Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka reaguar në lidhje me ligjin për banesat sociale që pritet të miratohet në Kuvend, nga i cili përfitojnë edhe persona të komunitetit LGBT.
Bylykbashi shkruan në rrjetet sociale se Rama dhe Veliaj, si dhe shpura e mjaftinëve dhe persekutorëve të komunizmit kanë lënë jashtë këtij ligji ato kategori që shteti u ka bërë padrejtësi: të përndjekurit politikë dhe pronarët e banesave hallexhinj.
Komenti i Oerd Bylykbashit
Parlamenti po miraton ligjin për banesat sociale. Rama, Veliaj e shpura e mjaftinëve dhe persekutorëve të komunizmit në Parlament nuk kanë harruar të fusin si përfitues personat nga komuniteti LGBT apo ata që për 70 vjet banuan në banesat e pronarëve kur pronarët ishin përplasur kolibeve. Por kanë përjashtuar kategori që shteti u ka bërë vërtet padrejtësi:
1- të përndjekurit politikë që ende sot rropaten pa banesa dhe në pritje të pikatores së kësteve të dëmshpërblimit që ua heq edhe atë dinjitet që fituan me lirinë!
Askush nuk ua rikthen jetët e humbura të familjarëve apo vitet e rinisë në burgje e kampe, por dinjitetin e kemi detyrim kushtetues t’ua garantojmë e t’u kërkohet falje!
2- pronarët e banesave hallexhinj që u janë prishur e do t’u prishen banesat në pronësi të tyre për interes publik, por nuk kanë tjetër banesë ku të fusin më kokën.
Si ata hallexhinj tek Unaza e Madhe, Bulevardi i Ri, në Shkozë apo Rruga Transballkanike, të cilëve ua prishën shtëpitë, i lanë në rrugë të madhe, sepse lekët që u dhanë vlejnë sa për një dhomë. E drejta e banesës është e drejtë themelore kushtetuese dhe nëse shteti ta prish shtëpinë duhet patjetër të të sigurojë banesë të përshtatshme.
Gjithashtu, e drejta e pronës e pronarëve që japin në zhvillim pronën nuk duhet të cenohet nëse leja jepet mbi bazën e një plani të miratuar më parë. Atë të drejtë zhvillimi e kanë fituar kur është miratuar plani, leja e zhvillimit të pronës është pritshmëri e ligjshme dhe nuk mund të cenohet vetëm pse Bashkia paska të drejtën e lejes.
Të drejtat e pronarëve dhe të të përndjekurve duhen mbrojtur me prioritet!