“Qeveria nuk mund të fshihet pas skandalit tek Onkologjiku”, Mirela Karabina: Edi Rama e ka kthyer shëndetësinë në vatër korrupsioni, ministrja të japë dorëheqjen!

Zëdhënësja e demokratëve euroatlantik, Mirela Karabina, në një deklaratë për mediat është shprehur se Edi Rama dhe qeveria e tij nuk mund të fshihen pas skandalit në spitalin Onkologjik, pasi jetët e qytetarëve janë në rrezik të vazhdueshëm si pasojë e politikave abuzive e korruptive.

Karabina tha se shëndetësia është sektori më jetik dhe se kjo qeveri e ka kthyer në vatër korrupsioni për të mbushur xhepat e saj dhe të klientëve të qeverisë duke bërë pazar me jetën e qytetarëve.

Ajo më tej ngre shqetësimin se edhe pse shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve të shëndetësisë nga xhepi i tyre, skema e sigurimeve shëndetësore është drejt kolapsit pasi nuk mbulon dot nevojat e sistemit shëndetësor, kjo edhe për shkak të koncesioneve korruptive ku vetëm vitin e shkuar janë paguar 53 milionë Euro.

Karabina gjithashtu i bëri thirrje ministres Albana Koçiu të japë dorëheqjen për skadnalin me përmasave të rënda kriminale.

DEKLARATA E ZËDHËNËSES TË DEMOKRATËVE EUROATLANTIK, MIRELA KARABINA

Edi Rama dhe Qeveria nuk mund të fshihet pas skandalin në Spitalin Onkologjik.
Jeta e qytetarëve është në rrezik të vazhdueshëm si pasojë e papërgjegjëshmërisë dhe politikave abuzive e korruptive të kësaj qeverie.
Mjeku është hallka e fundit e këtij zinxhiri galopant korrupsioni që ka mbërthyer shtetin në cdo ind të tij dhe sistemin e shëndetësisë në veçanti.
Rasti i Onkologjikut, ku bëhet pazar me jetën e pacientëve, është dëshmia më makabre se si modeli korruptiv me të cilin Edi Rama keqqeveris, është përhapur në çdo fushë të sektorit publik.
Shëndetësinë, sektorin jetik për jetën e shqiptarëve, kjo qeveri e ka kthyer në vatër korrupsioni për të mbushur xhepat e saj dhe të klientëve të saj, duke bërë pazar me jetën e qytetarëve.
Biznesi i vdekjes nuk është as rasti i parë dhe as rasti i izoluar por buron nga një filozofi që përçmon jetën e qytetarëve duke i dhënë prioritet interesave klienteliste të pushtetit.
Drama njerëzore e shpalosur me skandalin e Onkologjikut është epitafi mbi mashtrimin e shëndetësisë falas.
Në fakt, Edi Rama shtrenjtoi gjithshka dhe ndërtoi një piramidë korruptivë në të gjithë sistemin shëndetësor.
Ky është Edi Rama dhe koncepti i tij për shëndetësinë!
Sistemi shëndetësor sot gjendet në një situatë kritike, i keqmenaxhuar, nga një administratë jo efektive, drejtohet nga persona që spitalet apo qendrat shëndetësore i kanë parë vetëm si vizitorë.
Institucionet nuk kryejnë misionin dhe nuk plotësojnë pritshmëritë e qytetarëve, por janë marrë më shumë me propagandë.
Sistemi shëndetësor shqiptar është më i keqfinancuari në Rajon.
Sot shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve të shëndetësisë nga xhepi i tyre, shumë kjo më e larta në Rajon dhe 4 herë më lartë se mesatarja e vendeve të BE-së.
Skema e sigurimeve shëndetësore është drejt kolapsit, pasi nuk mbulon dot nevojat e sistemit shëndetësor, ku shumica e fondeve vijnë nga buxheti i shtetit, dhe e ngarkuar me pagesat për koncesionet ku vetëm gjatë vitit 2023 janë paguar 53 milion Euro.
Politikat e ndjekura në farmaceutikë sollën largimin e përfaqësive farmaceutike dhe kompanive prestigjoze, duke hapur rrugën barnave me origjinë jo të sigurtë, cilësi e ulët, si dhe uljen e numrit të alternativave.
Të gjitha këto janë një përmbledhje e shkurtër e gjendjes në të cilën qeveria e korruptuar e Edi Ramës ka futur shëndetësinë.
Milionat e eurove që vidhen në tendera e koncesione korruptive do të mjaftonin për t’u ofruar qytetarëve shërbim shëndetësor kudo dhe pensionistëve për t’ua plotësuar nevojat me barna të rimbursueshme.
Për të gjitha këto skandale në sistemin shëndetësor, inkurajojmë SPAK të hetojë me themel abuzimet që kryhen me jetën e shqiptarëve.
I bëjmë thirrje publike Ministres së Shëndetësisë Albana Kociu, të japë dorëheqjen për këtë skadal me përmasave të rënda kriminale.
Problemet serioze të sistemit shëndetësor dhe ndalja e abuzimit kërkojnë zgjidhje urgjente.
Kjo zgjidhje nuk mund të vijë nga ai që prej 11 vitesh ka ngritur në sistem korrupsionin që varfëron, shpopullon dhe i merr jetën shqiptarëve.
Shqiptarët nuk e meritojnë qeverinë e korruptuar të Edi Ramës.
Qytetarët meritojnë kujdesje e trajtim me dinjitet.
Shqiptarët meritojnë më shumë!
Shqipëria meriton më shumë!

Exit mobile version