Pas premtimit në nëntor 2016 se paga minimale do të rritet nga 22 mijë në 37 mijë lekë, pra një rritje prej 36 për qind, Kryeministri Rama dhe Këshilli i Ministrave vendosën më 3 maj të rrisin pagën në 24 mijë lekë në muaj, një rritje prej 9 për qindësh në katër vite. Kjo rritje është pak më e lartë se norma kumulative e inflacionit gjatë së njëjtës periudhë. Paga minimale në Shqipëri është një ndër më të ultat në Evropë. Vetëm shtetet ish-sovjetike kanë paga minimale më të ulëta. Pavarësisht nga vetemërtimi si një qeveri e krahut të majtë, rritja e pagës minimale të miratuar javën e kaluar është më e ulëta në vitet e fundit. Paga minimale mujore gjatë dekadës së fundit, është rritur me një mesatare prej 1 mijë lekë në vit, në total në katër vite 4 mijë lekë. Rritja e miratuar nga kryeministri Rama është vetëm gjysma e asaj, pra 2 mijë lekë gjatë një periudhe katërvjeçare.