Që nga qershori i vitit 2023, Kosovës i janë vendosur disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Tani, gati dy vjet më vonë, ato më në fund po largohen dalëngadalë – me shumë paqartësi. Por, dëmi i shkaktuar deri më tani arrin qindra miliona euro.
Një raport i publikuar sot, nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, thotë se masat i kanë kushtuar Kosovës rreth 615 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyera në afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur pasi janë tejkaluar afatet e lejuara.
“Këto vonesa në fillimin e zbatimit të projekteve nënkuptojnë shtyrje ose humbje të mundësive për rritje, zhvillim dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, si dhe ndikojnë negativisht perspektivën për integrim evropian”, thuhet në komunikatën e Institutit GAP.
Pse u vendosën masat dhe si po hiqen ato?
BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të Qeverisë së Kosovës në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.
Që atëherë, liderët politikë të Kosovës kanë bërë thirrje të vazhdueshme për heqjen e këtyre masave, duke i quajtur ato të padrejta.
Javën e kaluar, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, shefja e diplomacisë e BE-së, Kaja Kallas, tha se blloku evropian ka nisur t’ia heqë dalëngadalë masat Kosovës, por me kusht që ajo t’i ulë tensionet në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
Por, edhe ky lajm ka sjellë paqartësi, pasi që ende nuk dihet se cilat masa saktësisht po hiqen dhe në çfarë afatesh kohore.
Radio Evropa e Lirë mësoi nga burimet e saj në Bruksel se masat që janë hequr kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian, dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Ndërkohë, Klisman Kadiu, nga Zyra e zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se “BE-ja do të fillojë së shpejti me funksionimin dhe mbajtjen e takimeve të nënkomiteteve të MSA-së me Kosovën”.
Çka saktësisht humbi Kosova nga masat?
Masat, sipas raportit të Institutit GAP, prekën rreth 395 milionë euro mjete në kuadër të WBIF-së – që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor – dhe rreth 218 milionë euro në kuadër të programit IPA – program që u ofron asistencë financiare dhe teknike vendeve që synojnë BE-në.
Këto mjete ishin planifikuar të shpenzoheshin për realizim të projekteve, të cilat do të financoheshin përmes granteve dhe kredive.