Grabitja e dhunshme në qendër të Tiranës është një shenjë e sigurtë se krimi ka marrë pushtetin në këtë vend. Pak rëndësi ka nëse Emiljano Shullazi është në burg, pasi krimi ka emrin e Edi Ramës, fytyrën e Saimir Tahirit dhe uniformën e Policisë së Shtetit. Shqipëria është nën kontrollin e një korporate kriminale qeveritare, që nuk heziton ta tregojë forcën e vet në qendër të kryeqytetit, në një rrugë të Bulqizës, apo në një shteg mali në Tepelenë. Bandat janë marka e rilindjes që solli Edi Ramën në pushtet e përmes të cilëve Rama mendon se ka siguruar përjetësinë e karriges së tij.
Një qytetar i grabitur në hotelin kryesor dhe më të madh të Shqipërisë, në qendër të Tiranës, pak metra larg zyrës së kryeministrit është dëshmia e forcës që kanë bandat sot në Shqipëri. I kemi parë të grabisin bankat, makinat e parave të bankave, qendrat e bizneseve, por të grabisin edhe kursimet dhe fondet e një qytetari të thjeshtë, tregon se krimi po na futet brenda në portofol. Po shkon deri tek qytetari, deri aty ku Rama mund ta fshehë nga rekordet dhe raportet e policisë. Por kur banda mbërrin tek xhepi i qytetarit, ndërsa krimi ka tejkaluar çdo limit, qytetari ka fituar të drejtën të mbrohet me çdo çmim.
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kanë trimëruar krimin në Shqipëri. Jo thjesht për adhurimin, bashkëpunimin dhe përfitimin që sigurojnë nga aktivitetet kriminale dhe kriminelët që lëvrijnë në Shqipëri më shumë se zogjtë, por edhe për mbrojtjen institucionale që kanë krijuar dhe sigurojnë për kapobandat e këtij krimi. Rasti i Shullazit është ulëritës kur mëson se kryeministri, ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e lartë të policisë janë në krye të një operacioni për të tmerruar dëshmitarët që të mos dëshmojnë mbi vrasjet, gjobat dhe grabitjet e bandës më të rrezikshme që ka parë vendi.
Ndaj krimi nuk e sheh policinë, ministrin dhe kryeministrin problem dhe guxon të grabisë në qendër të Tiranës, të vendosë tritol në makina, shtëpi dhe biznese, të vrasë, të mbjellë dhe të trafikojë drogë brenda dhe jashtë vendit. I vetmi problem për bandat dhe qeverinë është bërë opozita, është bërë Sali Berisha, Lulzim Basha dhe qytetarët e thjeshtë që kundërshtojnë dhe tentojnë t’i bëjnë rezistencë krimit të organizuar në Shqipëri. Iniciativa ligjvënëse e Berishës dhe opozitës për t’i lejuar qytetarëve që të ndalin me armë të ligjshme furinë e bandave është diçka që nuk mund të kalojë në heshtje, apo me një dënim banditesk të Parlamentit të kontrolluar nga krimi.
Mbase qytetarët nuk do të lejohen të armatosen individualisht dhe ligjërisht nga kjo qeveri dhe koalicioni i qelbësirave, por ky popull ka ditur t’i dalë zot vehtes edhe kur ka qenë i pushtuar, edhe kur ka qenë i sunduar. Në të dyja rastet armët e tyre kanë marrë përpara edhe bandat edhe qeveritë që kanë qëndruar pas tyre. Mjerë Rama që ka zgjedhur vetëgjyqësinë e popullit për regjimin e tij. Fund i dhimbshëm, por edhe i shpejtë.