Nënkryetarja e Demokratëve Euroatlantikë, Orjola Pampuri, në një intervistë për A2 CNN ka theksuar rëndësinë e mbështetjes për SPAK-un dhe angazhimin për të pastruar politikën nga korrupsioni. Sipas Pampurit, mbështetja për SPAK-un tregon pastërtinë e një politikani përballë drejtësisë dhe afereve korruptive
Ajo ka pohuar se arsyeja për të votuar Demokratët Euroatlantikë është programi që ka për qytetarët dhe kandidatët e pastër, të cilët janë profesionistë dhe kanë integritet. Sipas saj ky është ndryshimi që kanë me politikën e tranzicionit 34-vjeçar, në zgjedhjet e ardhshme.
“Një nga arsyet për të votuar Demokratët Euroatlantikë, është kjo; të mbështesësh SPAK-un dhe mos t’i dalësh kundër, do të thotë që të jesh një personazh i pastër përballë drejtësisë, përballë aferave korruptive. Unë nuk kam asgjë për të fshehur dhe asgjë për t’u frikur për të mbështetur SPAK-un dhe për të thënë që gjithkush të dalë para drejtësisë. Por sigurisht që kjo nuk mjafton. Të dalësh me një program të mirë të cilin ne e kemi prezantuar në datë 1 qershor të vtit të kaluar, të dalësh me kandidatë me integritet të cilët janë profesionistë të mirë. Janë pjesë, kanë qenë pjesë e politikës një pjesë. Një pjesë tjetër janë profesionist shumë të mirë në fushat e tyre, me integritet, të pastër dhe me një program të mirë, besoj se kjo do të bënte ndryshimin mes dyshes Rama-Berisha. Unë besoj që në momentin që del në fushatë, unë tashmë kam provuar dy fushata në të cilat kam qenë vet kandidate dhe besoj që kur del me njerëz të pastër dhe kur vet je i pastër, krijon besim tek qytetarët. Ti Bruna, ndjesë që po të marrë si shembull, do jesh një votuese në zgjedhjet e 11 majit dhe padiskutim nuk do të shkoje të votoje dikë që të ka mbajtur peng për 34 vite. Që nuk ka bërë asnjë gjë, asnjë lloj ndryshimi përveçse është pasuruar vet dhe ka menduar vetëm për karrigen e vet për 34 vite. Besoj që nuk do më mbështeste askush në qoftë se do të shkoja dhe do të isha një njeri i konsumuar me karrigen e pushtetit, ku do të kisha abuzuar me të, ku do të akuzohesha për afera, për korrupsion e të tjera me radhë dhe do t’i premtoja një program do t’i thoja që unë jam e ardhmja. Shiko, e shkuara e këtij vendi e cila mban peng dhe e mban në tranzicion, është arsyeja e tranzicionit 34 vjeçar, nuk mund të premtojë më të ardhme. Dhe kjo është taksative dhe këtë unë e kam parë. Vërtetë nuk kanë qenë publike takimet me qytetarët, kam patur takime në disa zona, të jem e sinqertë nuk e duan më e rëfuzojnë politikën e vjetër” – u shpreh Pampuri.