Nga Kapitali.al
Qeveria duket se nuk ka mbaruar akoma punë me privatizimin e bregdetit. Maxhoranca ka propozuar një projektligj për të shtyrë më tej afatet e ligjit për “Investimet Strategjike” deri në dhjetor 2026.
Drafti është propozuar nga deputetja e Partisë Socialiste në Vlorë, Pranvera Resulaj. Kjo është hera e disatë që maxhoranca shtyn zbatimin e ligjit për investimet strategjike, i cili fillimisht u propozua si një nismë kalimtare.
I miratuar në vitin 2015, ligji “Për Investimet Strategjike” u prezantua si një masë e përkohshme nga qeveria “Rama”, fillimisht me afat deri në vitin 2018. Por afati i tij u shty edhe tre herë të tjera në Kuvend. Shtyrja e fundit ishte në mars të këtij viti me një draft të propozuar nga kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Eduart Shalsi.
Ligji ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve. Sipas Departamentit të Shtetit, nga ky ligj kanë përfituar vetëm dyinvestitorë të huaj, ndërkohë që sipas opozitës dhe ekspertëve të ekonomisë, skema e investitorëve strategjikë ka favorizuar një grup oligarkësh vendas si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.
Socialistët refuzuan disa herë kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zbatimin e këtij ligji, pas shqetësimeve se ai ishte përdorur për të favorizuar biznesmenë pranë qeverisë.
Njëri prej përfituesve është dhe Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste, Olta Xhaçka, i cili përfitoi statusin për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut, një nga zonat më të bukura në Jug të vendit.
Ligji i njeh statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Sipas vendimeve të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, shteti u ka ofruar investitorëve strategjikë qindra hektarë tokë përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.
Drafti i ri
Nismëtarja Resulaj i tha BIRN-it se nxitja për të propozuar këtë shtyrje të re afati lidhej me ‘interesin e shtuar’ për këto investime dhe ritmin e ngadaltë të shqyrtimit të dosjeve të aplikuesve. “Ka rreth 40 aplikime në proces,” tha Resulaj për BIRN.
Ligji i cili u miratua si një masë e përkohshme ligjore në vitin 2015, ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve. Sipas ekspertëve të ekonomisë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.
Vendimet e miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i kanë ofruar ‘investitorëve strategjikë’ qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturës ndihmëse; si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.
Edhe pse qëllimi i deklaruar ishte thithja e investimeve të huaja deri më tani ky ligj ka ‘shpërblyer’ shumë biznesmenë shqiptarë apo persona të afërt me qeverinë apo Partinë Socialiste në pushtet.
Rasti më flagrant është ai i dhënies së statusit “investitor strategjik’ për biznesmenin Artan Gaçi, bashkëshort i deputetes socialiste Olta Xhaçka dhe miratimin nga qeveria të dhënies në përdorim të brigjeve të detit për kompaninë e tij, duke ngritur shqetësime për një konflikt interesi dhe favorizim të njerëzve në pushtet.