Qeverinë e tremb e vërteta e opozitës

Ridvan Bode

Diskutimi i nismës së Grupit Parlamentar të PD-së në këtë seancë në fakt ngre një nga çështjet më thelbësore që ka të bëjë me parlamentarizmin në Shqipëri, me sistemin tonë politik. Është thelbësore për faktin që Parlamenti ka për mision për të monitoruar qeverinë, për të bërë transparencën e qeverisjes dhe për të adresuar përmes një procesi ligjvënës të gjithë problematikën që vjen nga ky monitorim. Dy janë instrumentet e Parlamentit. Është KLSH që monitoron përmes procedurave të veta dhe është vetë Parlamenti që përmes komisioneve hetimore parlamentare, një mision që i takon opozitës, bën monitorimin e çështjeve të veçanta, të problemve të caktuara për t’i kërkuar më tej adresimin e tyre.
Historia e këtij Parlamenti ka treguar që qeveria ka vendosur në kontroll të plotë tërësisht Parlamentin. Qeveria nuk është e interesuar për parlamentarizëm, por përkundrazi po punon çdo ditë për të denigruar rolin e Parlamentit në shoqërinë tonë, që nga mbushja e Parlamentit me njerëz me precedent penalë, që nga mënyra e funksionimit të Parlamentit ku bllokohet çdo nismë dhe iniciativë e opozitës, ulja e rolit të Parlamentit në çdo proces ligjvënës dhe monitorues. KLSH sjell një raport prej 800 milionë eurosh dëme dhe në vend të reflektimit të Parlamentit për çështjet e ngritura dhe sugjerimet e bëra, mazhoranca hidhet e gjitha në sulm për të denigruar këtë raport për ta bërë atë hiç dhe zero. Opozita propozon ngritjen e komisioneve hetimore dhe mazhoranca është kontributore për të bllokuar çdo nismë e tentativë të opozitës për të monitoruar.
Është e vërtetë që historia e komisioneve hetimore nuk është histori tepër fatlume, pasi shpesh është bllokuar për shkak të këtij reagimi të mazhorancës në përfundime që nuk kanë gjetur zbatim as nga institucionet e komanduara për të marrë në konsideratë faktet e nxjerra nga një komision hetimor. Por kjo nuk duhet të ulë rolin dhe të deningrojë rolin e Parlamentit në të gjithë këtë process të mbikëqyrjes të qeverisjes. Roli i opozitës është zvogëluar me dashje, sepse qeveria kërkon që me demagogjinë e saj, e cila flet për një Shqipëri virtuale dhe jo për atë që përjetojnë qytetarët, të mund ta bëjë refren të të gjithë debatit të saj edhe këtu në aulën e Parlamentit. Ka mbetur që vetëm disa raporte apo deklarata të institucioneve ndërkombëtare që të mund të kontribuojnë për transparencën në këtë vend duke akuzuar, duke ngritur problemet, duke adresuar problematikat që lidhen me qeverisjen. Mirëpo edhe në këto raste, siç jemi edhe dëshmitarë edhe sot, qeveria përpiqet që dështimet t’i shesë për arritje. Sot, thuhet për të mos pasur negociata me Shqipërinë dhe këtu dilet me deklarata për mbështetjen e madhe që u japin institucioneve shqiptare për të plotësuar kriteret për hapjen e negociatave. Ka 3 vjet që nuk hapen negociatat dhe këtu flasin për suksese të mëdha dhe për arritje të kësaj qeverie. Dhe nëse do ishte kështu, negociatat do të ishin hapur me kohë.
Duhen raportet e disa institucioneve për të marrë vesh se çfarë ndodh në Shqipëri. Banka Botërore në raportin e Doing Bussines, deklaroi disa muaj më parë se Shqipëria ka zbritur me 35 vende dhe qeveria e shet përsëri si një arritje të madhe. Edhe në këtë raport, u desh të deklarohet se për mundësitë e të bërit biznes në Shqipëri se për taksat që ka Shqipëria, thuhet se ka humbur 11 vende në krahasim me vetë këtë qeveri dhe me 16 vende në raport me vitin 2013 dhe qeveria sërish deklaron se ka arritje dhe suksese të mëdha. U desh FMN-ja të dilte me deklaratë kundër për koncesione, për të filluar reflektim dhe për të patur kujdes, sepse me koncensionet po rrënohet stabiliteti financiar i vendit. U deshën raportet nga BE për të kuptuar qytetarët që Shqipëria ishte vendi kryesor i trafikut të drogës, të kanabisit për në vendet e BE-së.  U desh raporti i Bankës Botërore për të mësuar një sërë të vërtetash për ekonominë shqiptare dhe përsëri ministri e nxjerr si një arritje të madhe të kësaj qeverie. U desh Freedom House që të deklaronte dy ditë më parë se korrupsioni në Shqipëri është shndërruar në elementin kryesor të qeverisjes, deklaratë e bërë për herë të parë dhe vetëm njëherë në vitin 2004 dhe ku 40-45% e tenderave janë me prokurim të drejtpërdrejtë. Dhe ne jemi sot në të njëjtin stad ku rreth 40% e tenderave janë me prokurim të drejtpërdrejtë dhe fituesit në tendera dalin me mesatarisht 99% të vlerës limit të lejuar për prokurim. Po ashtu, duheshin Dhomat e Tregtisë të huaja në Shqipëri për t’ia plasur në sy ministrit e për t’i thënë që Shqipëria është vend i papreferuar për investime. Del Dhoma Gjermane e Tregtarisë, vend kryesor i ekonomisë së BE-së që flet fare hapur dhe deklarata e saj ka një peshë dhe besueshmëri që kapërcen të gjithë këtë qeveri. E pra, Shqipëria është vendi më i papreferuar për të investuar.
Pse ndodh një gjë e tillë? Sepse qeveria veç bllokimit të kontrollit dhe monitorimit të saj, ka bllokuar tërësisht edhe transparencën e domosdoshme të ngarkuar me ligj, ka bllokuar statistikat e vetë qeverisë. Ministri foli për arritje, por nuk u tha shqiptarëve se për çfarë, arsyet se pse nuk u tha pse ka 4 muaj që nuk publikohen statistikat fiskale, të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit. Ka qenë praktikë që në datën 12 të muajit pasardhës ato publikoheshin. Sot jemi në mes të muajit prill dhe ende nuk janë publikuar statistikat e dhjetorit, janar, shkurt dhe as të marsit. Qeveria del e publikon listat me suksese, por i fshihet si djalli nga temjani të vërtetave që vijnë nga statistikat e vetë qeverisë. Nuk ka ndodhur kurrë më parë ndonjëherë që të fshihen statistikat zyrtare përpara opinionit publik dhe kjo po ndodh aktualisht. Ky është niveli i transparencës që kësaj qeverie. U desh të mësojmë nga Banka Botërore, që në vitin 2015 në arkën e shtetit munguan 400 milionë dollarë nga taksat dhe i gjithë axhustimi fiskal është i vetmi vend në rajon që vjen prej shkurtimeve të shpenzimeve, duke pakësuar investimet publike, duke pakësuar shpenzimet sociale për njerëzit në nevojë, duke bllokuar rritjen e pagave, ndërkohë që çmimet rriten si dhe duke bllokuar rritjen e pensioneve. Ja ku e keni në raport ku thuhet, se i vetmi vend që në përpjekje për të axhustuar gropën e madhe të financave shkurton vetëm shpenzimet dhe kontributi i të ardhurave është zero, e madje është minus.
Qeveria nuk bën transparencë dhe nuk lejon as opozutën për të bërë transparencë. Qeveria deklaron se jemi një vend me rritje ekonomike. Është 2.6% në vitin 2015 dhe qenkemi 0.5% më lart se mesatarja e rajonit. Këtë thotë qeveria dhe këtë thotë e Banka Botërore, por në detaje kjo bankë por edhe vetë INSTAT thotë se, bujqësia ka rënë me 2%, që industria ka rënë me 3% në 2015. E pra, këto janë dy degët e industrisë ku punojnë dhe ushqehen shqiptarët. Statistikat tona se rritjen më të madhe në 2015 e paska dhënë dega e ekonomisë, arte, argëtim dhe çlodhje me 15.25% është rritur kjo degë e ekonomisë, dhe shqiptarët marrin rrugët e Europës dhe sipas kryeministrit nuk shkojnë për të punuar se ka punë me bollëk këtu. 80 mijë njerëz ikën nga Shqipëria, por ne jemi vendi i atraksionit dhe ata kanë ikur për atraksion dhe se punë paskemi boll në Shqipëri. Dhe çfarë ndodh, ndërtimi është dega kryesore që ka rritje ekonomike në 2015 me 12. % dhe rritja ekonomike ka ardhur nga ky sektor. Kur e dëgjuam menduam se na gënjejnë, sepse këtu ka një monatorium për ndërtimet dhe s’ka ndërtime dhe se invetimet publike kanë rënë dhe qeveria deklaron se investimet e rritën ekonominë, por kur lexon Bankën Botërore, sepse qeveria nuk i tregon, se ndërtimi është rritur vetëm për shkak të një investimi privat me 560 milionë euro në hidrocentralin e Devollit dhe që do të thotë 5 pikë përqindje dhe është kontratë e lidhur në qeverisjen e PD-së, do të thotë që ekonomia shqiptare vetëm nga ky investim është rritur me 5% dhe në kushtet kur jemi rritur me 2.6%, do të thotë që ekonomia reale dhe funksionale, atje ku punojnë dhe hanë shqiptarët është ulur me 2.4% dhe kjo është arsyeja pse ka rënë bujqësia dhe industria, dhe kjo është arsyeja se pse kanë rënë të ardhurat në vitin 2015. Kjo është arsyeja pse ka rënë konsumi në 2015, pse është rritur varfëria, papunësia etj., por qeveria me statistikat del e mburret. Ai është një investim shumë i rëndësishëm, por shqiptarët atë sot as e hanë dhe as e pijnë atë investim. Shqiptarët janë të papunë. Për të vazhduar me statistikat e tjera të qeverisë që konsumi, dhe është i vetmi vend në rajon, që në rënie. Statistikat e Bankës Botërore flasin për rënie të konsumit me 2.6% në vitin 2015. Pra ne hamë më pak dhe investojmë më pak, por ne jemi rritur dhe qeveria është në rregull dhe tund kartën e rritjes ekonomike për shkak të hidrocentralit.
Na u tha që papunësia është në rënie. Në të vërtetë, Banka Botërore thotë një shifër alarmante. Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku ka rritje të ekonomisë dhe rritje të papunësisë, por edhe kjo është një statistikë që i shkon për shkak qeverisë. Qeveria thotë që është rritur edhe përmes import/eksporteve dhe që janë eksportet që kanë mbështetur rritjen e ekonomisë. Po çfarë del nga të dhënat e BB-së?! Vija e kuqe në tabelë është Shqipëria dhe është i fundit vend në rajon në dy dhe 3 vitet e fundit për vëllimin e eksporteve dhe ndërkohë që ka qenë vendi për rritjen më të madhe të eksporteve edhe në kohën e krizës. Është vendi i fundit dhe qeveria deklaron se jemi rritur për shkak të rritjes së eksporteve, ndërsa statistika e INSTAT-it thotë se, eksportet kanë rënë me 7.7% në vitin 2015 dhe importet me 2.2%. Megjithatë edhe me dështimet dhe ndrydhjen e ekonomisë, qeveria bën politikë dhe argumenton rritje për ekonominë. Qeveria thotë se, ka rritje ekonomike, por kreditimi i ekonomisë ka rënë. Ende nuk kanë të njëjtin nivel sa qershori i vitit 2013, kur erdhën në pushtet dhe është 3.4% më pak dhe gjithnjë e më shumë ekonomia është në këtë pamundësi të kreditimit të saj.
Me çfarë u rrit ekonomia jonë?! Shikoni se çfarë ndodh ndonëse qeveria thotë kemi bërë progres të madh. Por sipas BB-së, Shqipëria është vendi i fundit në rajon për shkallën e mobilizimit të depozitave të kursimit për t’i investuar në ekonomi. Është vend i fundit, por po ashtu Shqipëria është vendi i parë për nivelin e kredive të këqia. Kanë qenë që kreditë e këqia kanë qenë për shkak të qeverisjes së mëparshme, por nuk thonë kështu statistikat. Qeveria thotë edhe se po ulim varfërinë, por ka disa tregues që janë realisht kundër saj si papunësia në rritje, sepse nga 28.5% ka shkuar në 32.3% sipas Bankës Botërore, të ardhurat nga puna janë në rënie dhe këtë e thotë një raport i FMN-së dhe BSH-së me një shifër prej 6 % të të ardhurave nga puna. Indeksi i çmimeve ësjtë burimi i të ardhurave të qytetarëve thotë qeveria, por për atë që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve janë ushqimet dhe ato janë rritur me 2.2 edhe pse inflacioni është me 0.5%. Ky inflacion do të ishte më i lartë po të shohim se çmimi i frutave ka një rënie me 17 % çka do të thotë se të ardhurat e fermerëve shqiptarë ka rënë. Kjo po e bën rritjen e mirëqenies së njerëzve?! Kur të gjitha çmimet e ardhura nga importi janë në rritje e që në fakt duhet të ishin në rënie. Pra nga të gjitha këto del e qartë, që qeveria mundohet të bëjë politikë, duke shitur si sukses atë që në vetvete përbën thelbin e dështimeve të saj. Sepse nuk ka statistika, nuk ka transparencë, sepse japin vetëm shifra globale dhe dalin e deklarojnë asgjë prej shifrave reale ndaj dhe roli i opozitës për të bërë transparencën dhe për t’u thënë të vërtetat shqiptarëve, që ata i dinë më mirë se ne, është i domosdoshëm. Po bëhet një distancë e madhe e këtij Kuvendi në raport me hallet e njerëzve, pikërisht duke dëgjuar tellallë të kryeministrit që dalin këtu e mburren kur janë tërësisht të dështuar. Ndaj u themi të mbështesni propozimin tonë për të pasur një punë më efikase të komisioneve hetimore parlamentare.

Exit mobile version