Nga Namir Lapardhaja
Qeveria nuk rrëzohet me protesta, as duke sulmuar SPAK-un dhe drejtësinë, as duke ngritur kauzë “lirimin e liderit të opozitës”, as duke ricikluar të njëjtat figura të ndryshkura politike, as duke nxjerr bashkë ata që nuk kanë lënë gjë pa i thënë njëri-tjetrit, duke filluar prej akuzave më monstruoze, as duke vënë në krye ata që e kanë shpërdoruar besimin e njerëzve, kur kanë qenë në pushtet, dhe të demokratëve, gjatë kohës së opozitës, as duke bërë pazare natën me pushtetin, duke përfituar kulla dhe tendera, dhe ditën duke mos i lënë gjë pa thënë, as duke e mbushur dynjanë me gënjeshtra pesëlekëshe, as duke mos qenë të vërtetë me njerëzit dhe publikun, as duke qenë të përulur ndaj njëshit lart ballkonit dhe duke qenë agresiv dhe arrogant ndaj kujtdo tjetër që Ay e ka shenjestruar si armik.
Qeveria nuk rrëzohet me modelin e ngjashëm. Nëse akuzohet për korrupsion, nuk mund t’i vendosësh përballë disa të korruptuar. Nëse akuzohet për lidhje me krimin, nuk mund t’i bësh opozitën me njerëz të lidhur po me grupet kriminale. Nëse akuzohet për abuzime me tenderat dhe koncensionet, nuk mund t’i bëjnë akuzat ata/ato që njihen si përfitues të tenderave dhe koncensioneve nga qeverisja e djeshme.
Qeveria nuk rrëzohet me parimin “ikni ju, të vijmë ne”, për sa kohë nuk ke treguar vullnet dhe dëshirë për të ndryshuar dhe për t’i bindur njerëzit se pse ti je ndryshe nga kjo qeveri.
Qeveria nuk rrëzohet duke i folur vetëm militantëve të partisë me një gjuhë të drunjtë dhe një model të stërvjetëruar, sepse ashtu mund të fitosh militantët që janë gati të hanë barë për partinë, por, kurrsesi, shoqërinë shqiptare, e cila, në dallim, nga hallet e kësaj opozite, ka halle krejtësisht të tjera, që nuk pikëtakohen gjëkundi me retorikën e saj.
Qeveria nuk rrëzohet nga një opozitë e pareformuar, e marrë peng nga një njeri dhe nga një familje që për interesa politike dhe ekonomike i venë nga pas edhe nja dyzet kalkukues për deputetë dhe mundësisht për hajdutë në rastin e marrjes hipotetike të pushtetit.
Qeveria nuk mund të rrëzohet nga një parti që gënjeshtrën brenda vetes e ka ngritur në sistem, përuljen ndaj udhëheqësit e ka shndërruar në idhujtari, konfliktin e brendshëm në lubrifikant për të ecur përpara.
Qeveria nuk mund të rrëzohet nga një grupim politik në të cilin e drejta nuk ka vend, e arsyeshmja është e paftuar, e ndershmja e dëbuar, normalja e anatemuar, ku politikës ia kë zënë vendin ‘rruga’, argumentit ‘forca’, logjikës ‘turma’, ku e Gënjeshtërta është ulur në fronin e së Vërtetës dhe prej aty drejton gjithçka, ndërsa Verbëria është parimi kryesor për të qenë pjesë e këtij ansambli të vuvët ku përherë fitohet dhe rrëzohet qeveria, ndërsa të nesërmen e kësaj gjëje historia fillon nga e para, duke përsëritur në mënyrë ciklike vetveten.
Domethënë nga humbja në humbje të vazhdueshme, deri në asgjësim.