Emrin e ka ligji “për investimet strategjike”, por eksperienca ka treguar se është një metodë për të shpërndarë privilegje për miq, biznesmenë apo të fortë që arrijnë të gjejnë fijet e duhura në kryeministri. Socialistët kishin menduar se deri në fund të vitit 2023 do t’u dilte koha të bënin qokat për biznesmenët afër tyre, por këtë të enjte i kanë shtyrë afatet për të dytën herë.
Interesante është që në të dyja rastet që zgjaten afatet e ligjit për “investitorët strategjikë” procedurat e parlamentit janë të dyshimta.
Herën e parë, në vitin 2021, afatet e ligjit u zgjatën përmes një procedure të përshpejtuar, që i anashkalonte diskutimet në komisionet hetimore. Ishte një mënyrë si vjedhurazi për ta votuar.
Ndërsa këtë të enjte, procedura është akoma më problematike. Sepse në sallën e parlamentit ishin vetëm 68 deputetë kur u bë kuorumi, ndërkohë që duheshin jo më pak se 71 kartona.
Pavarësisht kësaj, Felaj ka vazhduar duke çuar deri në fund porosinë.
Pse u zgjat ligji për investimet strategjike?
Ligji për investimet strategjike është fuqi prej vitit 2015. Ai është pritur me kritika nga opozita, që ka denoncuar se njerëz të afërt me kryeministrin Rama kanë qenë përfitues direktë. Por kjo zgjatje e dytë e afateve na fut në një fazë të re të shpërndarjes së pasurive të vendit për biznesmenët pranë qeverisë.
Një javë më parë, parlamenti i hapi rrugë investimeve në zonat e mbrojtura. Bëhet fjalë për parqe kombëtare, pyje, liqene dhe pasuri të tjera natyrore në Shqipëri që deri dje mbroheshin me ligj. Tani mbrojtja ra.
Kush përfiton statusin “investitor strategjik” mund të futet edhe në “ish-zonat e mbrojtura” dhe falë pasurive natyrore që ka Shqipëria përfitimet në para do të jenë akoma më të mëdha.
Nëse një biznesmen shpallet “investitor strategjik” ai përfiton disa lehtësira nga shteti, që nga njohja e titujve të pronësisë, tek detyrimet e shtetit për t’i ofruar falas infrastrukturë ndihmëse për furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore.
Ana e errët e ligjit për investimet strategjike
Hetimi i “investitorëve strategjikë” me një komision parlamentar është një nga kërkesat e hershme të opozitës. Por socialistët refuzojnë me çdo kusht të hapin letrat. Skandalet që lidhen me ligjin në fjalë janë tashmë të njohura.
I tillë ishte rasti që i kushtoi postin ministres së jashtme, Olta Xhaçkës pasi u zbulua se bashkëshorti i saj Artan Gaçi u bë investitor strategjik me vendim të qeverisë për një hotel në Dhërmi. Opozita ka kërkuar që Xhaçkës t’i hiqet mandati i deputetes por socialstët refuzojnë ta çojnë vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Projekti i hotelit me 5 yje po hetohet nga SPAK, pasi u zbulua që dokumentat e pronës ishin falsifikuar.
I rëndë ishte skandali me Pëllumb Gjokën, një person i arrestuar nga SPAK si porositës i vrasjeve me pagesë, por që ishte shpallur investitor strategjik nga kryeministri Rama. Rasti i Pëllumb Gjokës u zbulua nga publikimi i bisedave në SKY ECC, sipas të cilave Gjoka paguante Behar Bajrin dhe shefat e policisë për ekzekutimet që kërkonte.
Po aq i zhurmshëm ishte edhe rasti i shpalljes si investitor strategjik i aktorit të Portokallisë, Gazmend Paja për një resort në Dhërmi. Në vitin 2017, kompania Startek kishte aplikoi e vetme për të fituar të drejtën e ndërtimit të resortit në Dhërmi, por dështoi. Dy vite më vonë, projektit iu bashkua kompania e Gazmend Pajës dhe atëherë qeveria u bind dhe e shpalli fituese.
Investim strategjik ishte edhe projekti që i fali mijëra metra truall dhe miliona euro taksa biznesmenit nga Emiratet e Bashkuara, Muhamed Alabar. Marrëveshja me të synon të krijojë një rezidencë të shtrenjtë për qytetarët e Durrësit, të cilët me gjasë nuk do të lejohen të hyjnë brenda saj.
Tashmë është e qartë se ligji i jep dorë të lirë kryeministrit Rama të shpërndajë pasuritë publike për njerëzit pranë tij. Këtë nënkuptoi edhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetajt në intervistën e fundit nga arratia, kur u shpreh: “Unë nuk kam ngrënë qofte të veranda dhe pastaj i kam dhënë tokën, detin, ajrin, lejen atje, jo një njeriu por shumë. Gati 10-15 veta”./Lapsi.al