Qeverisja-Rama kërcënim serioz për statusin e RSH në NATO

Gjeneral ® Piro AHMETAJ
Këshilltar për Sigurinë Kombetare në PD

U përmbyll edhe estrada e “bilbilgjyzarëve-rrogëtar” në kuvend për projekt-buxhetin e vitit 2020, pasi ishte “debatuar” edhe në komisione, ku “prej leckash zvarrë në vallen-fasadë, ngërdheshen si për tu mëshiruar” edhe profesionistët e emëruar në funksione të larta shtetërore.

Për çdo vend normal demokratik, buxheti i vitit pasardhës përbën ngjarjen më serioze në kalendarin e kuvendit, pasi përtej shifrave artikulon performancën ekonomike të qeverisjes për vitin që lihet pas; adreson problemet, sfidat dhe mundësitë ndaj interesave të qytetarëve, shoqërisë dhe projekteve kombëtare; si dhe integron ambiciet, objektivat, kapacitetet financiare, dhe mbi të gjitha matricën e masave dhe përgjegjësive shtetërore për vitin pasardhës.

Megjithë përgjegjësinë që më është besuar nga Kryetari i PD zoti BASHA, subjekt i këtij opinioni nuk është këndvështrimi politik i buxhetit të mbrojtjes vetëm për 1 vit, por shqetësimi strategjik për qasjen delekuente përgjatë 6 viteve të qeverisë (2014 – 2019) që po lëme pas, çka përbën një rrezik serioz për ta nxjerrë (diskretituar) Shqipërinë nga axhenda e NATO-s.

Së pari, më duhet ta nënvizoj se, në të 29 vendet e NATO-s (dhe jo vetëm) debati për buxhetin e mbrojtjes është ngjarje më vete në axhendën e Kuvendit. Në dijeninë time, më shumë se modeste, përjashtim bën Koreja e Veriut, ku vetë-vendos: “lideri i madh, rrumbullak, i kullarisur dhe mirë-rruar”, pra: “as i gjatë, as me tumane, as i shpërfytyruar” = Kim Jong-u.

Kjo pasi në republikat parlamentare, “Kuvendi është institucioni i vetëm fuqiplotë” për realizimin e kontrollit demokratik mbi politikat buxhetore, por shërben edhe si test-prove për vizionin dhe përgjegjshmërinë e lidershipit, promovimin e konsensusit (tymi i bardhë) mbi çështjet e Sigurisë Kombëtare, dhe si “shkollë” për forcimin e demokracisë funsionale si e tërë.

Sigurisht, SHBA mbetet shembulli i fuqisë së demokracisë dhe përgjegjshmërisë shtetërore edhe në këtë fushë. Për ta ilustruar kujtojmë se, buxheti i mbrojtjes 2019 (rreth 740 miliard dollarë, përfshi edhe projektin e “Gjeneral Mattis & McMaster për hapësirën), më i madhi në historinë e njerëzimit, u miratua me konsensus në Senat, dhe përveç entuziazmit të ligjshëm te Presiedentit Trump pas miratimit, buxheti u pagëzua me emrin e ushtarakut legjendë, shtetarit brilant, mikut të madh të mbarë shqiptarëve, të ndriturit John McCain.

Edhe në Rumani, një mik/koleg më siguroi një referencë zyrtare, që tregon, “e zeza mbi të bardhë” se, kalendari i rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes për të arritur 2 % të GDP-së në 2024, është nënshkruar nga Kryeministri dhe Kryetari i opozitës zyrtare, si një demonstrim i konsensusit dhe përgjegjshmërisë shtetërore në raport me Sigurinë Kombëtare, përmbushjes së angazhimeve dhe statusin afatgjatë të Rumanisë në NATO.

Por, edhe në Shqipëri, shpresoj të mos jetë harruar FAKTI, se, përveç vetëm gjatë 6 viteve të qeverisjes-Rama dhe dy parlamenteve 2013 & 2017 (më të diskretituarit e historisë 107 vjeçare të shtetit shqiptar), edhe pse një “demokraci e brishtë”, për 20 vjet të tjera me radhë (1993 – 2013), për çështjet e sigurisë kombëtare për anëtarësimin në NATO, etj., me disa 10-ra rezoluta të përbashkëta janë miratuar në Kuvend me konsensus të gjerë. Si shëmbuj konkret, mund të përmendim, miratimi nga Kuvendi me pothuaj 140 vota: aplikimin për partneritetin me NATO-n (PfP – 1994); përgjegjësitë e statusit Apirant/MAP-1999; Strategjia e Sigurisë Kombëtare-2004); Ushtarake-2007; paketa drejt-anëtarësimit të plotë në NATO, Korrik 2008, etj.

Së dyti, në 8 vjet të qeverisjes së PD-së, përveç se u realizua anëtarësimi në NATO (2009), në vitin e fundit të mandatit (2012), në raportin zyrtar të NATO-s, Shqipëria përmbushi detyrimet teknike të anëtarësimit, duke u rreshuar me meritë: “ndër 5 vendet model midis 28 vendeve të NATO-s”. Me meritë, pasi: “arriti deri 2 % buxhetin e mbrojtjes; kontribuonte me 500 luftëtarë njëherësh (përfshi nga Policia e Shtetit) në operacionet (+ strukturat) e NATO-s, BE, UN; disa 100-ra milionë euro (rreth 30%) nga buxheti i mbrojtjes u shpenzuan me projekte madhore për modernizimin e kapaciteteve dhe efiçencës së Forcave të Armatosura, si dhe strukturave të Sigurisë Kombëtare, të tilla, si: blerjet e helikopterëve të gjeneratës së fundit (Cougar); prodhimin e anijeve të patrullimit; vëzhgimin e hapësirës detare; forca speciale elitare; detyrimet në fondin e përbashkët të Aleancës (NCF); nënëshkrimi i 10-ra marrëveshjeve mirëkuptimi & teknike me agjensinë e inteligjencës, korpuset e reagimit të shpejtë të NATO-s, etj.

Së treti, mbas vitit 2014, në më shumë se 6 vjet (pa përfshirë sukseset imagjinare në facebook, Tweeter-ve të Spiriopalit@co dhe llogjeve nga ballkoni i kuvendit mes Ramës & Gjuzit, etj), fatkeqësisht Shqipëria, ka bërë hapa të “frikshëm” mbrapa dhe është e rreshtuar e fundit fare mes 29 vendeve. Për më keq, kërcënon “karrigen me meritë mes të barabartëve” në tavolinën e NATO-s. Kështu ndodhi në Samitin e Londrës, para dy javësh (3-4 Dhjetor 2019), ku u ftuan të ulen me Presidentin Trump, “vetëm vendet serioze ndaj detyrimeve në NATO”, si: UK, Poloni, Rumani, Latvia, Estoni, etj, ku fatkeqësisht mungonte Shqipëria, “jo për veshjen, as për mjekrën e Kryeministrit”, por për sa në vijim:

Për uljen drastike në secilin nga 6 vitet që lamë pas (rreth 1 %) të shpenzimeve reale për mbrojten, pa konsideruar ‘rrëmbimet” e buxhetit me VKM dhe procedura “sekret” (për spitalin e traumës, emergjencat civile, si dhe shpenzimet për helikopterë, blerje pajisjesh lendeve lotësjellëse, pajisjeve mbrojtëse dhe shpërblimin e personelit të MB për “heroizmat” ndaj bashkëqytetarëve /demonstruesve të lirë), por edhe për shkak të pikëpyetjeve kritike për stabilitetin demokratik (nga vjedhja e votës, zgjedhjet moniste, si dhe kapja e shtetit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni); deformimin bolshevik i balancave të pushtetit; mos-ushtrimi dhe privatizimi i përgjegjësive kushtetuese në funksion të “axhendës të oligarkëve drejt qelisë = mbas meje qameti”; përdorimin e kapaciteteve të FA në kundërshtim flagrant me ligjin dhe vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese; emërimet politike në funksionet kushtetuese dhe ato të kontrollit-civil demokratik; klientelizmi, korrupsioni me Planin e Përhapjes/objektet dhe burimet e mbrojtjes së FA (dhjetëra infrastruktura, qindra objekte, dhe mijëra sipërfaqe,ju janë dorovitur familjarëve, pashallarëve dhe kamikazëve të partisë si në kohën e sulltanatës), etj. Një gjë është e sigurt, nuk do të vonojë, dhe do të përgjigjen ligjërisht, si ata që kanë “abuzuar shumë rëndë me përgjegjesitë shtetërore”, por adhe ata/o që për interesa sekserësh, do guxojnë të legjitimojnë shkelësit e ligjit.

Edhe njëherë, shkurtimisht për buxhetin, bashlëlidhur lexoni grafikun ilustrues të shpenzimeve në 28 vendet e NATO-s, për vitin 2017, ku gjeni se Shqipëria është renditur e fundit fare (me 145 milionë dollarë), pas Luxemburgut, që ka rreth 1000 personel në FA dhe ka alokuar pothuaj dyfishin e shpenzimeve (288 milionë dollarë). Siç dihet, përveç shifrave të ulura drastikisht, Qeveria Rama, në mbi 6 vjet ka mashtruar (në fakt vetë-veten), duke devijuar nga buxheti i mbrojtjes fonde me VKM, që firmosen pa marrë as “formalisht” nënëshkrimin e ministrit përkatës; pa as-dijeninë e Komandantit të Përgjithshëm, si dhe pa aprovimin e Kuvendit – fasadë. Kështu, shifrat e shpenzimeve konkrete, janë “kokëforte”, për të na treguar papërgjegshmërinë e qeverisë Rama, në raport me qasjen ndaj Sigurisë Kombëtare dhe pozitën zyrtare të RSH (e fundit) në NATO.

Do ishte “luks i madh” ti kërkonim kësaj qeverie, detaje të strukturës së shpenzimeve, por, nuk mundet të lëmë pa përmendur, se, përveç uljes drastike që përmendëm me lart, edhe devijimin kritik nga standardi i NATO-s: “40 % personel, 30 % operacione dhe mirëmbajtje, si dhe 30 % modernizim dhe infrastrukturë”. Ndërsa për çdo nga 6 vitet, nga 40 në rreth 60% të shpenzimeve janë parashikuar për personel dhe më pak se 8 % për modernizmin dhe mirëmbajtjen.

Lexuar kështu, shifrat dhe struktura e shpenzimeve të mbrojtjes, jo vetëm demaskojnë papërgjegjshmërinë e “frikshme” të qeverisë, por edhe shkeljen flagrante të ligjeve dhe angazhimeve zyrtare të miratuara në Kuvend, duke i trajtuar kështu ligjet dhe dokumentat strategjike si letra pa vlerë, inventar në sirtarët e zyrave të qeveritarëve.

Me këtë rast, shtoj se, për shtetet serioze perëndimore, institucionet, mekanizmat dhe kapacitetet e Sigurisë Kombëtare, nuk janë shoqatë bamirësie, organizatë jo-qeveritare, për shërbime komunale, por instrumente të fuqisë kombëtare me përgjegjësi kushtetuese. Si e tillë, Qeveritë kanë përgjegjësinë dhe detyrimin kushtetues të zhvillojnë kapacitete në dobi të sigurisë së jetës, pronës së qytetarëve, stabilitetit demokratik të shoqërisë dhe interesave mbarëkombëtare. Reagimi “pas tërmetit”, përveç gallataxhiut-Kryeministër, demonstroi mungesën kritike të kapaciteteve (buxhetit, pajisjeve, stërvitjeve, masave të integruara), pavarësisht respektit të merituar për solidaritetin mbarëshqiptar, përkushtimin konstant, sakrificat dhe vetëmohimin e paçmuar të personelit të emergjencave civile, ushtarakëve, Policisë së Shtetit, shëndetësisë, etj.

Së katërti, krahasuar me rajonin, psh: buxhetin e Serbisë për vitin 2019, me rreth 900 milionë dollarë, ose sa 6 vitet së bashku i buxhetit të mbrojtjes së RSH, si dhe ka modernizuar fuqinë ushtarake me 18 avionë Mig 29, helikopterë luftimi, tanke, trasportues dhe “kërcënon” NATO/SHBA, me raketa S-400, ka partneritet të privilegjuar në fushën ushtarke me Rusinë, Kinën, etj. Po ashtu, Kroacia shpenzon më shumë se 1 miliard dollarë për mbrojtjen, si dhe synon të bëhet vëndi lider për projekte serioze, me avjonë, helikopterë, mbrojtjen kibernetike, etj.

Për më tepër, i lexuar në një realitet gjeopolitik nga: “ambiciet dhe përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për rritjen e influencës në Ballkan dhe Mesdhe”; terrorizmi ndërkombëtar; pasojat e qeverisjes së dështuar; inkriminimi dhe diskretimitimi i institucioneve; korrupsioni; krimi i organizuar; trafiqet; kriza financiare, emergjencat civile, siguria e mjedisit, etj., kjo qasje e papërgjegjshme e qeverisë, demonstrohet si kërcënim i frikshëm ndaj sigurisë dhe interesave mbarë kombëtare.

Së pesti, në pozitën dhe rrethanat gjeostrategjike, mbas shpalljes se pavarësisë në 1912, gjykoj se anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut, mbetet arritje me peshë gjeopolitike, por edhe me rëndësi jetike për kombin tonë. Kjo përtej garantimit të tërësisë territoriale (artikulli 5), anëtarësimi është përmbushja e ëndrrës për afrimin me vlerat euroatlantike të mbarë shqiptarëve. Dhe kështu, pas anëtarësimit u hapi rrugë dhe u bë realitet “ëndrra e lëvizjes së lirë”, shërbeu si themel-sigurie i projekteve madhore (TAP), Rrugës së Kombit, investime të kompanive prestigjoze perëndimore, për sigurinë, ekonominë, mirëqenien dhe begatinë e bashkëqytetarëve.

Nga ana tjetër, NATO, nuk është as “foleja e propagandës për qeverisjet e 29 vendeve anëtare”, por një organizatë vitale në transformim të pandalshëm për të vitalizuar vlerat dhe kapacitetet e përbashkëta, në përballjen e shoqërisë me kërcënimet, sfidat dhe mundësitë e shekullit të 21. NATO nuk është as organizatë ALIENE (qiellore), as siguri e dhuruar (falas/for granted) njëherë e përgjithmonë. Trump, por jo vetëm, me të drejtë po kërkojnë ndarjen e barrës së përgjegjësive dhe vendosjen e partneritetit, karriges në tavolinën e NATO-s, mbi bazën e meritës.

tabelaNë shtesë, siç njihet gjerësisht niveli 2% GDP-se është kërkesë konstante dhe legjitime e SHBA, dhe e nënshkruar nga 29 Kryetarët e Shteteve të NATO-s (përfshi PM e papërgjegjshëm të RSH), në 5 Samitet e fundit përkatësisht në Wales, UK (2014), Varshavë – Poloni (2016), në dy Samitet e Brukselit (2017/2018), si dhe Londrës, 3-4 dhjetorit 2019.

Kështu, në përmbledhje nënvizoj me shqetësim, se, Qeveria-Rama ka dështuar “me turp” në përpjekjet prapagandistike për modernizimin e sistemit të mbrojtjes kombëtare dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të NATO-s”, çka jo vetëm që vë në vështirësi kritike nivelin e kapaciteteve për përmbushjen e misionit të institucioneve kushtetuese dhe strukturave shtetërore, për sigurinë e qytetarëve, por e vendos Shqipërinë në një pozitë të pabesueshme dhe të papërgjegjshme me NATO-n dhe aleatin strategjik SHBA.

Nën paranojën e përjetësimit të pushtetit (të vjedhur), Qeveria-Rama, në vend të marrë përgjegjësitë për rreshtimin në fund të listës dhe “rrezikimin e karriges së RSH në NATO”, për pasojat e kapjes së Kuvendit dhe institucioneve nga krimi, droga dhe korrupsioni, si dhe dështimin e aspiratës së integrimit të shoqërisë në familjen e vlerave perëndimore (BE), në më shumë se 6 vjet qeverisje, “bën llogje me gjuzin/arët në Kuvend”, qesëndis “si gratë e liga gjithë dynjanë”, si dhe gjen “armikun” ose te rivalët, kundërshtarët politikë, te opozita e Tiranës (fajin e ka Saliu, Basha, në mos vetë demokracia); armiqtë e jashtëm ose koalicion armiqësh njehëresh.

E fundit por jo nga rëndësia, dëshiroj ta përmbyll këtë shqetësim strategjik, me mesazhin e Presidentit të SHBA, Thomas Jeferson (1801-1809): “E gjitha për çfarë tiranitë (diktaturat) kanë nevojë për të mbijetuar, është që njerëzit me vetëdije të lartë të heshtin”.

Ndaj kam bërë zgjedhjen, i jam bashkuar me vetëdije sfidës: “për transformimin dhe modernizimin e sistemit të Sigurisë Kombëtare”, si dhe misionit të liderit perëndimor BASHA, që me vizion, me vepra (kontribues dhe nënëshkrues i anëtarësimit në NATO; lëvizjes së lirë, projektit TAP, Rrugës së Kombit, me 10-ra kompani prestigjoze me investime strategjike, etj), bën diferencën e përgjegjeshmerisë shtetërore, që jep shpresë, se me fuqinë e “votës së lirë”, të bashkuar, rreth vlerave, arritjeve dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike, do i`a dalim të tejkalojmë pasojat e kësaj qeverisje të dështuar, shtetit të kapur, të diskretituar dhe të marrosur, që: “guxon të bëjë pazare me sigurinë e qytetarëve dhe interesat Kombëtare (si rikthimi te shengenizimi/sllavizmi i ballkanit perëndimor), si dhe kërcënon seriozisht pozitën (karrigen) e RSH në NATO”, arritjen me peshë gjeopolitike dhe me rëndësi jetike për mbarë kombin.

Gjeneral ® PiroAHMETAJ
Zëvendës President i Këshillit të Atlantikut, dhe ish:
Këshilltar Ushtarak për dy President të Republikës; Zëvëndës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA; Përfaqësues Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s.

Exit mobile version