Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se nga 483 milionë lekë që ishte në vitin 2013, buxheti i Kryeministrisë vitin e ardhshëm do të arrijë në 3.7 miliardë lekë.
Ky është rekordi më i madh buxhetor i qeverisë së majtë. Rritja e buxhetit të institucionit që drejton ka qenë një nga politikat më të preferuara të Edi Ramës. Nëse analizon të gjithë buxhetet e Kryeministrisë në katër vitet e fundit, trajektorja është e njëjtë: fondet vetëm rriten, ndërkohë që institucionet e tjera kryesore të shtetit nuk e kanë këtë fat. Për Presidencën, fondet nga buxheti do të ulen me 900 mijë lekë në vlerë nominale, nga 201.9 milionë lekë që janë këtë vit në 201 milionë lekë vitin e ardhshëm.
Përfaqësuesi i institucionit të Presidentit kërkoi në Komisionin e Ligjeve që t’i rritet buxheti, pasi nuk ka fonde për të organizuar aktivitete. Teksa u ankua para ligjvënësve në Kuvend dhe kritikoi qeverinë, për sa i përket trajtimit financiar nga buxheti i shtetit, Nishani, nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës, paralajmëroi se nëse nuk i miratohet fondi, atëherë do ta ankimojë buxhetin në Gjykatë Kushtetuese.
“Ne filluam vitin 2016 me një borxh të akumuluar prej 14 milionë lekësh të reja, të mbartura, nga aktivitetet e vitit 2015. Kjo situatë na ka detyruar t’i drejtohemi disa herë Ministrisë së Financave edhe për avancim fondesh, edhe për rialokim fondesh, por edhe për fonde shtesë”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Florjan Nuri, në Komisonin parlamentar të Ligjeve.
Por kërkesa e Presidentit shkaktoi reagime të forta tek deputetët e mazhorancës. Erjon Braçe e akuzoi Presidentin për shantazh pse kërkoi 20 milionë lekë shtesë, ndërkohë që shefi i tij politik në qeveri i ka 8-fishuar buxhetin vetes.