Qeveria pranon rritjen e krimit

Dy vitet e fundit kanë shënuar një rekord të ri në nivelin e kriminalitetit në shkallë vendi. Deklarata vjen nga vetë qeveria, e cila në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim pranon se veprat penale në vitet 2014-2015 janë rritur me 75 për qind. Më konkretisht sipas të dhënave të publikuara në dokumentin strategjik, veprat penale në vend u rritën nga 20 mijë që ishin në vitin 2013 në 35 mijë një vit më vonë. Qeveria pretendon se ka arritur suksese në luftën kundër krimit, por të dhënat tregojnë se krimi është në revansh dhe veprat penale kanë shënuar një rritje të fortë. Në dokumentin strategjik, qeveria detyrohet të pranojë se tendenca negative e krimit mbetet një nga sfidat kryesore të vendit. “Strategjia Kombëtare e Rendit Publik fokusohet në nevojën për të ndryshuar tendencën e përgjithshme negative të rendit publik”, pranon qeveria në dokumentin zyrtar. Të dhënat tregojnë se e njëjta tendencë përkeqësuese vihet re edhe me sigurinë rrugore. Sipas Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, numri i aksidenteve rrugore u rrit me mbi 24 për qind përgjatë periudhës 2010-2015. Niveli i kriminalitetit ka qenë një nga temat më të nxehta të debatit politik gjatë dy viteve të fundit. Pavarësisht denoncimeve publike të opozitës për rritje të ndjeshme të krimit, qeveria ka pretenduar të kundërtën. Por kjo është hera e parë kur qeveria pranon në një dokument zyrtar se krimi është rritur menjëherë pas ardhjes së saj në pushtet, me ritme gati dyfish. Veçanërisht gjatë kësaj kohe opinioni publik ka qenë dëshmitar i një sërë ngjarjeve të bujshme kriminale, përmes vrasjeve mafioze apo ekzekutimeve me tritol, ndërkohë që organet policore të vendeve fqinje kanë deklaruar zyrtarisht për rritje të trafiqeve nga Shqipëria.

Artikulli paraprakHasani i Rilindjes dhe afera me vjedhjen e parave për skuadrën e Gjicin
Artikulli tjetërProkuroria do të hetojë arrestimin e Roshit në Gjermani