Një valë prokurimesh për ndërtim rrugësh të reja u hap në mes të tetorit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Janë projekte me fonde limit qindra milionë lekë apo edhe mbi 1 miliard por që duket nuk do arrijnë të finalizohen. ARRSH me nxitimin që pati për t’i shpallur ka pezulluar disa prej tyre, pa dhënë arsye publike.
Referuar të dhënave të sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik e para procedurë e pezulluar është ajo për “Ndërtim Rruga mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse të tij”, me një fond limit rreth 1.5 miliardë lekë ndërkohë që është pezulluar edhe procedura tjetër e lidhur me këtë tender që është ajo e mbikëqyrjes. Me një fond limit 11.6 milionë lekë procedura me objekt “Supervizion punimesh, Ndërtim rruga mbikalimi Teg dhe rrugët lidhëse te tij” e çelur në 15 tetor është pezulluar.
E pezulluar rezulton edhe procedura tjetër e çelur në datë 15 tetor dhe që ka në objekt “Ndërtim i rrugës. lidhja e Autostradës Milot – Morine me Aeroportin e Kukësit” me një fond limit rreth 600 milionë lekë.
Në listën e tenderave të pezulluar është edhe ajo me objekt “Supervizion Punimesh Ndërtim rruga Korçë- Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”. Pezullimi i saj vjen në një kohë kur në fakt procedura tjetër e lidhur me të që është ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë Loti 2 (pjesa e parë) me një fond limit rreth 2.4 miliardë lekë dhe fituat nga kompania ANK me një ofertë 2.35 miliardë lekë ka përfunduar hallkat e saj dhe duhet të nisë zbatimin. Zbatimi i kontratës nuk mund të bëhet pa pasur të përfunduar edhe pjesën e mbikëqyrjes që aktualisht mbetet e pezulluar.
E vetmja që në sistem vazhdon të jetë aktive nga tenderët e fundit me vlerë të madhe të shpallur në tetor është ajo për rrugën Palasë-Dhërmi me një fond limit 1.6 miliardë lekë. Kjo procedurë u shpall në 22 tetor 2020.
Pezullimi i një pjese të procedurave të prokurimit të shpallura në datë 15 tetor apo më pas mund të lidhet me disiplinimin që është kërkuar më herët në një vendim të qeverisë për angazhimet buxhetore ku thuhet se pas datës 15 tetor të çdo viti buxhetor, njësitë e qeverisjes së përgjithshme nuk mund të publikojnë njoftimin për prokurimin e mallrave/punëve/shërbimeve, të cilat nuk janë përfshirë në regjistrin e prokurimeve publike, deri në këtë datë.
Pas datës 15 tetor, sipas këtij vendimi procedurat e prokurimeve publike, të parashikuara në regjistrin e prokurimeve publike, mund të fillojnë/vazhdojnë vetëm për ato projekte që janë pjesë e buxhetit tre-vjeçar, të miratuar për njësinë përkatëse të qeverisjes së përgjithshme. Lidhja e kontratës në këtë rast bëhet vetëm pasi fondi të jetë vënë në dispozicion në llogarinë e autoritetit kontraktor, në buxhetin e tij, të miratuar për vitin buxhetor pasardhës.
Për 9 mujorin 2020, të ardhurat në buxhet shënuan një rënie prej 10.5% në krahasim me faktin e 2019-s, në krahasim me -3% që ishte pritshmëria në buxhetin e rishikuar. Si rrjedhojë e performancës më të ulët të të ardhurave, financat u detyruar të shpenzojnë më pak sesa parashikohej, në mënyrë që të mbajnë nën kontroll parametrat e deficitit. Si rrjedhojë, shpenzimet në total ishin ishin gati 8% më të ulëta se plani dhe ato kapitale gati 9% më pak se plani përkatës, ose 4.5 miliardë lekë më pak.
Hapja e disa kantiereve në projekte të ndryshëm të përkufizojë edhe vitin elektoral 2021 sa i takon shpenzimeve kapitale të cilat janë parashikuar mbi 120 miliardë lekë apo rreth 1 miliard euro. Vlera e konsiderueshme e tyre lidhet me procesin e rindërtimit pasi edhe fondi për të është përfshirë në zërin e shpenzimeve kapitale.
Pavarësisht kësaj edhe zhveshur nga efekti i rindërtimit shpenzimet kapitale mbeten relativisht të larta duke sjellë një risk potencial për mosrealizim të tyre po të kemi parasysh që ecuria e ekonomisë do të kufizohet nga situata e krijuar nga COVID-19 dhe ku mosrealizimi i të ardhurave është risk i mundshëm.
Edhe buxheti 2021 mbetet pesimist në kahun e të ardhurave, që parashikohen të arrijnë në një nivel rekord prej 28.5% të prodhimit të Brendshëm Bruto, çka në kahun tjetër mundëson planifikimin e më shumë shpenzimeve. Ekspertët kanë paralajmëruar shpesh për rrezikun e kësaj sjelljeje, pasi po merren angazhime përtej aftësive reale paguese të buxhetit, duke çuar në rritjen e detyrimeve të prapambetura dhe të borxhit të fshehtë.