Qeveria mbyll “pazarin” për plehrat e Durrësit

Qeveria Shqiptare i ka dhënë dritën jeshile e projektit që mund të konsiderohet edhe si pazari financiar për përpunimin e mbetjeve të Durrësit në landfillin e Sharrës, i cili menaxhohet nga kompania koncensionare “Integrated Energy BV”.

Nga informacionet e SYRI TV dhe Syri.net, Bllako, i cili pritet të marrë mandatin e deputetit socialist në shtator të këtij viti është një prej emrave të kallëzuar penalisht pranë prokurorisë SPAK, si i dyshuar për favorizimin e kompanisë “Integrated Energy BV” lidhur me kontratat kocensionare të impianteve të përpunimit të mbetjeve.

Kallëzimi dhe hetimi penal i nisur nga prokurorët specialë nuk e ka stepur aspak Bllakon, që të vijojë të propozojë zgjidhje në favor të kompanisë së menaxhuar në fillim nga Klodian Zoto.

Këshilli Bashkiak i Durrësit e shndërroi në vendim atë opinion të Alqi Bllakos dhe ngarkoi kryetaren në detyrë të Bashkisë, Emirjona Sako, që të diskutoj me qeverinë për mbështetjen financiare të projektit të miratuar, pra “variantit Zoto”.

Ndërkohë, Bashkia e Durrësit u detyrua të tërhiqet nga një tender me vlerë 40 milionë lekë të vjetra, i shpallur në prill të këtij viti, i cili synonte hartimin e një studimi fizibiliteti për menaxhimin e mbetjeve në një prej zonave potenciale të qytetit për t’u shndërruar në landfill.

Në një vendim të Këshillit Bashkiak, që mban datën 28 Qershor 2021, u vendos që fondi i parashikuar për këtë studim fizibiliteti, në shumën 50 milionë lekë të vjetra, të alokohej për projekte të tjera të bashkisë.

Pas një përpjekje dy-vjeçare, e cila shkaktoi kaos dhe problematika të theksuara me menaxhimin e mbetjeve të Durrësit, qeveria arriti të finalizojë “pazarin” për dorëzimin e plehrave të qytetit pranë landfillit të Sharrës.

Durrësi prej mëse dy vitesh është në emergjencë mjedisore, pasi kabineti i Edi Ramës vendosi të mbyllë landfillin e Porto Romanos, pa u gjetur një zgjidhje për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane të qytetit.

Më pas, në pranverën e këtij viti, qeveria refuzoi në heshtje një propozim të Bashkisë së Durrësit për të ndërtuar një landfill të ri në territorin e qytetit.

Dhe, në fund, Bashkia e Durrësit u detyrua të pranojë variantin e paraqitur nga Agjencia Kombëtare e Mbetjeve, e cila detyron qytetin bregdetar të dorëzojë mbetjet në landfillin e Sharrës, në Tiranë, një projekt që përllogaritet rreth 50 milionë euro për 10 vitet e ardhshme.

Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Erion Braçes, ka miratuar këtë të Enjte, vendimin për të mbështetur financiarisht Bashkinë e Durrësit për menaxhimin e mbetjeve urbane.

Megjithëse qeveria është kujdesur të mos e përmend nominalisht kompanitë e drejtuar fillimisht nga menaxheri Klodian Zoto, të gjithë të dhënat të orientojnë drejt saj.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 438, datë 15 korrik 2021, thuhet se bashkitë e qarkut të Durrësit duhet të marrin masa të menjëhershme për të gjetur zgjidhje dhe, në rast se nuk kanë fonde të mjaftueshme, t’i drejtohen Ministrisë së Financave për mbështetje financiare.

Por, megjithëse në vendim e qeverisë flitet për plane e strategji që mund të hartohen në të ardhmen, në fakt Bashkia e Durrësit e ka miratuar variantin e saj dhe ia ka dorëzuar qeverisë që në mesin e qershorit 2021.

Pra, duket se gjithçka është e zgjidhur, pavarësisht se vendimi i nënshkruar nga Braçe rreket të krijojë përshtypjen se nuk ekziston një plan paraprak.

Në 10 qershor 2021, Këshilli Bashkiak i Durrësit shqyrtoi tre variante për menaxhimin e mbetjeve dhe arriti në përfundimin që të mbështeste dërgimin e plehrave të qytetit në landfillin e “Integrated Energy BV”.

Këshilli Bashkiak, më herët, kishte marrë një “Opinion” nga Agjencia e Mbetjeve, e drejtuar ende nga Alqi Bllako, në të cilin sugjerohej pikërisht “varianti Zoto”.

Exit mobile version