Ilir HILAJ
Unikale në historinë botërore. Në ditën më të errët të akuzave brenda kabinetit Rama, kur shkarkohet një ministër akuzues ndaj qeverisë së vet, qeveria i vë shkelmin në fyt popullit. Sot, ju kujtua popullit të lodhur nga taksat e rënduara dhe varfëria, se mund të gjobohen nëse nuk dinë adresën e tyre.
Rama ju kujtoi se ata do të pajisen me një numër identifikimi personal që do ta kenë nga lindja deri në vdekje. Këtë numër realisht e kemi të shfaqur në këndin e djathtë-poshtë në kartat tona të identitetit. Dmth, do të identifikojnë personat tashmë të identifikuar, që marrin automatikisht në Gjendjen Civile këtë numër nga lindja deri në vdekje. Ministri i Brendshëm kujtoi se do të ketë gjoba për ata që nuk regjistrojnë adresat e tyre para grupit të FRESH që do paraqitet banesë më banesë. Në fakt, nisur nga ngarkesa e lartë e fund janarit, emocionalisht në qeveri, kjo duhet të jetë ndonjë shaka pa kripë. Sistemi i adresave është një mënyrë unikale e vendosjes së numrorëve në objektet e banimit e biznesit, brenda të njëjtit shtet. Këtë detyrë e ka qeveria qendrore. Bashkitë kanë detyrë të emërtojnë rrugët dhe identifikojnë objektet.
Le të marrim Kryebashkinë si shembull. Pasi janë emërtuar rrugët me emra, përfshirë edhe emra kushërinjsh, krerë institucionesh të diktaturës etj., në to duhet të vendosen numrat. Këtë, ligji për sistemin e adresave nuk e specifikon. Ekzistojnë disa mënyra për këtë gjë, si sistemi “loop”, “linear” dhe “kartezian”. Në asnjë nga këto nuk flitet për termin shesh, hyrje pallati, numër hyrje, kat, lagje etj. Për fatin e keq ky sistem është përdorur para viteve ‘90, por jo më sot. Po pse Kryeministri e ministri ju futën kësaj meseleje që as e njohin fare?
A e dinë këta zotërinj që nuk nevojitet të shkosh banesë më banesë për të bërë diçka që bëhet nga zyra? Emërtesa e banesave bëhet automatikisht njëlloj si numri i identifikimit personal. Si? Përputhet harta me sistemin e përzgjedhur. Shtetet me histori më të avancuar se ne, në sistemet e adresave, sot përdorin sistemin kartezian. Psh, Manhatan sot ka hequr emërtesat e rrugëve, duke i identifikuar me numra, njëlloj siç do duhet të bëjë PD pas qershorit që të zhvlerësoj emra pa kurrfarë kuptimi nëpër rrugët dhe shkollat e vendit, për t’i thjeshtëzuar për një publik që vjen për herë të parë në një qytet, qoftë ky edhe turist dhe orientohet mjaft lehtë. Le të tregojmë si mund të emërtohej një dhomë në Tirana International Hotel për një turist. Adresa 1403-1 Bulevardi Zogu I, Tiranë, 1001, Albania. Sapo turisti lexon këto të dhëna kupton automatikisht se bëhet fjalë për një banesë mbi 14 kate që ndodhet në qendër të qytetit.
Nuk ka nevojë të pyesi në kë anë të sheshit është. Numri 1 tregon se është në pjesën lindore të rrugës Bulevardi Zogu I, pranë qendrës. Numri 1403 tregon se bëhet fjalë për një apartament/dhomë/zyrë që ndodhet në katin e 14 me numër 3, ose pas daljes nga ashensori/shkallët është dera e tretë në të djathtë. Kjo është në mbarë botën e civilizuar njëlloj. Mendoni si do ta presi Donald Trump, meqë është new york-ez, se në vendin aleat të NATO-s, Shqipëri, ndërkohë që qyteti i tij përdor sistemin më sipërpërmendur, qytetarët do të gjobohen nëse nuk e dijnë adresën e tyre që nuk ia ka treguar kush. Në fillim do skandalizohet. Pastaj do gajaset. Në fund kur t’i thonë se këtë gjë po e bënë qeveria e atij tipit të CNN, do t’i elektrizohen flokët përpjetë. Pse na takon ne shqiptarëve të presim kusuret e qeverisë. Qeveria u nis nga ideja e sfumimit të lajmit të aferave denoncuar nga Manjani, dhe pa dashje kaloi në një skandal imazhi, duke kërcënuar me armatën e freshistave se do vendosi gjoba, por krejt aksidentalisht tregoi se kryeministri dhe ministri janë pa nivelin minimal të kulturës profesionale, në një term të supozuar teknik, që ata e paraqitën si risi, por që nuk e dinë çfarë është. Pse duhen çuar freshistët njëlloj si fashistët, për të prerë fletë gjobe, për një publik në zonë rurale, kur ai para shtëpisë së tij, nuk di si quhet rruga, le më pastaj t’i kërkojmë kodin postar. Arsyeja është e thjeshtë. Pas gjobitjes, duhet bërë ankimimi që të hiqet gjoba. Partia ta vë dhe ajo ta heq “njollën”. Ndaj pa frikë mund të themi se ky është shantazh parazgjedhor, asgjë më tepër.