Një qytetare u ankua në emisionin “Stop”, pasi ka të atin të sëmurë nga zemra dhe duhet të bëjë ndërhyrje urgjente për valvul dhe bypass. Por prej kohësh e sorollatin dhe i ati luan çdo ditë me jetën.
“Nuk po gjej zgjidhje në asnjë rrugë tjetër. Kam babin që vuan nga zemra. Pasi ka bërë një koronare në spitalin ‘Nënë Tereza’, i kanë kthyer përgjigje që është e nevojshme urgjente që të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale. Duke qenë që muaji Gusht është një muaj që sipas spitalit, nuk bëjnë operacione, na e lanë për në Shtator. Ndërkohë meqenëse ishte urgjente dhe neve muaji Gusht na u duk i gjatë u drejtuam në një spital privat, ku morëm një çmim që ishte shumë i lartë. Shkonte te 10000 Euro dhe ishte i papërballueshëm për ne. Në këtë pikë ishim të detyruar të prisnim spitalin shtetëror. Erdhëm këtu dhe morëm përgjigje që nuk mund të futet në operacion se nuk ka bazë materiale”, u shpreh denoncuesja.
Ajo shtoi se janë ende në pritje për kryerjen e operacionit të pacientit, i cili sipas mjekëve duhet të kryhej në mënyrë urgjente, pasi rrezikon jetën.
Në një përballje me kardiologun, ky i fundit shpërtheu duke fajësuar kryeministrin Edi Rama.
Mjeku: Po presim të na sjellin materialet. Nuk do mërzitesh, do vish prapë. Hajde nga mesi i javës, nga e mërkura nga e enjtja. Të shohim se ça mund të bëjmë.
Qytetarja: Po u bë një muaj, data 3 shtator, po vjen tetori ..
Mjeku: Më fal, të të bëj një pyetje?
Qytetarja: Është jetë njeriu se të jemi për gjëra të tjera presim…
Mjeku: Mirë, më fal, pse më drejtohesh në atë mënyrë? Çfarë faji të kam unë? Mund të ma shpjegosh pastaj, që të të shpjegoj pak se ti më thua… Shko thuaja Edi Ramës, që tall bythën me njerëzit nga mëngjesi deri në darkë… Ne nga katër operacione që duhet të bëjmë, bëjmë 2 operacione për mungesë materialesh dhe kemi bërë vetëm pacientë, të cilët janë në gjendje të rëndë dhe nuk dalin nga spitali. Unë nuk mund të përgjigjem për hajdutërinë dhe për pisllikun e tjetrit, që ne punojmë me materiale të skaduara, skadente komplet dhe punojmë në një ambient jashtë çdo lloj standardi. Këtë gjë nuk ta zgjidh dot!
Qytetarja: Po mirë, akoma nuk është bërë ky furnizimi me materiale? Akoma kjo puna e tenderit?
Mjeku: Vazhdon një herë për një herë.
Qytetarja: Akoma s’ka furnizime? Është bllokuar?
Mjeku: Po!
Moderatori i emisionit “Stop” u shpreh: “Ky është një tmerr i madh! Ne duhet të lëvizim vendit. Me këto ilaçe të skaduara na ka vdekur nervi, por ky është momenti që duhet të çohemi në këmbë përtej partive. Jemi në momentin që po tallen me shëndetin tonë. Po na trajtojnë si kavje!”.