Mbyllja e Sanatoriumit shembull skandaloz i keqmenaxhimit të situatës
DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, GAZMEND KODUZI, ANËTAR I GRUPIT TË EKSPERTËVE NË PD
Prej disa javësh, strukturat më të rëndësishme spitalore kanë ndërprerë shërbimet për të sëmurët kronikë, pasi Edi Rama ka vendosur që qytetarët, të cilët nuk vuajnë nga COVID-i, nuk bëjnë pjesë në statistikat që atij i interesojnë. Shëndeti i tyre mund të përkeqësohet, ata mund të vdesin, por përsa kohë, nuk kanë lidhje me COVID-in, për Edi Ramën nuk kanë asnjë rëndësi.
Qeveria, përtej çdo arsyetimi të logjikshëm, vazhdon të mbajë spitalet mbyllur për qytetarët. Kjo situatë është e pandryshueshme, megjithëse shifrat e prodhurara nga vetë qeveria, tregojnë se piku ka kaluar.
Spitali i sanatoriumit “Shefqet Ndroqi” është shembulli më skandaloz sesi qeveria ka ndërprerë çdo shërbim të mirëfilltë dhe specifik në këtë spital për pacientët që nuk kanë COVID. Ka vendosur të bllokojë një spital me 120 shtretër për 5 të sëmurë nga virusi, të cilët, fare mirë mund të marrin shërbimin e specializuar tek spitali infektiv, i cili ka më pak se 30 të shtruar. E njëjta situatë është edhe në QSUT, ku ofrohen shërbime shëndetësore në rang kombëtar.
Sistemi shëndetësor është i gjithi në kolaps, por, sipas vendimit të qeverisë, nëse nuk je i sëmurë me COVID, nuk mund të marrësh shërbim në spital. Kushti i vetëm për t’u operuar, është të jesh në gjendje të rëndë për jetën, përndryshe duhet të përplasesh në privat, sepse kështu ka vendosur Edi Rama. Kjo është e padrejtë!
Mohimi për kurim në spital publik i qytetarëve është kriminal. Vendimi absurd i Edi Ramës për të mos lejuar qytetarët të kurohen në shumë prej spitaleve publike, pasi i ka kthyer ato në spitale COVID, është absurd.
Përveç pacientëve që kanë nevojë jetike të kurohen në Sanatorium, me mijëra të sëmurë kronikë janë lënë, gjithashtu, në mëshirë të fatit. Mjeku specialist apo i familjes është urdhëruar të mos bëjë asnjë vizitë kontrolli, por vetëm të lëshojë receta online.
Kjo ndodh sepse qeveria i ka lënë të pambrojtur dhe nuk i ka pajisur siç duhet që të mos detyrohen të ndërpresin shërbimin e detyruar për qytetarët me sëmundje kronike. Vendimi skandaloz i Edi Ramës për të mbyllur kaq gjatë sistemin shëndetësor i lë shqiptarët para dy alternativave të rënda: përkeqësimin e shëndetit, megjithëse nuk janë të prekur nga COVID-i ose përkeqësimin e gjendjes së tyre ekonomike, për shkak të faturave të larta që duhet të paguajnë në sektorin privat.
Lehtësimi i vuajtjeve të qytetarëve të sëmurë dhe jo llogaritë politike me COVID duhet të jenë priorirteti më kryesor i qeverisë.