mirëqenies së një populli, ose nëpërmjet shtypjes dhe pasjes në dorë të fateve dhe së ardhmes së sovranit, duke mbajtur kësisoj popullin në errësirë, nën presionin e frikës, pasigurisë, larg dijes, larg vlerave dhe afër injorancës dhe fukarallëkut.
Me skemën e re të pranimeve në universitet nuk ka më asnjë pikë dyshimi se pushteti, pasi shiti apo dha me koncesion resurset më të rëndësishëm natyrore të vendit, pasi shkatërroi prona e biznese, pasi mbylli plot vende pune, pasi detyroi me qindra mijëra vetë të emigrojnë, pasi dha me koncesion shëndetin e popullit tek ca kompani private, mendoi edhe më të fundit, atë të dhënies me koncesion edhe të së ardhmes së të rinjve shqiptarë, arsimimit të tyre për pesë vitet e ardhshme tek privati.
Këtë koncesion do ta kishte zili edhe Ministria e Shëndetësisë, pasi të ardhurat këtu janë shumë herë më fitimprurëse dhe kostot janë minimale. Një vit studimesh sjell për person nga 2500 deri në 5000 euro në vit, varet nga lloji i universitetit privat, dhe nga “zemërgjerësia” e pushtetit që të akordon kuotat e pranimit dhe t`i sjell studentët tek dera e institucionit me detyrim. Po të llogarisim “krahun e lirë” të punës, një armatë të tërë pedagogësh të rinj, që doktorohen po pranë këtyre kompanive private, që për të pasuruar CV-në e tyre akademike pranojnë të punojnë edhe me një rrogë modeste, del se kostoja për student është më e ulët se sa kostoja për pacient e analizave të “check-up”-it të koncesionit të famshëm të shëndetit.
Qeveria krijoi një formular aplikimi për në universitet, duke futur me detyrim në të edhe aplikimin për në universitetet private, një proces ky sa i jashtëligjshëm aq edhe alogjik, me arsyen e vetme të përfitimit korruptiv nëpërmjet furnizimit me studentë të universiteteve private.
Ekzekutivi me këtë rast me një gurë vret disa zogj: do të mund të fusë në degë preferenciale fëmijë miqsh, shokësh e militantësh, me një të rënë të lapsit, do të grumbullojë ca para për fushatën e ardhme nga akreditimi i universiteteve private sepse iu ka shtuar “punën dhe përfitimin”, si dhe do të eliminojë zërat kundër të rinisë ekselente, pasi shumë maturantë ekselentë do t`i dhurohen privatit, dhe kjo ka për të ndodhur mbasi ata (maturantët) do të jenë lodhur së protestuari, pasi të jenë stresuar së prituri nga fazat e gjata të pranimeve dhe pasi të mos shohin më asnjë dritë jeshile në horizontin e tyre të shpresës.
Kjo periudhë e marrëzisë pushtetare të përfitimit të përkohshëm nga shitja e së ardhmes së të rinjve shqiptarë tek koncesionet private të arsimit, me siguri, do të mbahet mend si epoka e shoqërisë së errësirës në Shqipëri, pasi konvertoi në plaçkë tregu edukimin, arsimin dhe të ardhmen e rinisë së vendit.
Të verbuarit e pushtetit të arsimit, nuk do të ndalen për sa kohë edhe ata vetë nuk e dinë se ç`dëme po i sjellin kësaj shoqërie, edhe pse pjesa më e shëndoshë e akademikëve dhe intelektualëve, flasin, kritikojnë dhe sugjerojnë. Të verbrit, thoshte i madhi Faik Konica, do të mbeten të verbër “in sœcula sœculorum” (gjer në fund të botës), edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do të shohin kurrgjë.
Urojmë që këto ditë pjesa më e shëndoshë e politikës, gjithë akademikët e vendit, opozita, shoqëria civile dhe përfaqësitë e vendeve perëndimore mike, të mund të jenë përkrah të rinjve, për të mbrojtur interesat e tyre, për të trysnuar mbi ekzekutivin, në mënyrë që të mos shitet e ardhmja e tyre dhe të mos shuhet shpresa, ajo e ardhme dhe shpresë që e zbehur siç është, po na e largon përditë e më tepër integrimin në familjen e madhe evropiane.

Artikulli paraprakKërcënimi nga interneti
Artikulli tjetërRreziku për 15 mijë studentë