Qeveria shqiptare po detyron prodhuesit e vegjël të energjisë elektrike të nënshkruajnë një kontratë të re për shitjen e energjisë së prodhuar prej tyre, duke shkelur të drejtat që ata i kanë fituar ligjërisht fituara më parë dhe duke vënë në dyshim të ardhmen e tyre. Kështu deklaron Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA).
Sipas saj, qeveria ka vendosur t’ua transferojë kontratat nga KESH në OSHEE. Por kjo shihet si një lëvizje me risk të madh.
OSSHE nuk i ka atributet e një kompanie që mund t’i jepet Detyrimi i Shërbimit Publik lidhur me tërheqjen e energjisë nga prodhuesit, pasi nuk ka as licencat përkatëse për ta kryer këtë rol.
Vendimi krijon kushte pasigurie deri në rrezikun për falimentimin e këtyre prodhuesve vendas e të huaj që kanë investuar në Shqipëri qindra miliona euro, argumenton AREA.
Në këtë mënyrë prodhuesit e vegjël të energjisë po përdoren si eksperiment nga qeveria për të provuar modelin e ri të tregut. Por kostoja e këtij eksperimenti pritet të ketë pasoja të rënda.
Sipas draftit ligjor që po harton qeveria, HEC-et e vegjël do të mund të shesin vetëm një pjesë të prodhimit tek konsumatorët, e cila paracaktohet në kontratat që do të duhet të nënshkruajnë me OSHEE. Pjesën tjetër të energjisë që prodhojnë në periudhat e pikut, pas përmbushjes së kërkesës së klientëve që përfitojnë nga furnizimi universal, do të jenë të detyruar t’ia shesin Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, për mbulimin e humbjeve.
Kjo, sipas AREA-s, do të cenonte të drejtën e prodhuesve të energjisë në vazhdimësi për të shitur të gjithë energjinë e prodhuar prej tyre sidomos në periudhat e pikut dhe ato të natës.
Me kontratat koncesionare, në bazë të të cilave operatorë të ndryshëm ekonomikë investuan miliona euro në fushën energjisë së rinovueshme, blerja e energjisë garantohej nga KESH.
Me kalimin e kontratave të OSHEE, nuk garantohet blerja totale e energjisë edhe për shkak të aftësisë blerëse që OSHEE do të ketë në të ardhmen.
Me modelin e ri të tregut, Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) që qeveria parashikon t’i japë OSHEE-së, do të hiqen shumë konsumatorë dhe për pasojë edhe aftësia e tij do të ulet më tej. Prodhuesit kanë kërkuar që transferimi i çdo kontrate të bëhet tek një Operator i Energjisë se Rinovueshme me të gjitha garancitë e fituara nga kontrata e koncesionit. Por deri tani nuk kanë marrë asnjë garanci nga qeveria, sqaron AREA.
Prishja e njëanshme e të drejtave të fituara më parë, ligjërisht nëpërmjet kontratave koncesionare jo vetëm ka krijuar pasiguri tek këta investitorë vendas e të huaj, por rrezikon ta shohë qeverinë shqiptare në arbitrazh përballë tyre, për prishje të njëanshme të kontratave.