Qeveria tenton edhe një herë rikthimin e importit të plehrave

Nga Elira Kadriu

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ky projektligj është publikuar më 18 gusht dhe faza e konsultimeve do të qëndrojë e hapur deri më 16 shtator. Nisma parashikon lejimin e importit të plehrave, një çështje e shumë debatuar në shoqërinë shqiptare.

“Për herë të katërt në 20 vjet na duhet të shpëtojmë edhe një herë Shqipërinë nga plehrat”- ka shkruar në rrjetet sociale ambientalisti Lavdosh Ferruni.

Dhjetëra protesta të shoqërisë civile që prej vitit 2016 sollën tërheqjen e qeveirsë nga importi i plehrave. Duket se një skenar i ngjashëm mund të përsëritet në 2024 nëse grupet e interesit do të anashkalohen.

”Nuk na kanë thirrur akoma në seancë, jemi në pritje. Kjo është hera e katërt që ata po tentojnë, herën e tretë na anashkaluan, ne zhvilluam protestat në shesh që ata u detyruan të na thërrasin. Ata s’mund të na anashkalojnë përndryshe do thërrasim njerëzit në protestë” – analizon për Citizens Andi Tepelena, bashkëthemelues i AKIP (Aleanca Kundër Importit të Plehrave).

Projektligji parashikon përjashtohen nga fusha e veprimit mbetjet që rregullohen me ligj të të posaçëm si ato radioaktive, lëndët plasëse të çaktivizuara, anijet e dala jashtë përdorimit, shkarkimet e gazta në atmosferë etj. Përfaqësuesit e AKIP shprehen kundër këtij projektligji që sipas tyre synon kontrollin dhe monitorimin e importit të mbetjeve, që do të realizohet nën petkun e “mbetjeve të gjelbra”.

“I qëndrojmë retorikës zero import të mbetjeve, sepse e dimë fare mirë që kontrolli është ai që është, nuk ka monitorim të çfarë lloj mbetjesh do kalojnë. Këto do shkojnë në funksion të industrisë së riciklimit, që nuk janë as brenda normave, ata ndotin në mënyrë të tmerrshme për vete”- përfundon Tepelena.

Aktualisht menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri rregullohet nga ligji nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i ndryshuar, i cili në vitin e miratimit të tij mbante shënimin se ligji ishte përafruar plotësisht me Direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 19 nëntor 2008.

“Si rrjedhojë e ndryshimeve të Direktivës kuadër të mbetjeve dhe akteve të tjera të BE-së për menaxhimin e mbetjeve, lind edhe nevoja e përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit shqiptar për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Kjo nevojë është theksuar edhe nga Komisioni Evropian në progres raportin e vitit 2023 për Shqipërinë” – thekson relacioni i projektligjit.

Historiku politik i çështjes së lejimit të importit të plehrave
Përpjekjet për importin e plehrave kanë nisur që në 2004 dhe me projektligjin e ri të propozuar përpara dy ditësh duket se do të ketë zhvillime të reja.

Në vitin 2004, kryeministri Fatos Nano nënshkroi një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë për importin dhe riciklimin e plehrave. Kur drafti i marrëveshjes u bë publik ish kryeministrin e akuzuan së marrëveshja ishte bërë për të favorizuar biznesmenin italian Francesco Becchettin, i cili aktualisht pret të marrë dëmshpërblimin prej 135 milionë eurove nga vendi ynë, sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut.

Në vitin 2009 qeveria Berisha nisi hartimin e një projektligji për importimin dhe riciklimin e mbetjeve. Partia Socialiste dhe shoqëria civile e kundërshtuan dhe protestuan kundër miratimit të tij në Kuvend.

Në shtator 2011, pavarësisht kundërshtimeve, ligji për menaxhimin e mbetjeve u votua në Kuvend me 76 vota pro.

Dy muaj pas votimit, Presidenti Bamir Topi riktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend, por mazhoranca e rrëzoi dekretin e presidentit me 71 vota.

Në vitin 2012, një bashkim qytetarësh dhe shoqatash të shoqërisë civile të njohur si Aleanca kundër Importit të Plehrave (AKIP) mblodhi rreth 64 mijë firma për mbajtjen e referendumit kundër importit të mbetjeve.

Firmat u dorëzuan në KQZ në mars 2012. Në mars të 2013-ës, Gjykata Kushtetuese u shpreh pro mbajtjes së referendumit pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2013.

Ndalimi i importit dhe riciklimit të plehrave u kthye në një nga premtimet kryesore të kreut të PS Edi Rama gjatë fushatës elektorale të vitit 2013.

Me ardhjen në pushtet, vendimi i parë që mori qeveria Rama ishte miratimi i projektligjit për shfuqizimin e ligjit të vitit 2011. Por në vitin 2016, Rama veproi totalisht ndryshe dhe vendosi të tentojë sërish importin e plehrave. Projektligji u miratua në parlament, por u kthye nga ish-presidenti Bujar Nishani dhe ngeci pasi ish-aleati i Ramës, Ilir Meta dhe LSI, nuk lejuan rrëzimin e dekretit të Nishanit./ Citizens.al

Exit mobile version