Luçiano Boçi
Përballja me terrorizmin i çfarëdolloj ngjyre të jetë ai, mbetet një nga sfidat më kryesore dhe më të vështira që shoqëritë e lira dhe demokratike kanë sot, në përballjen e tyre për mbrojtjen e vlerave dhe rritjen e sigurisë për qytetarët e tyre. Vendi ynë ka qenë dhe është i angazhuar për të plotësuar të gjitha detyrimet dypalëshe dhe shumëpalëshe që lindin nga nënshkrimi i marrëveshjeve që parandalojnë dhe luftojnë terrorizmin. Marrëveshja në fjalë është një e tillë dhe sigurisht që meriton të përshëndetet dhe të miratohet. Por pyetja që ngrihet sot në opinionin publik shqiptar, por dhe më gjërë është se: A ka angazhim serioz real konkret të strukturave përgjegjëse shtetërore që merren me kontrollin e rrezikut terrorist, me parandalimin e luftimin e tij? A është vendi ynë një vend i sigurt? Një vend që parandalon goditjen e vet nga elementët terroristë dhe ndalon nisjen e sulmeve të tilla nga territori i tij? Nqs do nisemi nga numri dhe përmbajtja e marrëveshjeve, vërtet të mira, të gjithë ne do përgjigjeshim me mburrje ballkanike po. Por, nqs i referohemi realitetit konkret të masave të marra nga organet ligjzbatuese, të gatishmërisë së tyre, madje dhe profesionalizmit, atëherë përgjigja është një Jo e madhe. E kam fjalën këtu për ngjarjen e fundit të Rinasit dhe dështimin spektakolar të Policisë së Shtetit në fazën parandaluese, por dhe post kryerjes së grabitjes. Madje, jo thjesht një Jo e madhe. Është totalisht një, “Për të ardhur keq”, shumë e madhe. Atë ditë nuk u grabitën thjesht ca miliona euro, por u grabit dhe siguria e milionave njerëz. Një megaskandal i pangjarë. Është e tillë, sepse kjo qeverisje e ka falimentuar si shumë të tjera dhe sigurinë kombëtare dhe rendin dhe shtetin. I ka shqyer kufijtë aq sa sot në Shqipëri sipas shprehjes hyn e del, sa herë të dojë “derri e dosa”, trafikohet e ç’nuk trafikohet. Lufta ndaj terrorizmit nuk bëhet vetëm, duke dënuar me qindra vite burg disa individë e as me fjalë të mëdha e takime me ngjyra. Ajo është punë e përditshme, është gatishmëri e përgjegjshmëri. Grabitja e Rinasit në mes të ditës, në mes të një fushe të paanë, para hundës së policisë, hodhi poshtë çdo iluzion mbi sigurinë kombëtare. Rrëzoi dhe atë pak dinjitet që na ka ngelur faqe botës. Na nxorri para partnerëve tanë një shtet qesharak e butaforik. Një shtet që e rrëzon përtokë një pincë dhe një varre dhe dëshira e një bande për të marrë ca para. Një shtet, i cili nuk vjen aspak era shtet, siç përpiqeni ta paraqisni ju me madhështi, por sot e gjithë ditën qelbet shtet. Kutërbon shtet se forcën e tij të vetme e tregon me të pamundurit e të mjerët dhe jo me bandat dhe jo me terrorin. Më keq se kaq nuk mund të imagjinohet. Qeveria e kap lepurin me qerre është ajo fjala e mençur. Po cila qeveri se? Kjo që është ortak me lepujt? Apo kjo që qerret i përdor për të bërë rolin e lepurit? Shkërrmoqja e sigurisë së Rinasit na bindi që deri më tani, ne nuk ka na ka mbrojtur as policia dhe as shoqëria e sigurisë. Askush nuk e ka vënë ujin në zjarr nga këta. Policia në fakt, me thënë të drejtën, nuk ka kohë. Ajo është tërësisht e investuar dhe vrapon me valixhen e catcher-it në dorë për të përgjuar kundërshtarët politikë, biznesin dhe median. Ndërsa shoqëria vrapon të bëjë aksionerë njerëzit e kryeministrit. Për ironi të fatit, keqardhje që e shpreh, ne siç duket na kanë mbrojtur tre faktorë: Zoti, rastësia dhe terroristët dora vetë. Pas kësaj ka ngelur vetëm që kjo qeverisje t’i bëjë një letër të gjatë falenderimi, nga ato që kryeministri ja ka marrë dorën, për të fituar pikët e humbura në opinion, pse jo terroristëve. T’i falenderojë që nuk janë kujtuar për ne, megjithëse kërcënimi i tyre është aty pas dere. T’i falenderojë që nuk na zgjodhën ne për target, pasi këtu do ishte bërë nami dhe ngjarjet e Parisit, Brukselit dhe Stambollit do na dukeshin si “lojë çetash”. T’i falenderojë që nuk zgjodhën aeroportin tonë, për të nisur goditje fatale ndaj partnerëve tanë. Po në fund dhe një falenderim për grabitësit nuk ka pse e kursen. Ndërsa të parët i zbardhën faqen, këto të dytët i ruajtën nderin e humbur të paktën. Sepse ishin këta që zbuluan të vërtetën e dhimbshme të mosfuksionimit të shtetit, të vërtetën e këmbanave që kanë tre vite që bien. Në këtë formë do kishte rast të bëhej akoma më shumë lider global siç ëndërron. Ne në fakt sot kemi zgjedhur të flasim kështu jo për të nxirë, siç po aludoni ju. Jo. Po flasim me shqetësim për një të vërtetë tronditëse, një realitet ulëritës, i cili duhet të kishte shkaktuar një tërmet, ballët e të cilit duhet të kishin lëkundur dhe këtë parlament. Përkundër kësaj ju vazhdoni të bëni komedi, duke u shqyer me deklarata se cili e ka fajin TIA apo Policia, Ministria e Brendshme apo e Transporteve, grabitësit apo rojet e firmës. Po merreni me bishtin e dhelprës për të shmangur dëmin dhe të vërtetën. Habitem se si Policia kërkon të lajë duart kur pothuaj të gjitha dokumentat e bëjnë atë fajtore kryesore. Që ju t’ju dalë paksa gjumi dhe ta kuptoni që ne kemi përfunduar në një vend pa standarde, pa siguri, pa të ardhme, pa asgjë, por vetëm në një vend ku grabitet aeroporti. Po sjell këtë foto që në fakt është dhe simboli me i ri i policisë. Fotoja është shkrepur sipas atyre që ma dërguan në inbox, vetëm dy ditë para grabitjes dhe jam i prirur t’i besoj këtë. Në foto është një nga drejtuesit e një prej njësive policore të Komisariatit të Rinasit, që janë ngarkuar për mbikëqyrjen e aeroportit. Drejtuesin e ka zënë vapa dhe ja ka futur një dremitje, i disinteresuar për gjithçka ndodh rrotull. Dhe atë ditë policia gjumë po flinte. Po ku është përgjegjësia e këtyre që ja fusin gjumit?!! Këtë e tregon jo vetëm memorandumi midis TIA-s dhe Policisë ku qartazi përcaktohet roli angazhues kontrollues i Policisë së Shtetit, por e përcakton qartë dhe ligji për Policinë e Shtetit në nenet përkatëse të tij. Duke qenë se anëtarët e Komisionit të Sigurisë i janë referuar ose do t’i referohen, unë po sjell në vemendjen tuaj “Detyrat e plan vendosjes së Seksionit të Rendit dhe të Sigurisë” të Aeroportit, një lloj rregullore e detyrueshme për zbatim nga njësia, anëtari i së cilës ishte ai polici që ja kishte futur gjumit për shtatë palë qefe. Dhe ky dokument dëshmon qartë detyrat përkatëse!