Qeveria nën sulmin amerikan, Lu e Crawford shigjetojnë qeverinë

Dy deklarata të forta të drejtuesve të institucioneve diplomatike dhe tregtare kanë shigjetuar qeverinë Rama. E para, është një deklaratë e fortë e ambasadorit amerikan, i cili për herë të parë deklaron publikisht se drejtues të vendit kanë trafikuar vajza dhe deklarata tjetër vjen nga drejtuesi i Dhomës amerikane të Tregtisë, Crawford,i cili thotë se niveli i taksave të qeverisë për biznesin është më ilarti në rajon dhe arrin deri në 40%.
A janë deklarata të tilla të pakoordinuara? Kjo nuk ka aspak rëndësi. Deklarata të tilla nuk mund të jenë të rastësishme. Vetëm tre ditë më parë, ambasadori amerikan ishte prezent në raportin e fundit të publikuar nga Dhoma amerikane e Tregtisë, ku ka pasur edhe zhvillime të tjera. Ambasadori Lu ka kërkuar nga bizneset amerikane të ngrenë zërin për të drejtat e tyre dhe të mos lëshojnë pe.

Arrestoni dhe dënoni drejtuesit e vendit që trafikojnë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, ka lëshuar një deklaratë të fortë gjatë një takimi, ku ka folur për trafikantët e qenieve njerëzore. Donald Lu tha se, ndjen neveri që disa drejtues të votuar të vendit tonë, të cilët kanë shitur vajza të pafajshme në skllavëri.
“Ndiej neveri që disa prej drejtuesve të votuar të këtij vendi, ma merr mendja edhe nga vende të tjera nga rajoni, kanë qenë burrat që i shitën këto vajza të pafajshme në skllavëri. Ata duhet të arrestohen dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit”, u shpreh Lu.
Në konferencën e mbajtur kundër trafikimit të qenieve njerëzore, gjithashtu Donald Lu i ka bërë një thirrje të fortë qeverisë shqiptare lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore.

Crawfrod: Taksat më të larta në rajon
Biznesi ankohet se barra reale e taksave në Shqipëri është dy herë më e rëndë sesa thuhet zyrtarisht nga qeveria. Presidenti i Dhomës amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, thotë se dhjetëra taksa dhe tarifa që shtohen vit pas viti e kanë bërë barrën fiskale të papërballueshme.
“Nëse shikon në letër 15 për qind, nuk duket një normë shumë e lartë krahasuar me botën. Por, janë 30 taksa dhe tarifa të tjera të vogla, të cilat e çojnë barrën e taksave 20-30 për qind, e ndoshta deri në 40 për qind të fitimit, ose të të ardhurave personale”, thotë Crawford.
Sipas tij, taksat e larta janë prej vitesh pengesa kryesore e biznesit në Shqipëri. Madje, ai thotë se politika fiskale shpesh është kaotike.
“Është e pamundur që një kompani të ndërtojë hotel me 5 yje, kur nga një anë hiqen taksat, por nga ana tjetër shtohet një taksë në rrugë për turistët nga Kosova që vijnë këtu”, thotë presidenti i Dhomës amerikane të Tregtisë.

Por taksat e larta nuk janë problemi i vetëm që vuan sipërmarrja. Crawford thotë se, ndryshe nga vendet e rajonit, në Shqipëri politika e taksave nuk ka qëndrueshmëri.
“Nëse ne e ndryshojmë paketën fiskale vit për vit dhe gjatë vitit shtojmë tarifat, është shumë e vështirë për një kompani të huaj të planifikojë. Ata kanë aksionerët e tyre, burimet e tyre dhe pritshmëritë e tyre nga jashtë”, shprehet Crawford.
Sipas kreut të Dhomës amerikane të Tregtisë, klima e paqartë dhe taksat e larta kanë dekurajuar shumë investitorë të huaj të vijnë në Shqipëri.
“Unë nuk jam shumë i shqetësuar për ata që janë këtu, madje duhet të kujdesem për ata që janë këtu, sepse janë publicitet më i mirë, ose më i keq, për të tjerët që mund të vijnë. Por jam i shqetësuar për ata që mund të kishin ardhur dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Nuk jemi në nivelin që mund të jemi rehat me këtë situatë siç është aktualisht”, përfundoi Crawford intervistën për “Top Channel”.

Artikulli paraprakDrejtori denoncon ministrin: Po fsheh korrupsionin me gjuetinë e shtrigave
Artikulli tjetërFaqja e pare