Qeveria nuk është seksere pronash!

Në vend që të kthehet në një seksere pronash, qeveria duhet të luajë rolin e saj për të nxitur ekonominë dhe investimet vendase e të huaja, nëpërmjet krijimit të një ambienti të përshtatshëm për të bërë biznes.

 

Editorial / Shqipëria arriti vitin e kaluar rekordin e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në vend, në nivelin e 1.5 miliardë eurove.

Frika se me mbarimin e projekteve të mëdha, si gazsjellësi TAP apo HEC-et mbi lumin Devoll, do të binin prurjet nga investitorët jashtë rezultoi në dukje e pabazë, teksa ato u zëvendësuan nga sektorë të tjerë.

Por, një vështrim më i detajuar mbi aktivitetet që po gjenerojnë investimet sot është pak zhgënjyes.

22% e flukseve të reja vijnë nga pasuritë e paluajtshme, që janë blerjet e të huajve kryesisht në bregdet, që realisht përveç valutës që hyn në fillim, nuk sjellin ndonjë vlerë të shtuar për ekonominë e vendit.

18% janë në industrinë nxjerrëse, që vijnë nga hapja e puseve të reja, apo kërkimet për naftë në Shpirag. Edhe këto investime pak sjellin në vend, teksa naftë-nxjerrësi kryesor ende vijon të deklarojë humbje dhe kërkimet për naftë nuk po çojnë gjëkundi.

16% janë në fushën financiare, në pjesën më të madhe janë rritje kapitale, si rrjedhojë e kërkesave rregullatore.

Përtej shifrave, që përveçse mund t’i shërbejnë qeverisë për propagandën e saj të zakonshme, por që realisht nuk frymëzojnë aspak, tërheqja e IHD-ve që sjellin vlerë të shtuar të lartë dhe njohuri është e domosdoshme.

Në të kundërt, qeveria sërish po gjen rrugën më të shpejtë, për të mos thënë atë që i intereson më shumë asaj.

Një tender i hapur së fundmi parashikon që shteti të heqë dorë nga disa prona të rëndësishme publike për t’i lënë vend zhvillimit të kullave, në këmbim të zyrave të administratës.

Qeveria do t’i lejojë privatit që në tokën e saj, në disa nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit, të ngrejë kulla deri në 41 kate, ku në këmbim do të marrë disa zyra dhe sipas saj kjo do të çojë në rritjen e produktivitetit të punonjësve.

Në këtë proces do të jetë e përfshirë edhe Korporata e Investimeve, që do të luajë rolin e ndërmjetësit dhe do të fitojë pozicion strategjik në tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe do të përfitojë nga tarifat e ndërmjetësimit.

Ky partneritet luan rol kyç në zhvillimin ekonomik të vendit dhe modernizimin e infrastrukturës administrative, thuhet në dokumentet e tenderit.

Në fakt, ky partneritet ka disa probleme.

Së pari, të vëna në peshore, qeveria, me zyrat e saj të reja, fiton shumë pak, në krahasim me privatin që do të marrë për zhvillim një pronë të paçmueshme.

Bashkia e Tiranës e ka ndjekur vitet e fundit këtë model, por deri tani nuk ka asnjë transparencë se cili ka qenë fitimi i saj dhe i banorëve të Tiranës.

Së dyti, pretendohet që këto ndërtime do të luajnë rol kyç në zhvillimin e vendit. Si?! Përvoja e deritanishme ka treguar se orientimi drejt modelit të ndërtimit me qiellgërvishtës, ndërsa mund të ketë nxitur rritjen ekonomike, nuk ka arritur të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve.

Të dhënat e përditësuara të Eurostat treguan se vendi vijon të mbetet i fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë, edhe për konsumin individual. Ky model nuk po frymëzon as rininë, që ka zgjedhur të ikë nga vendi, duke krijuar një ngërç të vërtetë në tregun e punës.

Së treti dhe më e rëndësishmja. QEVERIA NUK E KA PRONËN E SAJ. Privati ka të drejtën e vet mbi pronën dhe mund ta japë atë për ndërtim dhe zhvillim, brenda hapësirave që parashikon ligji.

Qeveria nuk është pronare, ajo thjesht menaxhon pasurinë publike, që është krijuar dhe mbajtur me paratë që mblidhen nga taksapaguesit dhe duhet ta përdorë në të mirë të tyre.

Më e pakta që mund të bëjë është të zhvillojë një referendum për të pyetur opinionin publik nëse është dakord që pronat publike të zhvillohen dhe të kthehen në kulla private.

Po ju japin dhe ne të “Monitorit” nja dy ide, që duhet t’ju shkonte vetë mendja, nëse nuk do ta konsideronit veten sekserë të pronës publike:

Toka nuk ka pse tjetërson pronar, pra mund të jepet me qira dhe institucionet përkatëse do të mund të marrin një të ardhur të vazhdueshme. Investitori le të marrë riskun përsipër, ashtu siç u zhvilluan fillimisht fshatrat turistikë në bregdet.

Apo për ndërtimet private mbi troje publike dhe që shndërrohen në pasuri private mund të aplikohet një taksë e veçantë, që do të mundësojë që përfitimi nga prona publike t’i takojë publikut.

Kjo taksë mund të destinohet në përmirësimin e mjedisit, p.sh. për gjelbërim, hapësirat e të cilit po zvogëlohen gjithnjë e më shumë.

Në fakt, në vend që të kthehet në një seksere pronash, qeveria duhet të luajë rolin e saj për të nxitur ekonominë dhe investimet vendase e të huaja, nëpërmjet krijimit të një ambienti të përshtatshëm për të bërë biznes.

Mesazhin nuk ka nevojë ta japim ne, këtë përqasje e kërkojnë qartë investitorët e huaj.

I Ngarkuari në Detyrë i Ambasadës Amerikane në Shqipëri, z. David Wisner, e bëri të qartë që Shqipëria ka ende shumë për të bërë, për të krijuar një klimë tërheqëse për investitorët:

“Duhet stabilitet, parashikueshmëri, luftë kundër korrupsionit, angazhim dhe përkushtim ndaj tij.

Dhënia e një mundësie të drejtë për bizneset amerikane. Kjo është ajo që ata duan. Nuk ka nevojë për asgjë të veçantë për ne. Por nëse e dimë që mund të konkurrojmë, do të konkurrojmë.

Mendoj se është shumë e rëndësishme të kuptojmë se zgjidhja e disa çështjeve të pronësisë së tokës do të jetë me rëndësi kritike”./monitor

Artikulli paraprakTomorrica Mon Amour
Artikulli tjetërTemperaturat e larta, ja pse nuk duhet ta konsumoni ujin e shishes që ka qëndruar në diell