Policia e Shtetit ka pasur përherë informatorë që njoftonin vullnetarisht në numrat e kontaktit të sallës operative, apo me letra të dërguara, por gjithashtu edhe rrjete spiunësh të miratuar që paguheshin për informacion, përmes inspektorëve të zonave dhe shpërblimeve të tjera. Ndërsa më 28 maj 2025, me vendim qeverie nr. 296, kryeministri Edi Rama i ka akorduar zyrtarisht Policisë së Shtetit një fond të veçantë për shpërblimin financiar të informatorëve (spiunëve), duke përcaktuar qartë rregullat, kriteret dhe funksionarët që kanë të drejtë t’i miratojnë dhe shpërndajnë këto pagesa.
Me këtë fond të veçantë, Babloku synon të krijojë një rrjet më të strukturuar dhe më efektiv spiunësh, duke përqendruar rekrutimin dhe menaxhimin sekret të tyre vetëm në disa nivele drejtuese në qendër, komisariate dhe drejtoritë rajonale.
Këta janë funksionarët policorë që kanë kompetencë të shpërndajnë pagesa për informatorët:
· Shefat e komisariateve mund të akordojnë pagesa deri në 100 mijë lekë të reja për spiunët.
· Zëvendësdrejtorët për Hetimin e Krimeve dhe ata për Sigurinë Publike në drejtoritë e qarqeve kanë të drejtë të japin deri në 200 mijë lekë.
· Drejtorët e qarqeve, drejtorët e sektorëve të hetimit të krimeve, drejtuesit dhe zëvendësdrejtorët e Anti-Terrorit në qendër mund të akordojnë deri në 500 mijë lekë secili.
· Drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimeve ka të drejtë të akordojë deri në 1 milionë lekë.
· Drejtorët e Departamenteve për Krimin, Sigurinë Publike dhe Anti-Terrorit kanë të drejtë të shpërndajnë nga 5 milionë lekë secili.
· Vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kompetencë të japë mbi 5 milionë lekë në raste të veçanta për spiunë të klasifikuar si “special”, kur informacioni i tyre çon në ndalime të grupeve me rrezikshmëri të lartë.
Fondi i përgjithshëm për spiunët është i barabartë me 1% të buxhetit vjetor të Policisë së Shtetit, që aktualisht përllogaritet në rreth 2.5 milionë euro në vit. Ky fond do të përfshihet në çdo buxhet vjetor dhe do të alokohet nga fondi rezervë i shtetit.
Për të përfituar pagesën, informacionet e dorëzuara nga spiunët duhet të rezultojnë në nisjen e procedimeve penale dhe ngritjen e akuzave që mbështeten nga provat. Nëse numri i informacioneve dhe cilësia e tyre rritet, atëherë fondi do të shtohet me 100 mijë euro të tjera mbi bazën vjetore.
Për çdo pagesë, plotësohet një formular ku shënohet kodi identifikues i spiunëve (jo emri), vlera e shpërblimit, arsyeja dhe numri i dosjes përkatëse. Në rastet kur vlera e shpërblimit është deri në 30 mijë lekë, mandat-pagesa nënshkruhet nga vetë informatori dhe specialisti i policisë që ka marrë informacionin. Dosjet për çdo informator klasifikohen “Tepër Sekret” dhe ruhen për një periudhë 30-vjeçare.