Sali Berisha po bën gjithçka që ka në dorë për ta anatemuar, izoluar dhe sulmuar Lulzim Bashën, por ai nuk po arrin dot të ketë propozime politike që të konkurrojnë ato të ish-bashkëpunëtorit të tij.
Më 1 qershor të këtij viti, pasi Lulzim Basha prezantoi programin për zgjedhjet e ardhshme, ku ndër propozimet mori vëmendje ai për familjen dhe mbështetjen ekonomike të drejtpërdrejtë për fëmijët, Berisha nuk i rezistoi tundimit për të kopjuar idenë e Bashës, duke e brohoritur me fjalë të tjera nga maja e ballkonit.
Por kjo është vetëm një nga idetë e rrëmbyera nga Sali Berisha.
Tani që rifitoi lirinë që humbi pasi kundërshtoi kërkesën për paraqitje te SPAK, Berisha do të duhet të përballet me zgjedhjet, që e gjejnë të drobitur forcën politike që drejton, prandaj dhe po kërkon me ngulm qeveri teknike.
Propozimi për qeveri teknike është një ide e ngulitur në kujtesën publike nga Lulzim Basha, i cili arriti t’i imponojë Edi Ramës gjymtimin e qeverisjes së tij në vitin 2017, natyrisht edhe falë mbështetjes ndërkombëtare. Fatkeqësisht, qeveria teknike nuk arriti të kufizojë blerjen e votës dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar, siç dëshmoi dosja 339, ku bandat e Shijakut vepronin në shërbim të mikut të fushatës zgjedhore të PS-së.
Prej disa muajsh, Berisha e ka kthyer në një refren të përditshëm kërkesën për qeveri teknike, e cila sot u pasurua nga ai me një tjetër propozim të shpallur publikisht nga Lulzim Basha: futjen e qeverisë kujdestare në Kushtetutë për një periudhë të gjatë kohore.
Berisha kërkon që qeveria teknike të jetë një model për disa vite në vijim, duke kopjuar kështu propozimin e Lulzim Bashës, i cili në platformën e tij për ndryshime kushtetuese të marsit 2020 propozonte që, derisa demokracia shqiptare të maturonte me integrimin në BE, 100 ditë përpara zgjedhjeve, në Shqipëri të ngrihej një qeveri kujdestare.
“Derisa Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, 100 ditë para zgjedhjeve shqiptarët të kenë një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, për të garantuar zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë,” – propozonte Basha për vizionin e tij për reformën zgjedhore.
Siç tregon edhe video, kërkesa është një kopje e idesë së Bashës, veçse problemi qëndron te fakti se, kur i erdhi mundësia në dorë për të negociuar këtë propozim të kopjuar keq, Berisha nuk ngriti këto pretendime përballë socialistëve, duke kërkuar sanksionimin në Kushtetutë, siç riciklon sot kërkesën e hershme të Bashës, por zgjodhi të mbyllte listat duke bashkuar votat me Edi Ramën.
Pra, vjedhja e propozimit nuk tregon vetëm shkretëtirën e ideve të grupimit të tij politik, por na kujton edhe hipokrizinë e qëndrimeve të Sali Berishës. Jo mbi Lulzim Bashën, që e ka akuzuar dhe sulmuar pafundësisht, sepse, siç e thotë dhe Berisha, “deklaratat politike nuk kanë asnjë vlerë,” por për seriozitetin e kauzës së tij. Pasi, kur iu dha mundësia të merrte qeverinë teknike, e la atë në harresë për të marrë në këmbim mbylljen e listave, ku synon të fusë ushtarët e tij.
Prandaj, kur e dëgjon tani që nuk ka më gjë në dorë, sepse përpara kauzës së demokratëve zgjodhi marrëveshjen me Edi Ramën në mbrojtje të ndryshimeve të 2008-ës, mbetet vetëm një kopjac i keq i një ideje të mirë.