Qeveria ka miratuar një projektligj, i cili çliron projektet strategjike nga detyrimi për të respektuar ligjet urbanistike. Sipas draftit, kushtet zhvillimore të projekteve strategjike përcaktohen pa kufizim nga Këshilli Kombëtar i Territorit përmes rregulloreve të veçanta.
“Për investimet strategjike, të miratura si të tilla me vendim të Komitetit të Invstimeve Strategjike, si dhe për zhvillimet prioritare sipas politikave të ministrive të linjës, përdorimi i tokës dhe kushtet e zhvillimit, pavarësisht nga parashikimet në dokumentet e planifikimit, përcaktohen në rregullore të veçantë, të miratuar nga KKTU-ja,” thuhet në projektligjin e miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Kjo do të thotë se investimet strategjike nuk kanë më detyrimin për të respektuar kufizimin urbanistike si në lartësi, intesitet apo në shfrytëzimin e tokës. Për shumë nga zonat bregdetare të vendit, kushtet urbanistike ndalojnë ndërtimet me kate të larta, por me këtë ndryshim ligjor Këshilli Kombëtar i Territorit do të ketë dorë të lirë të miratojë kulla pa kufij katesh në bregdet.
Përveç përjashtimit të investimeve strategjike, projektligji fuqizon më tej Këshillin Kombëtar të Territorit duke i dhënë atij edhe kompetencën e menaxhimit të burimeve ujore. Kjo kompetencë deri më tani ka qenë e Këshillit Kombëtar të Ujit. Ndryshimet në ligjin e Territorit vijnë në një kohë, kur maxhoranca ka hedhur për konsultim publik një tjetër ligj kontrovers, atë që i hap rrugë ndërtimeve në zonat e mbrojtura.
Ky ligj është propozuar nga një grup prej 12 deputetësh të Partisë Socialiste, por është kundërshtuar fuqishëm nga dhjetra organizata mjedisore, përfshirë ato ndërkombëtare për impaktet shkatërruese që do të ketë në betonizimin e zonave të mbrojtura të vendit./kapitali.al