Qoftë edhe një mandat i vetëm i fituar në mënyrë të jashtëligjshme, e bën të gjithë procesin zgjedhor të manipuluar

Nga Gerard Komini

Zgjedhjet e 11 Majit, për të cilat ende nuk kemi një certifikim përfundimtar nga KQZ, kanë lënë pas një shije të hidhur për shumë qytetarë. Arsyeja është e thjeshtë: disa kandidatë kërkojnë transparencë, por e kërkojnë më kot sepse janë të vetëm përballë një partie-shtet dhe një opozite të rrëmbyer nga individë që e trajtojnë si pronë private.

Në këto zgjedhje u panë fenomene që nuk ndodhin askund tjetër në botë. Një qeveri, pas 12 vitesh pushtet dhe dhjetëra skandale me ministra, ish-ministra e drejtorë të arrestuar për korrupsion, del më e fortë dhe rrit numrin e mandateve nga 65(2013) në 83(2025)! Në Shqipëri, pushteti nuk konsumohet, por shpërblehet. Nuk ka logjikë tjetër përveç asaj të hajdutërisë së organizuar dhe të pandëshkuar.

Unë vetë isha pjesë e kësaj gare. Por ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë, unë nuk kam ndjekur Shkollën e Magjisë “Hogwarts” dhe nuk kam qenë në një klasë me Harry Potter. Unë kam mbaruar për inxhinieri ndërtimi, kam ndërtuar me duart e mia, jo me shkop magjik. Sepse vetëm me magji ndodh që një kandidat që në zgjedhjet e kaluara mori 2500 vota, të marrë papritur dhjetëfishin. Ose që dikush pa përvojë, pa angazhim, pa asnjë gjurmë publike, të marrë më shumë vota se vetë Kryeministri. Kjo nuk është thjesht magji, është shantazh, presion, krim elektoral.

Diferenca e votave mes pozitës dhe opozitës është e madhe, por edhe më e madhe është diferenca mes realitetit që përjeton qytetari dhe rezultatit që del nga kutitë e votimit. Sepse kur pyet qytetarët në rrugë, ata ta thonë troç: kandidatët nuk janë magjistarë, janë pengje. Dhe magjia që i nxori fitues nuk është fantazi, por presioni i botës së errët: i bandave, i grupeve kriminale, i armëve dhe i frikës.

Kjo është arsyeja pse situata është alarmante. Sepse dita-ditës, Parlamenti shqiptar po kthehet në një arenë ku shtohen deputetët që i detyrohen krimit. Dhe po e pranuam këtë si normalitet, nuk do jetë e largët dita kur do kemi 140 deputetë që do konkurrojnë kush ka më shumë rekorde kriminale.

Mjerë ky vend ku po shkon.

Exit mobile version