Qeveria mashtroi banorët e Zharrëzës, “Bankers” nuk i dëmshpërblen

Banorët e Zharrëzës vazhdojnë të sorollaten pa marrë dëmshpërblimin për shtëpitë e shkatërruara nga lëkundjet e tokës në këtë zonë. Kompania “Bankers Petrolium” ka refuzuar të zbatojë vendimin e qeverisë që e detyron atë të paguajë 900 mijë dollarë për dëmshpërblimin e banesave të shkatërruara gjatë operacioneve të nxjerrjes së naftës në zonën Patos-Marinzë.
Banorët e fshatit Zharrëz kanë jetuar prej vitit 2008 në kalvarin e pasigurisë për shkak të lëkundjeve thuajse të përnatshme të tokës, që u kanë dëmtuar shtëpitë. Banorët kanë akuzuar kompaninë e naftës “Bankers Petroleum” dhe praktikën e ndjekur prej saj të injektimit në tokë të ujit teknologjik, si shkaktar të tërmeteve dhe shkatërrimit të shtëpive të tyre. Por “Bankers” nuk e ka pranuar asnjëherë se shkaku i tërmeteve janë operacionet e saj.
Kulmi i protestës ishte në shkurt të një viti, kur greva e fundit e urisë së banorëve zgjati rreth dy javë. Më pas, në fund të shkurtit, në kulmin e krizës politike në vend dhe kur vetë opozita ishte ngujuar në çadër në bulevard, banorët e Zharrëzës ndërrmorën një marshim të heshtur në këmbë deri në Tiranë, ku u ngujuan përpara Ministrisë së Energjetikës, duke sensibilizuar opinionin publik.
Një protestë që ata nuk deshën kurrë të politizohej. Kjo formë e veçantë proteste u mbyll vetëm pasi qeveria, e gjendur në mes të presionit publik, premtoi të dëmshpërblente 100 për qind dëmet e shkaktuara në shtëpitë e banorëve. Vendimi i datës 1 mars përmbante afate të qarta për përmbushjen e tij. Debati u zhvendos në Parlament, ku Ben Blushi akuzoi qeverinë se mbrojti kompaninë.
Pas verifikimit të dëmeve në terren, muajin e kaluar qeveria miratoi vendimin përfundimtar për dëmshpërblimin e banorëve.
Sipas këtij vendimi, fondi për dëmshpërblimin e familjeve u caktua 1.5 milionë dollarë, nga të cilat 900 mijë dollarë iu ngarkuan “Bankers”-it, ndërsa 600 mijë të tjera u morën përsipër nga buxheti i shtetit. Vetë qeveria i ka kaluar fondet e saj me vendim në buxhetin e Bashkisë së Patosit, e cila duhet të bënte edhe dëmshpërblimin për pjesën e shtetit.
Por sot “Bankers” refuzon të paguajë pjesën e vet. Përmes një përgjigje zyrtare “Bankers” thotë se ka rënë dakord me Ministrinë e Energjisë për pajtimin e një eksperti të pavarur, i cili do të përcaktojë shkaqet e tërmeteve në zonën e Zharrëzës.

Exit mobile version