Qeverisja ka mbetur pa popull që e dëgjon

Nga Gjergj Erebara

Ndodhi para ca kohësh, para se kryeministri Edi Rama të mbante një fjalim që zgjati për mbi dy orë dhe që, në variantin e zbardhur nga zyra e tij numëronte mbi 12 mijë fjalë, që Rama, para se të mbante fjalimin, njoftoi ndjekësit e tij në Facebook dhe i sugjeroi atyre që ta dëgjonin ndërsa u shpreh i bindur se dëgjuesit nuk do të bëheshin pishman për kohën e shpenzuar. Fjalimi ishte një skemë jashtëzakonisht e ngatërruar për të deklaruar se kryeministri “nuk ka faj” për korrupsionin e kudondodhur përreth tij, si dhe një përpjekje e dëshpëruar për të argumentuar para shqiptarëve se qeverisja e tij nuk është thjeshtë dhe vetëm një aktivitet korruptiv. Mes rreshtave, ai deklaroi se refuzon të mbajë përgjegjësi për korrupsionin dhe nuk e jep dorëheqjen, jo për hatër të pushtetit si sëmundje, por për “të mirën e kombit”. Sipas tij, Shqipëria nuk mund t’i mbijetojë një krize politike të shkaktuar nga dorëheqja e tij, kështu që ai nuk mund të bëjë asgjë tjetër përveçse të vijojë të qeverisë. Të thëna me një gjuhë të korruptuar, në kuptimin e stërhollimeve të panevojshme dhe kthesave e sajesave në fjali të gjata, një lexuesi të vëmendshëm i duhet shumë përqendrim dhe disa orë për të nxjerrë ndonjë kuptim prej fjalimit. Ndërsa sa i përket popullit të gjerë, ai i ka mundësitë të ndjekë pikat kryesore të transmetuara nga industria e propagandës qeveritare, nëse ka interes. Vetëm se nuk është e qartë që të dymbëdhjetëmijë fjalët që ai shqiptoi për të dhënë këto argumente, patën apo jo dëgjues.

“Komunikimi” ishte edhe fjala më e përdorur së fundmi në takimet e Ramës me strukturat e Partisë Socialiste apo të qeverisë sepse, siç tha Rama në një rast, partia e tij do të gjejë mënyrat që të rinovojë vetveten.

Theksimi i komunikimit nga ana e Ramës, mund të duket çuditës, nëse vëren se pjesa dërrmuese e të ashtuquajturës media konvencionale i shërben socialistëve me besnikëri të plotë, ndërsa pronarët e kësaj pjese dërrmuese, dhe po flasim për mbi 90% të të gjithë tregut televiziv, janë bërë shumë të pasur falë kontratave koncesionare apo statuseve të investitorëve strategjikë të Ramës. Dhe është gjithashtu çuditëse nëse vëren se edhe në të ashtuquajturën media sociale, qeveria ka kontroll thuajse të plotë pasi përmbajtja e saj është e mbushur në masë nga programet televizive soft-porno të medias proqeveritare si dhe nga “lajmet” e prodhuara nga qeveria dhe të shpërndara, ose drejtpërsëdrejti nga qeveria, ose përmes medias proqeveritare. Me një fjalë, ndërsa qeveria flet me bollëk dhe mjetet e transmetimit i ka në dispozicion të plotë me një të shtypur të butonit, në pamje të parë nuk kuptohet se çfarë mund të arrijë më shumë në këtë drejtim.

Në fakt, theksimi nga ana e Ramës, i komunikimit me popullin si diçka shumë e rëndësishme, nuk ka pse të çudisë kënd nëse marrim parasysh kontekstin në të cilin gjendemi. Përballë një opozite të pareformuar, një qeveri e kapur në mënyrë të përsëritur duke shpërdoruar paratë e taksapaguesve, apo në lidhje të ngushta me disa nga grupet kriminale më gjakatare të vendit, Rama nuk gjendet më sot me një problem përballë opozitës, por gjendet me një problem përballë popullit si i tëri. Dhe është një problem shumë i madh që ai ka.

Të kesh pushtet është njëra gjë dhe të kesh autoritet është krejt tjetër gjë. Ndërsa Rama dukshëm i ka të gjitha pushtetet, kontrollon qeverinë dhe e ka parlamentin një zyrë noteriale të vendimeve të tij, ku opozita, sa herë që i nevojitet, voton kërkesat e tij, fjala vjen, për amnisti për zyrtarët e korruptuar apo për reformë zgjedhore kundër demokracisë, Rama e ka autoritetin zero. Dhe është ky problemi i autoritetit, i cili është jashtëzakonisht shumë ndryshe nga pushteti, i cili është një cilësi politike që mund ta zbythë pushtetin në çdo kohë, ajo që shqetëson Ramën, problem të cilin, ai dukshëm mendon se mund ta zgjidhë me “më shumë komunikim”.

Problemi që ka qeveria sot është që, sfondi i skandaleve të panumërta korruptive, nga Lefter Koka e Arben Ahmetaj, te Ilir Beqaj e drejtorët e bashkisë, pa përmendur listën e gjatë të kryebashkiakëve e të zyrtarëve të tjerë, që të gjithë të dyshuar apo të dënuar, zhvillohet para një sfondi të realitetit praktik: Në spital, ndërsa njerëzit e sëmurë me kancer janë duke vdekur, në mënyrë kronike nuk ka ilaçe. Rrugët e vendit janë bërë një katrahurë me gropa. Era e qelbur e ujërave të zeza që derdhen drejtpërsëdrejti në det apo në lumenj ndjehet gjithkund dhe plehrat, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, po përmbysin shumicën e qyteteve kryesore të vendit. Ndërsa gjendja e shërbimeve publike të vendit është ajo që është, me ujësjellësa që nuk sjellin ujë por që kanë lënë 200 milionë euro fatura energjie të papaguara, ministrat e tij dhe ai vetë dorëzojnë çdo vit në një zyrë të shtetit të quajtur Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, deklarata të cilat, nën sfondin tjetër të procesit të vetingut, ngjajnë qesharake. Zyrtarë publikë, të cilët kanë të gjithë jetën që bëjnë asgjë veç rrogtarit të shtetit, rezultojnë sot milionerë me euro, ndërsa nëpër kongreset e partisë i drejtohen njëri-tjetrit me fjalën: Shoku, shoqja! Kjo, në fakt duhet të jetë maja e ajsbergut sepse milionat e kapura nga SPAK dhe vilat dhe pushimet luksoze në ato pak raste të korrupsionit të hetuar nuk janë pjesë e vetëdeklarimeve zyrtare të ministrave.

Të gjitha këto nuk do të thonë kurrsesi që Edi Rama dhe vetëm Rama, (sepse ai nuk ka askënd tjetër që të jetë në nivelin e të barabartit që të mund të ofrojë ide për qeverisjen), nuk ka ide të reja dhe novatore për ta çuar vendin përpara, apo, siç premton ai, për ta anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Problemi i tij është që, përballë skandaleve të panumërta të korrupsionit, pasurisë së jashtëzakonshme të qeverisë dhe mungesës së rregullt të ilaçeve te onkologjiku, qytetarët me shumë të drejtë mund t’i shumëzojnë me zero të gjitha idetë për zhvillimin e vendit, për largpamësinë qeverisëse, për integrime dhe të tjera si këto. Me të vërtetë vendi ka mbetur pa opozitë. Por kjo, incidentalisht ka krijuar edhe një qeveri e cila nuk ka popull për t’i folur. Në vend nuk ka mbetur popull për ta dëgjuar. Rama duket se flet me veten./reporter.al

Artikulli paraprakIntervista/ Virozat e stinës, pediatrja: Ç’ndodh nëse fëmija juaj sëmuret shpesh, mënyrat efikase për të rritur imunitetin te të vegjlit! Ja ushqimet që duhen hequr nga dieta e tyre
Artikulli tjetërPritej që të fliste në Parlamentin Evropian, Viktor Orban anulon të gjitha aktivitetet ndërkombëtare! Ja arsyeja