Është viti i katërt që mësuesit nuk marrin shpërblimin e fundvitit. Për këtë dhe kërkesa të tjera, arsimtarët nga i gjithë vendi protestuan dje përpara Ministrisë së Arsimit. Për mijëra mësues nga i gjithë vendi, edhe këtë fundvit duket se nuk do të ketë festë. Sindikata e Pavarur e Arsimtarëve protestoi dje përpara Ministrisë së Arsimit.
Mësuesit u shprehën se, rritja e pagës me 10% është thërrime nga mungesa e rritjes së pagës për 4 vite. “Po nëpërkëmbni të drejtat tona. Ky është vit i dramave sociale, na detyruat të vijmë në këtë protestë që do e zgjerojmë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh një nga mësuesit në protestë. Mësuesit paralajmëruan se të martën do të zhvillohet grevë një orëshe për të vijuar më pas me greva pa afat. “Vendosni dialogun me ne se, kemi dy vite që nuk komunikojmë. Nuk dimë si i zgjodhët mësuesit ekselentë fshehtas në çdo shkollë. Kërkojmë të paguhemi sipas kontratës kolektive të nënshkruar”, apeluan ata.
“Rritja e pagës 10% është thërrime krahasuar me mungesën e rritjes së pagës për 4 vite. Po nëpërkëmbni të drejtat tona. Ky është viti i dramave sociale. Na detyruat të vijmë në këtë protestë që do e zgjerojmë në gjithë Shqipërinë. Të martën do të mbajmë grevë njëorëshe dhe do të vijojmë më pas grevë paafat, nëse kërkesat tona nuk plotësohen. Vendosni dialogun me ne, se kemi dy vite që nuk komunikojmë. Nuk dimë si i zgjodhët mësuesit ekselentë fshehtas në çdo shkollë. Kërkojmë të paguhemi sipas kontratës kolektive të nënshkruar.
Duam të dimë ku shkuan paratë për 4 vite, ku u grabitën? Në cilat xhepa qeveritarësh shkuan? Sqaroni përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit. Na lini takim të na sqaroni”, thanë mësuesit gjatë protestës.
Ministrja Lindita Nikolla nuk denjoi as dje të presë në takim përfaqësuesit e Sindikatave të arsimtarëve për zgjidhjen e kërkesave të tyre legjitime. Nuk pranoi bashkëbisedim kjo ministre që për kolltuqet dhe zyrat e saj dhe të zyrtarëve të ministrisë shpenzoi 1 miliard e treqind milionë lekë! Kjo ministre që bën propagandë për rritjen e nivelit të shkollave dhe deklaron me mburrje në media se vajzën e saj e ka dërguar për t’u arsimuar në Perëndim.
Krahas kërkesës për shpërblimin e fundvitit, pagesës për orët shtesë dhe pagesën e transportit, qindra mësues kanë edhe vonesë në rroga. Arsimtarët paralajmëruan ministren Nikolla se, nëse ajo nuk ulet në takim për të diskutuar këto probleme, ata do të nisin grevën një orëshe, për ta përshkallëzuar atë në ditët në vijim në grevë pa afat.
Në kërkesat e saj, Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë, (SPASH) kërkon respektimin e normës mësimore dhe pagesën e orëve mbi normë të mësuesve, pagesën e transportit të arsimtarëve, duke i llogaritur distancën nga vendi i punës, si dhe shpërblimin e fundvitit prej 10 mijë lekësh.
Pasi i kanë paraqitur këto 4 kërkesa për Ministrinë e Arsimit, mësuesit thonë se do ta zgjerojnë protestën në të gjithë Shqipërinë, ndërsa paralajmërojnë se të martën do të zhvillojnë një grevë njëorëshe, e më pas grevë pa afat, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.
Ndërkohë, 920 mësues të Librazhdit dhe Prrenjasit nuk kanë marrë ende rrogën e muajit nëntor. Tre ditë më parë, mësuesit e shkollave të Librazhdit dhe të Prrenjasit u hodhën në protestë, por ende nuk i kanë marrë rrogën e prapambetur. Mësuesit janë grumbulluar para zyrës së Arsimit në Librazhd dhe kanë kërkuar paratë e tyre. Në të dyja bashkitë Librazhd dhe Prrenjas japin mësim rreth 890 mësues, por deri ditën e djeshme, atyre nuk u janë kaluar pagat. Janë 12 gjimnaze dhe 60 shkolla 9-vjeçare që japin mësim këta mësues, por këto ditë ndodhen në vështirësi ekonomike për shkak të mos marrjes së rrogave. Shumica e mësuesve udhëtojnë në zona shumë të thella malore, por e kanë të pamunduar për të udhëtuar, pasi nuk kanë para për të paguar shoferët e linjës që i transportojnë në vendet e tyre të punës.