Qeveria, përgjim masiv telefonave e rrjeteve sociale

Ministria e Brendshme ka kërkuar dje nga operatorët e telefonisë celulare të lejojnë përgjimin nga policia të gjithë qytetarët, duke përbërë kështu një skandal të ri të qeverisë dhe cenuar direkt privatësinë e qytetarëve shqiptarë.
Brenda 5 ditëve nga marrja e kërkesës nga ana agjencive ligjzbatuese, kompanitë celulare duhet të vënë në dispozicion të dhënat për komunikimet zanore, të mesazheve apo të komunikimeve në internet, si Facebook, Viber, WhatsApp, etj. Ky është thelbi i një projektligji të propozuar nga Ministria e Brendshme për ruajtjen e sigurisë publike parandalimin e akteve terroriste.
Sipas këtij projektligji sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve publike detyrohen të vënë në dispozicion menjëherë, në formë elektronike për Prokurorinë, Shërbimet Informative dhe Policinë e Shtetit, të dhënat që ruhen në skedarë. “Sot, patëm një konsultë me operatorët telefonikë përsa i takon disa ndryshimeve në ligjin “Për Komunikimet Elektronike”, të cilat do të mundësonin një akses më të drejtpërdrejt të Prokurorisë, të Policisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese. Por mbi të gjitha dhe një marrëdhënie shumë më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për çështje të caktuara që prekin komunikimet elektronike”, tha Tahiri në një komunikim me mediat.
Dje është zhvilluar një takim konsultativ me drejtuesit e telefonisë mobile në vend me praninë e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
“Kemi konstatuar domosdoshmërinë për të ndryshuar disa ligje, të cilat do të mundësonin Policinë, Prokurorinë dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese të bënin hetime më të shpejta dhe më efektive në kohë”, ka thënë ministri i Brendshëm gjatë takimit, duke sjellë në vëmendje ndryshimet e pritshme në ligjin për komunikimet elektronike.
Më e keqja është se operatorët telefonikë kanë rënë dakord për këtë lloj përgjimi, duke vënë në dorë të policisë në mënyrë të kundërligjshme biseda private telefonike.
Në takimin me operatorët telefonikë, u ra dakord që do të mundësojnë një akses më të drejtpërdrejt të Prokurorisë, të Policisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.
“Gjithashtu, përtej kësaj do vazhdojmë edhe me konsulta të tjera, lidhur me disa ndryshime që ne i shohim të domosdoshme në Kodin Penal. Për t’iu propozuar më pas edhe Ministrisë së Drejtësisë, agjencive të tjera operatore ligjzbatuese pra Prokurorisë, Shërbimit Informativ Shtetëror përse jo. Dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë për të ndryshuar në përmasën që duhet legjislacionin penal, për të bërë ç’është e mundur që hetimet proaktive kundër krimit të organizuar, korrupsionit në veçanti dhe terrorizmit të zhvillohen në kohë, me rezultate të qëndrueshme dhe pa pengesa burokratike të cilitdo lloji”, ka thënë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Përgjimi me ligj është një ekskluzivitet i Prokurorisë dhe ky kryhet, pasi është marrë edhe vendimi i Gjykatës. Dy vitet e fundit gati është dyfishuar numri i përgjimeve të kërkuara dhe të miratuara nga Gjykata.
i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Shoqërisë Civilie për nismën skandaloze të Tahirit. Përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, avokati Altin Goxhaj shprehet në një postim në rrjetin social Facebook se, nisma e Tahirit për të kontrolluar telefonat dhe sms-të e qytetarëve është në kundërshtim me ligjin. “Saimir Tahiri ka bërë një projektligj të ri, ku kërkon të kontrollojë telefonatat dhe sms-të tona pa Urdhër Prokurorie. Kjo është shkelje e Kushtetutës, pasi askush s’mund të kontrollojë privatësinë tonë pa urdhër prokurori apo vendim Gjykate”, shkruan përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, avokati Altin Goxhaj.

Pollo: Përgjimi parandalues mund të bëhet vetëm nga SHISH, të ndalim Tahirin

Opozita deklarohet kundër ndryshimeve në ligjin e komunikimeve elektronike, të cilat do të lejojnë policinë të kryejë përgjimet përmes operatorëve të telefonisë celulare në vend jo vetëm të telefonatave, por edhe aplikacioneve si whats up, viber etj. Deputeti i PD, Genc Pollo deklaroi nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, përgjimi parandalues mund të bëhet vetëm nga SHISH. “Saimir Tahiri, ende ministër i Brendshëm, deklaroi sot se do të amendojë legjislacionin që t’i mundësojë Policisë përgjimin. Për këtë, ai do të nismojë ndryshimin e Ligjit për Komunikimet Elektronike dhe sidomos të Kodit të Procedurës Penale. Përgjimi telefonik dhe internetik procedural (përdoret si provë e akuzës në gjyq) bëhet ekskluzivisht me autorizim të Prokurorit dhe në disa raste edhe të Gjykatës.
Përgjimi telefonik dhe internetik parandalues (nuk vlen në gjyq) mund të bëhet vetëm nga Shërbimi Informativ.
Por asnjëherë këto 25 vjet nuk i ka shkuar kujt në mendje që këtë tagër t’ja ngarkojë me ligj Policisë së Shtetit.
Kjo nismë Tahiri-Rama duhet ndalur! Eshtë e papranueshme, madje komprometon edhe Reformën në Drejtësi”, deklaroi deputeti i PD-së, Genc Pollo.
Çfarë parashikon projektligji?
Prokuroria, Policia e Shtetit dhe SHISH do të kenë akses direkt në bazën e të dhënave të kompanive që ofrojnë shërbime komunikimi, kompanitë e telefonisë apo internetit.
Ministria e Brendshme hartoi projektin që i detyron këto kompani, publike apo private, që brenda 24 orëve, ose 5 ditëve në raste specifike, t’i japin të dhënat e klientëve të tyre Prokurorisë, Policisë apo SHISH.
Sipas hartuesve, qëllimi është për të evituar praktikën negative të deritanishme, kur përgjigjja për të dhëna që lidheshin me çështje hetimore vonohej deri në 6 muaj.
Në jo pak raste, kjo vonesë ka sjellë edhe dështimin e hetimit të ngjarjeve të ndryshme, për shkak të tejkalimit të afateve të hetimit.
Për 24 orë jepen të dhënat që lidhen me identifikimin e pajtimtarit, kur dihet numri apo adresa e kompjuterit në rrjet, apo siç njihet ndryshe IP-ja; identifikimin e pajisjeve apo adresave të IP-së për një pajtimtar të dhënë; identifikimin e vendndodhjes së një pajisjeje fundore.
Ky afat bëhet 5 ditor, kur kërkesa përmban të dhëna më specifike. Në ligjin e mëparshëm nuk lihej një afat i përcaktuar, por thuhej pa vonesa, por Prokuroria priste edhe 6 muaj.
Ky projektligj shton dhe një nen tjetër, i cili parashikon se, me qëllim ruajtjen e sigurisë publike dhe kombëtare, parandalimin e krimeve të rënda dhe akteve terroriste, sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve publike, detyrohen të vënë në dispozicion menjëherë, në formë elektronike dhe nëpërmjet dhënies së aksesit të drejtpërdrejtë në skedarë apo pjesë të tyre, ose ngritjes së platformave elektronike të disa institucioneve.

R.POLISI

Artikulli paraprakVrasja e Çiços, pamjet filmike “fundosin” oficerin e policisë
Artikulli tjetërNë pikëpyetje zgjedhjet në Maqedoni