Qeveria po trajtohet si diktaturë afrikane

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi dje se Rama nuk merr përgjegjësi për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa duke komentuar konkluzionet e Këshillit Europian, ai tha se gjendja në vend është shumë e rëndë.
“Këshilli Europian i ka publikuar tashmë konkluzionet e veta. Konkluzionet e Këshillit Europian tashmë nuk lënë shteg për interpretime. Gjendja në vend është shumë e rëndë, siç e njohin, siç e prekin shqiptarët dhe jo siç është përpjekur ta shesë qeveria, kryeministri. Eshtë një provë për fat të keq se as populli dhe as Europa nuk gënjehet me lugën bosh të propagandës dhe të mashtrimeve”, tha Basha.
Vendimi i Brukselit për Bashën nënkupton hapjen e një rruge të re të marrjes së përgjegjësive për reformat e mëdha që kërkohen.
“Lajmi i mirë këtu është se Europa, duke mos lënë asnjë shteg për interpretim, çmonton spekulimet dhe mashtrimet e deritanishme mbi problemet e rënda me të cilat po përballet Shqipëria dhe shqiptarët, dhe hap rrugën për marrjen e përgjegjësive.
Duke mohuar problemet e rënda; me drogën, me krimin, me korrupsionin, me moszbatimin e ligjit për dekriminalizimin, dhe mosmarrjen e përgjegjësive për zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveria, z.Rama faktikisht kanë refuzuar të marrin përgjegjësitë për daljen nga kjo situatë”, tha Basha.
Për kryetarin e opozitës konsiderohet si një rast i paprecedentë që gjashtë muaj para zgjedhjeve Shqipëria trajtohet si një diktaturë afrikane.
“Eshtë turp për Shqipërinë dhe për shqiptarët, që në fund të vitit 2016, në vend të lajmit pozitiv për hapjen e negociatave, të marrin një vlerësim të denjë për vende diktatoriale të Afrikës.
Asnjëherë në 26 vite, dhe për herë të parë në këto 26 vite, gjashtë muaj para zgjedhjeve, Bashkimi Europian i jep këtë shuplakë qeverisjes, duke e kujtuar se nuk ka plotësuar asnjë nga 5 prioritetet kyçe dhe se ka probleme të rënda me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, me luftën kundër krimit dhe drogës në veçanti, dhe me luftën kundër korrupsionit”, tha Basha.
Kryetari i opozitës ka dhënë garanci të plota se PD do të marrë përgjegjësi të plota për zbatimin e ligjit të Vettingut dhe Reformës në Drejtësi. “Nga njëra anë kemi kryeministrin, i cili edhe mbrëmë refuzoi të pranojë këtë të vërtetë, që tashmë nuk e thotë vetëm qytetari shqiptar, media shqiptare, por e thotë institucionalisht Bashkimi Europian.
Nga ana tjetër, dua t’i siguroj shqiptarët se unë dhe Partia Demokratike do të marrim përgjegjësitë e plota për zbatimin e ligjit të Vetingut dhe Reformës në Drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese, për largimin e kriminelëve nga politika sipas ligjit të dekriminalizimit, për luftë pa kompromis kundër drogës, krimit dhe korrupsionit, dhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme  për shqiptarët. Ne do t’i heqim këto pengesa për integrimin e vendit, që janë njëkohësisht edhe pengesa kryesore për mirëqenien e shqiptarëve sot”, tha Basha.

Artikulli paraprakBalili u njoftua, Prokuroria nis hetimet ndaj policisë
Artikulli tjetërSHBA: Mos arrestimi i Balilit, dështimi më i madh i Policisë