Qeveria ndëshkon edhe fëmijët diabetikë

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar anulimin e fondit shtesë në buxhetin e vitit 2017 për rimbursimin e fishave për matjen e glicemisë për kategorinë e fëmijëve dhe të rinjve me diabet. Ka qenë një prind që i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit në adresë të tij në Facebook. Qytetari i ka shkruajtur Berishës për anulimin e këtij fondi, e quan këtë akt një “tallje të paskrupullt” të qeverisë. Berisha shkruan se, “radha e ndëshkimit nga Edvini u erdhi edhe fëmijëve diabetik”.
Prindi dixhital denoncon ndëshkimin e fëmijëve diabetikë, duke hequr rimbursimin për fishat që duhen për monitorimin e sheqerit në gjak. Një fëmijë me diabet ka nevojë, thotë prindi për 6 fisha në ditë apo për 300 lekë të reja. Kështu, pas zhdukjes së ilaçit për fëmijët që ndërpresin përdorimin e drogës, tani qeveria ndëshkon edhe fëmijët diabetikë! Turp!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e prindit.
“Përshëndetje zoti Berisha. Jam një prind i një fëmije diabetik nga Berati. Para disa muajsh qeveria akordoi një fond shtesë në buxhetin e vitit 2017 për rimbursimin e fishave për matjen e glicemisë në gjak për kategorinë e fëmijëve dhe të rinjve me diabet. Diabeti është sëmundje shumë e rëndë me komplikacione të shumta në shumë organe nqs nuk monitorohet vazhdimisht sheqeri gjatë ditës. Duhen minimalisht 6 fisha në ditë me kosto 300 lekë të reja. Duke menduar që kjo sëmundje ka prekur pjesën më të varfër të shoqërisë shqiptare, të papunë, familje pa përkrahje etj., ky vendim i qeverisë ishte burim jete për gjithë këto familje. Por, para 2 javësh mësojmë se ky fond është anulluar nga qeveria.
Nuk gjej dot fjalët më të rënda për të shprehur indinjatën, zemërimin, shpërthimin që ndjejmë nga kjo tallje e paskrupullt e qeverisë me ndjenjat më humane të prindërve që shpesh lenë bukën vetë pa ngrënë për të blerë fishat e matjes. Më mirë mos ta kishin bërë këtë premtim. Nga ana ekonomike kosto fillestare e rimbursimit të fishave, sipas shumë studimeve është tepër e ulët në krahasim me kostot spitalore që do të ketë shteti për trajtimin e gjithë komplikacioneve te sytë, veshkat, sistemi nervor, kardiovaskular, prerje gishtash etj., etj. që vijnë si pasojë e mosmatjes së rregullt të glicemisë. Shteti i rilindjes nuk tregohet kaq dorështrënguar kur zhduk lekë në “vrimat e zeza” të check-up-it, sterilizimit, laboratorëve etj. Ju lutemi na ndihmoni, duke e ngritur këtë problem aty ku mundeni. Ju falenderojmë me gjithë zemër. Shëndet në familjen tuaj”, shkruan prindi i fëmijës që vuan nga diabeti.

Exit mobile version