Nga Enver Bytyçi
Një valë akuzash ka përfshi medien e Tiranës për atë çka qeveria ka inskenuar si “tradhti e opozitës ndaj banorëve të Astirit”. Edhe kësaj radhe fuqia mediatike dhe mendja diabolike e propagandës qeveritare funksionoi jo pak. Vëmendja u devijuaderi diku nga përgjegjësitë e shtetit dhe policisë së saj për dhunën e egër të ushtruar kundër banorëve të pafaj, te opozita shqiptare, e cila në mbi 100 ditë nuk i la asnjëherë vetëm protestuesit e dhunuar!
Avokati i Popullit në raportin e sotëm ka shpjeguar me detaje dhunën dhe terrorin policor në zonën e Astirit, ku u keqtrajtuan deri në plagosje, fëmijë, gra, burra dhe pleq, të sëmurë e njerëzit e vobektë. Një dhunë e tillë shpesh herë trajtohet si pasojë e mungesës së demokracisë. Po. Kjo është e saktë.
Por fakt është se edhe dinastitë e lashtësisë, të antikitetit, mesjetës e inkuizicionit, si dhe perandoritë kanë mbijetuar përmes një ekuilibri drejtësie e humanizmi në ushtrimin e pushtetit. Ato, nëse përdornin dhunën e Edi Ramës, i kishin ditët e javët e numëruara. Dhe jemi ne shqiptarët që siç thotë At Zef Pllumbi, me na e” fut opangën n’gojë nuk bzajmë”. Por kur është fjala me transferu kritikën nga fajtori hajdut te roja e vreshtit, jemi kampionë!
Qeveria Rama është një specie jashtëtokësore. Nuk ka asnjë minimum humanizmi, drejtësie dhe baraspeshe në ushtrimin e funksioneve të saj. I vetmi mjet që ajo përdor kundër kujtdo që i del përpara është dhuna. Por për fatin e keq të shqiptarëve e gjitha kjo shoqërohet nga një fenomen unikal në historinë moderne, nga një propagandë dhe kundër propagandë shfrenuese, së cilës jo pak shqiptarë i besojnë.
Në zyrat e kryeministrisë dhe bashkisë së Tiranës janë instaluar shtabet e propagandës. Këto shtabe drejtohen nga eksponentë ose fryma e sigurimit të shtetit të kohës së diktaturës. Kjo kategori e regjimit të kaluar ishte në vitin 1992 kontigjenti më i trembur nga ndryshimi i sistemit. Fillimisht u tulat, u çorodit, por shpejt e kapi veten, duke përfituar dhe nga gabimet e Partisë Demokratike pa eksperiencë në pushtet.
Organizoi dhe drejtoi vitin e mbrapshtë 1997. Thuhet se ai vit ishte pasojë e keqqeverisjes së Berishës. Por Edi Rama e rrëzoi edhe këtë hipotezë. Nëse viti i anarkisë dhe dhunës së vitit 1997 do të ishte produkt i qeverisjes së PD-së, atëherë vitet e qeverisjes së Edi Ramës do të duhej të sillnin ferrin e këtij vendi, fundin tragjik të tij.
Në fakt ferri i shqiptarëve ka ardhur me rilindjen në qeverisje. Por është sigurimi i shtetit që e mban në këmbë. Shtabi i propagandës i ngjan si dy pika uji kohës së diktaturës. Dhuna që ushtrohet mbi qytetarët është modeli tipik i dhunës së policisë sekrete të fashizmit e komunizmit bashkë.
Përhapja e korrupsionit, trafiqeve dhe ngjarjet kriminale duket qartë se zhvillohen sipas eksperiencës së ish-sigurimit të shtetit. Por edhe emrat e personave që kontribuojnë drejtpërdrejt në këto fusha janë po ashtu të familjes kriminale të ish-sigurimit të shtetit.
Një fakt: Edi Rama caktoi 12 oficerë të gardës së vjetër si prefektë në 12 qarqet e Shqipërisë. Dhe pas kësaj caktoi me dhunë një gjeneral nostalgjik të atij regjimi në krye të ministrisë së Punëve të Brendshme. Lista e personave të lidhur me kupolën e regjimit të kaluar dhe sigurimin e shtetit komunist është pa fund.
Shtoji kësaj dhe metodikat e reja alias Erion Veliaj të propagandës dhe secili duhet të kuptojë që opozita shqiptare nuk përballet vetëm me një oligarki klasike politike dhe financiare në pushtet. Ajo përballet me një përbindësh. Por opozita është e duhet të jetë e dënuar ta mposhtë këtë përbindësh, ndryshe Shqipëria do të na zhduket nga harta politike e botës.
Sigurimi i shtetit komunist është ristrukturuar dhe shërben si shtab luftarak në organizatën terroriste të Rilindjes. Ashtu si vepronte mafia shtetërore e sigurimit të shtetit në kohën e diktaturës, edhe kjo e sotmja shfrytëzoi errësirën e para-mëngjesit për t’i tmerruar fëmijët e vegjël e njerëzit e pa mbrojtur dhe për të realizuar aktin terrorist shtetëror për shkatërrim në emër të korrupsionit të strehës së shqiptarëve të vuajtur.
Përfaqësuesit e opozitës sapo i njoftuan për “kaçakët e ferrës”, u ngritën dhe shkuan në vendngjarje. Megjithatë një protestues i porositur lëshoi aty nga ora tetë e mëngjesit kritikën e ashpër për “mungesën e opozitës” në mbrojtje të qytetarëve. Kësisoj nisi fushata. Gazetarët që njihnin regjinë provokuan me pyetje liderin e opozitës te spitali i traumës.
Shtabi i sigurimit, të shtetit i instaluar pranë rilindjes, në fakt kishte hartuar dy plane. Një plan A që parashikonte pjesëmarrjen e Lulzim Bashës në mbrojtje të banorëve. Dhe një plan B, që do të ushqente gardën mediatike pro-qeveritare me lajmin e rrejshëm se “opozita mungon” në protestë. Plani A dështoi, sepse kreu i opozitës nuk ra në grackë. Nuk pranoi të bëhej ushqim i propagandës së Edi Ramës si “frymëzues i dhunës”!
Kur Lulzim Basha vizitoi qytetarët e dhunuar te spitali i Traumës, u dha porosia e prerë: – Pyeteni kryetarin e opozitës pse nuk u doli në mbrojtje banorëve të dhunuar të Astirit! Shkurt duhej ngritur në art kritika ndaj opozitës. Dhe kështu ndodhi. Një pjesë e opinionit publik dhe media qeveritare u mor me opozitën. Ai “që vodhi lopën”, shteti, policia që dhunoi njerëzit, ata që helmuan me gaz dhe morën zvarrë 80 vjeçarë, gra dhe fëmijë e që u thyen hundët e kockat qytetarëve të pafajshëm, këta pra nuk kishin asnjë faj.
Mënyrë perverse e perfekte për ta çorientuar publikun, për t’i dhënë drejtim të kundërt të vërtetës. Pjesë e këtij provokimi u bënë jo pak demokratë. Ndër ka ka plot prej atyre që “Për inat të vjehrrës shkojnë e flenë me mulligjinë”! Derisa shqiptarët të kuptojnë se qeverisja gangstere e Edi Ramës dhe propaganda e tij e mashtrimit janë burimi i katastrofave tona, deri atëherë secili prej nesh do ta ketë fatin e banorëve të Astirit!