Qeveria piramidë po e fut në greminë Shqipërinë

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka komentuar ekonominë e vendit, duke e cilësuar si një problem kritik jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen e vendit.
Vasili teksa kërkon reagimin e qytetarëve shprehet se borxhi publik nuk është 70 % ashtu siç është thenë fillimisht, por 72%, ndaj edhe qytetarët sipas tij duhet të dinë që ndodhen para një katastrofe ekonomike.
“Do të thotë në ç’greminë borxhesh futet ekonomia shqiptare për shkak të një qeverie të kriminalizuar dhe të bërë njësh me interesat më të errëta dhe për këto interesa dhe në funksion të këtyre interesave, ajo nuk mund të ndalet asnjë ditë duke e thelluar këtë situatë në mënyrë kritike. Borxhi publik i deklaruar sipas saj shkon 70%, ndonëse do ta shtjellojmë më pas, është edhe më i lartë se kaq, ndërsa borxhi publik i verifikuar dhe i konstatuar nga një organ kushtetues siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit është 72%. Vetëm për këtë çështje dhe vetëm për këtë moment, shqiptarët duhet të dinë që janë përpara një katastrofe ekonomike financiare të pashembullt”, u shpreh Vasili.
Vasili thekson ndër të tjera se kjo qeveri “piramidë”, siç e cilëson vetë ai nuk i ka lënë zgjidhje tjetër popullit vetëm të të dalë në sheh të kërkojë të drejtën e tij.

“Shqipëria sot ndodhet për shkak të një qeverie piramidë, përpara një piramide financiare të përmasave të frikshme, ndërkohë që organet e drejtësisë shqiptare të cilat duhet të ishin ato në krye të hetimit, që të kryejnë në emër të popullit këtë hetim të thelluar dhe nxjerrjen e këtyre puçistëve ekonomiko-politikë përpara drejtësisë, nuk mbetet asgjë tjetër dhe është e vetmja mënyrë zgjidhje që populli vetë të përballet në shesh të hapur, ballazi, në të drejtën e tij, në të drejtën e mbrojtjes së interesave të veta ekonomike, të interesave të veta shoqërore, të cilat janë të kërcënuar përpara një grupi aventurierësh kriminelë, të cilët kanë planifikuar që të mbushin torbat e tyre me para, të largohen nga vendi në momentin e katastrofës dhe rrënimin dhe mjerimin ekonomik t’ja u lënë shqiptarëve mbi kurriz, për ta vuajtur me dekada e dekada të tëra ata dhe fëmijët e tyre”, tha ai.

vasili lsi

Exit mobile version