Rritja me ritme dyshifrore e çmimeve të fruta-perimeve dhe një rritje e pazakonte me mbi 5 për qind e sheqernave dhe ëmbëlsira ndikuan që inflacioni në muajin nëntor të arrijë në nivelin 1.9 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1%.
Duke raportuar ndryshimin e nivelit të përgjithshëm të çmimeve INSTAT njoftoi sot se, në muajin nëntor rritja është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,14 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,30 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme”, kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Veshje dhe këpucë kanë kontribuar respektivisht me +0,06 dhe +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me nga +0,03 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Argëtim e kulturë kanë kontribuar secili me nga +0,02 pikë përqindje, ndërsa çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar negativisht me -0,03 pikë përqindje.
Ndikimi i grupeve në ndryshimin vjetor. Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin nëntor 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2%, pasuar nga grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,7%, grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, secili me nga 1,5%, grupet “Argëtim e kulturë” dhe “Veshje dhe këpucë” me nga 0,08% secili.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 10,1%, pasuar nga nëngrupet “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 5,9%, “qumësht, djathë e vezë” me 4,9%, “peshk” me 3,7%, “zarzavate përfshirë patatet” me 2,7%, etj. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transport” me -0,5%.
Ndryshimi mujor i indeksit është + 0,1%. Krahasuar me muajin tetor 2016 rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0%. Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije jo alkoolike” me 0,5%.
Bankat nuk i japin borxhin e kërkuar qeverisë
Interesi i letrave me vlerë të borxhit qeveritar ka nisur të rritet me shpejtësi në tre muajt e fundit. Bonot me afat maturimi 12- mujor u shitën në ankandin e fundit kundrejt një interesi 2,82 për qind. Kjo vlerë ishte 0.25 pikë përqindje më e lartë se ankandi paraardhës i datës 22 nëntor. Duke ju referuar ecurisë së interesave të këtij viti, bonot 12-mujore në ankandin e datës gjashtë dhjetor shënuan interesin më të lartë të vitit.
Të njëjtën sjellje patën edhe bonot me afat maturimi 6-mujor, interesi i të cilave më datën 6 dhjetor arriti ishte 1.99% ose 0.42 pikë përqindje më i lartë se ankandi paraardhës.
Shkaku themelor i rritjes së interesit shihet të jetë i lidhur me ofertën e ulët të bankave në monedhën vendase. Nga të dhënat e ankandit shihet se qeveria kërkoi të financohet me 6.7 miliardë lekë, ndërsa bankat ofruan vetëm 5.7 miliardë lekë.
I njëjti ngërç ishte edhe për bonot gjashtëmujore, ku oferta e bankave ishte gjithashtu më e ulët se kërkesa e qeverisë, ku qeveria kërkoi 2.5 miliardë lekë dhe bankat ofruan 2.3 miliardë lekë.
Raporti i mbulimit të kërkesës së qeverisë ka pësuar përkeqësim që nga fillimi i vitit. Në muajin janar, raporti i mbulimit ishte më i lartë se kërkesa e qeverisë dhe kjo sjellje zgjati deri në muajin maj, ku më pas u vërejt një rënie graduale, e cila është përkeqësuar muajt e fundit.
Për të shmangur kostot në rritje të financimit të borxhit të brendshëm, qeveria po përdor instrumentin e financimit në valutë. Në datën 30 nëntor, qeveria realizoi me sukses ankandin e obligacionit 2-vjeçar me vlerë 35 milionë euro, ndërkohë që oferta e bankave ishte mbi 90 milionë euro. Mirëpo qeveria, duke grumbulluar likuiditet në valutë për financimin e borxhit të brendshëm, rrezikon nëpërmjet kursit të këmbimit. Por gjithsesi, momentalisht kursi i këmbimit është i favorshëm, por nëse leku dobësohet në vijim, kostot e këtij obligacioni rrezikojnë të rriten në vitin e dytë të maturimit.
Rritja e yield-eve ka qenë e përgjithshme, por ajo është shfaqur më e fortë në maturitetet 2, 7 dhe 10-vjeçare, çka është materializuar në rritje të nivelit dhe të pjerrësisë së kurbës së interesave.