Qeveria ka dështuar në transparencën mbi funksionarët publikë

Ligji për të Drejtën e informimit detyron autoritetet publike që të publikojnë të dhëna mbi pagën, arsimimin dhe kualifikimin e funksionarëve. Por një vëzhgim i Faktoje në faqet zyrtare të ministrive, konstaton se Qeveria duket se ka dështuar në përmbushjen e këtij detyrimi. Vetë kryeministri Rama nuk ka asnjë të dhënë për kabinetin e tij. Tre ministra Shteti nuk kanë ende një faqe zyrtare

VJOLANDA PECA

“Çdo vendim qeverie, çdo vendim institucioni, çdo pjesë e dokumentacionit të çdo marrëveshje, të çdo marrëdhënie kontraktuale që nuk hyn në atë hapësirën e ngushtë të konfidencialitetit, duhet të jetë publike… Dhënia e informacionit nuk duhet të diskutohet, nuk ka vend për diskutim, duhet thjeshtë dhe vetëm të zbatohet’, deklaroi kryeministri Rama më 26 qershor të këtij viti, në fjalën e tij gjatë konferencës së gjashtë për të drejtën e informimit.

Në 2 shtator në paraqitjen e tij të parë në foltoren e parlamentit si kryetar i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi bëri të ditur se “Qeveria shqiptare po punon për të formuluar një ambicje te re sa i përket transparencës”.

Pak ditë më pas, në Asamblenë e Partisë socialiste, zoti Rama do të njoftonte se “do të bëhet publik së shpejti dhe do të shkojë deri në fund edhe projekti ynë i ri i Shqipërisë transparente, i cili do të shlyejë deri në fund borxhin që u kemi akoma qytetarëve tanë lidhur me sasinë dhe cilësinë e informacionit në kohë reale mbi vendimmarrjet tona në çdo nivel”.

Por ndërsa qeveria premton për ndërhyrje të reja që do të përmirësonin dukshëm transparencën e saj, vetë parashikimet e ligjeve ekzistuese jo gjithmonë vihen në jetë, ose ato, zbatohen sipas vullnetit apo dëshirës së çdo institucioni.

Ligji për të Drejtën e Informimit, në Nenin 7 “Kategoritë e informacionit që bëhet publik pa kërkesëparashikon ndër të tjera në pikën 1 se “autoritetet publike duhet të vënë në dispozicion të publikut në faqen e tyre në internet “të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë…”

Situata

Faktoje bëri një verifikim të faqeve zyrtare të Qeverisë dhe 11 ministrive dhe 6 ministrave të Shtetit, duke analizuar vetëm kabinetet. I pari i cili nuk ka asnjë të dhënë për stafin e ngushtë që e rrethon, që nga shefi i kabinetit e këshilltarët është kryeministri Rama. Në faqen e qeverisë, në zërin Kryeministri, shfaqet vetëm një biografi e tij, dhe asgjë tjetër. Ndërkohë që për Sekretarin e përgjithshëm, të dhënat ekzistojnë.

Ajo që i bashkon të gjitha institucionet është fakti, se përkundër detyrimit ligjor, nuk ka asnjë informacion mbi pagat e funksionarëve. Ndërsa për pjesën tjetër të të dhënave, vetëm 6 ministri (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë), (Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit), (Ministria e Financave), (Ministria e Drejtësisë), (Ministria e Shëndetësisë), (Ministria e Turizmit dhe Mjedisit), kanë të publikuara anëtarët e kabinetit të ministrit, emrin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të dhënat për arsimin e kualifikimet, të përfshira në curriculum vitae të tyre.

Për pjesën tjetër, mangësitë janë thuajse të njejta. Diku mungon tërësisht emri i Sekretarit të Përgjithshëm, diku tjetër mungojnë të dhënat për anëtarët e kabineteve, ose ato janë të pjesshme./faktoje.al

Artikulli paraprakRritja e tensioneve në Lindjen e Mesme rrit çmimet e naftës, shqetësime në tregjet globale të aksioneve
Artikulli tjetërBerisha i parashikueshëm, Qeveria Rama është kthyer në Parti-Shtet