Qeveria merr 22 mln euro borxh 15 vjeçar me interes 6.98%

Interesat e letrave me vlerë vazhdojnë të bien me ritme të shpejta, jo vetëm për instrumentat afatshkurtër, por edhe borxhin afatgjatë. Ministria e Financave mori 2.18 miliardë lekë ose 21.8 milionë euro borxh me afat shlyerje 15 vjet kundrejt një norme interesi prej 6.98 për qind.

Obligacionet u shitën këtë të premte, në një ankand ku shuma e ofruar e borxhit nga bankat, institucionet e tjera dhe individët ishte gati 40 për qind më e lartë se kërkesa e qeverisë.

Banka Qendrore deklaroi se obligacionet e emetuara këtë të premte maturohen në 27 gusht të vitit 2039. Por qeveria shqiptare do të paguajë ccdo 6 muaj interes prej 3.49 për qind për mbajtësit e tyre.

Hera e fundit që qeveria shqiptare mori borxh përmes emetimit të obligacioneve 15 vjecare ishte në maj të këtij viti. Në atë ankand qeveria kontraktoi 1.7 miliardë lekë ose 17 milionë euro borxh me normë vjetore interesi 7.45 për qind ose gati 0.5 pikë për qindje më shtrenjtë se në ankandin e fundit.

Rënia e normave të interesit për letrat me vlerë të qeverisë sinjalizon oreks të madh të tregut për të dhënë borxh si dhe faktorizon pritje për inflacion të ulët nga agjentët ekonomik.

Artikulli paraprakProtestat e opozitës/ Ben Andoni: Më shumë po luftohet për të zënë një vend në parlament. Berisha-Meta, jo miqësi të vërtetë
Artikulli tjetërInvestigimi i BIRN: “Kurum” fshihet pas ‘mbetjeve të rrezikshme’ të eksportuara nga porti i Durrësit